E Diel, 1 Nëntor 2026

Shisnin drogë në shkollat e mesme, arrestohen dy të rinj

Ivi Begos dhe Gledi Mikrezit iu kap sasi prej 100 gram canabis dhe kokaine. Dyshohet se u shisnin drogë nxënësve të shkollave të mesme në kryeqytet

TIRANE-Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy shtetas për mbajtje dhe shitje lendesh narkotike. Nga të njëjtat burime mësohet se shtetasit Ivi Bego dhe Gledi Mikrezi u kapën pas një operacioni policor të koduar “Mesnata”.
Operacioni
Dy shtetasve iu kap një sasi prej 100 gram lendë narkotike cannabis dhe kokaine te cilët këta ua shisnin kryesisht nxënësve te shkollave te mesme ne kryeqytet. Policia zbuloi se dy të arrestuarit kishin bazën e tyre pranë Sheshit “Avni Rustemi” në Tiranë. Burime nga policia e Tiranës njoftojnë se në banesën e Ivi Begos u gjetën madje dhe 20 të rinj që përdornin narkotikët e shitur prej tyre. Në vëmendje të strukturave të policisë është edhe mbajtja nën kontroll të individëve që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike në ambientet e shkollave të mesme dhe “Qytetit Studenti”. Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e parë të 2008, forcat e seksionit të Luftës kundër Drogës kanë evidentuar 32 vepra penale në fushën e narkotikëve, me 52 autorë të dyshuar, nga të cilët 45 të arrestuar, 4 nën hetim në gjendje të lirë dhe 3 të tjerë janë shpallur në kërkim.
Rastet
Në fillim të muajit prill u kapën disa persona të dyshuar si furnitorë të heroinës për gjimnazet. Aksioni u realizua nga sektori i Antidrogës, dhe fare pranë shkollës së mesme “Partizani”, në Tiranë u sekuestruan 610 gramë drogë dhe arrestohen dy poseduesit. Burime policore thanë se zbuluan një pikë distibutore të heroinës për shpërndarësit e gjimnazeve në kryeqytet. Policia ka sekuestruar drogë dhe armë në një banesë me qira pranë gjimnazit “Partizani” dhe në një banesë tjetër në Vorë. Në pranga kanë rënë dy poseduesit e drogës, djem tezesh me njëri-tjetrin. Aksioni i policisë, i koduar “Finish” u finalizua me arrestimin e korçarit Oltian Najtellari, 25 vjeç dhe kushëririt të tij, Matildo Mezini. Dy kushërinjtë janë marrë në pyetje nga oficerët e Antidrogës në lidhje me origjinën dhe mënyrën e sigurimit të lëndës narkotike, si edhe për rrjetin e shpërndarësve, kryesisht për atë në shkolla. Skuadra e Antidrogës së Tiranës kishte kohë që survejonte lëvizjet e korçarit nga fshati Ravonik, i cili kishte marrë një banesë me qira pranë shkollës “Partizani”. Më 18 janar të këtij viti u asgjësua në Fier grupi që trafikonte heroinë nëpër shkolla ku në pranga ranë 5 vetë. Operacioni “Start 2” bëri të mundur sekuestrimin e 800 gr lëndë narkotike e llojit heroinë. Një pjesë e drogës është gjetur në banesën e një të arrestuari. Personat dyshoheshin se shpërndanin drogës kryesisht në shkollat e mesme të qytetit të Fierit.

28 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›