E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bruksel, fillon nesër Samiti "për shpëtimin e Euros"

BRUKSEL - Nesër në Bruksel fillon takimi më i rëndësishëm për të ardhmen e monedhës së përbashkët të Evropës, kryesuar nga Herman Van Rompuy, i cili e ka deklaruar tashmë qëndrimin e tij se "është nevoja për një traktat të ri të BE ose për ndryshimet e propozuara nga Merkel dhe Sarkozi. 

"Rregullat e reja buxhetore mund të miratohen pa ndryshuar kushtet e BE," tha sot Van Rompuy, një ditë para hapjes së samitit të rëndësishëm. 

Gjermania dhe Franca po inicojnë një traktat të ri të BE, për rregulla më të ashpra për buxhete të balancuara si dhe për të forcuar pushtetin e Komisionit Evropian, duke i dhënë kompetencë të vendosë masa shtrënguese automatike mbi vendet që marrin ndihmë financiare. 

Krerët e Parisit dhe Berlinit thonë se janë të vendosur për të vazhduar me projektin e tyre, i cili mbështetet edhe nga SHBA, por “bankat federale nuk do të financojnë FMN-në për forcimin e mekanizmit të mbështetjes në zonën e euros”, sqaroi ministri amerikan i Thesarit, Tim Geithner.

Qëllimi i Uashingtonit është të ushtrojë presion, që evropianët të bëjnë hapat vendimtarë drejt zgjidhjes së krizës së borxheve. 

"Zhvillimet në Evropë gjatë javëve të fundit janë inkurajuese", tha ai pas takimit me kreun e BQE dhe Ministrin gjerman të Financave, duke iu referuar angazhimeve të marra nga qeveritë në Itali, Spanjë dhe Greqi, por dhe hapave drejt një "pakti fiskal". 

Ndërkohë para samitit të BE, evropianët janë skeptikë në realizimin e objektivave nga qeveria greke, pavarësisht konsideratave të vecanta për personin e Papadhimos. 

Mediat greke thonë se “jo rastësisht", Barroso bëri deklaratën për mundësinë e daljes së Greqisë nga euro, disa orë përpara takimit të nivelit më të rëndësishëm në historinë e BE-së. Ky vlerësohet si një paralajmërim të fundit për Greqinë, gjë që sipas mediave, pëshpëritet edhe në korridoret e Brukselit. 

Aktualisht nga qeveria greke pritet të përfundojnë negociatat për kredinë e re dhe deri në dhjetor të jenë kapur objektivat për luftën ndaj evazionit fiskal, të zbatohet ligji për liberalizimin e profesioneve të mbyllura, reforma në administratën shtetërore e publike për largimin nga puna të mijëra punonjësve deri në vitin 2015, dhe për të siguruar fondet e parashikuara nga privatizimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›