E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti detar me Greqinë, Abdiu: Bakojani gënjen

TIRANE-Në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Fehmi Abdiu mohon në mënyrë kategorike që vendimi për të rrëzuar paktin detar me Greqinë të jetë marrë nën presionin apo si pasojë e marrjes së rryshfeteve nga qeveria turke. Sipas tij deklaratat e bëra në televizionin “SKAI” të ish ministres së Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis dhe gazetarit Stavros Lygeros janë gënjeshtra të ulta.
Z.Abdiu, a ka patur “presione” në adresën tuaj apo a ju janë dhënë “këshilla”, juve personalisht por edhe 8 anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese, në periudhën 2009-2010, nga zyrtarë të lartë vendas apo të huaj, në lidhje me vendimin që duhet të merrnit për paktin detar me Greqinë?
Kam bindjen e plotë që rrëzimi i atij pakti ka qenë një nga vendimet më të mira, më të përgjegjshme dhe më kualitative të Gjykatë Kushtetuese. Pse jo ka qenë edhe një nga vendimet më patriotike, pavarësisht se në terminologjinë e ligjeve vendime patriotike s’mund të ketë. Nuk kam dyshimin më të vogël që vendimi që morrëm në atë kohë ka qenë rezultat vetëm i respektimit të frymës së Kushtetutës, së drejtës ndërkombëtare dhe ligjeve. Kush thotë të kundërtën ose gënjen ose nuk ka njohuritë e duhura ligjore. Ndihem krenar dhe ashtu si unë besoj se ndihen krenarë edhe kolegët e mi në Gjykatën Kushtetuese. Më ka ardhur jashtëzakonisht mirë që pro rrëzimit të marrëveshjes, që rëndom njihet si pakti detar me Greqinë, votuam unanimisht, 9 burra dhe gra.
Pra ju mohoni të ketë patur ndërhyrje?
Sigurisht që jo. Besoj isha i qartë se mbi ç’baza u mor vendimi për të cilin më pyesni.
Megjithatë ish ministrja e Punëve të Jashtme të Greqisë, Dora Bakojanis ka pretenduar së fundmi se “marrëveshja detare me Shqipërinë, ngacmoi Turqinë” duke lënë kësisoj të kuptohet se vendimi juaj është marrë nën presionin e Ankarasë zyrtare...
Do të ishte mirë që zonja para se të artikulonte të tilla deklarata të vinte në dispozion të medias edhe faktet mbi të cilat e mbështet qëndrimin e saj. Zonja ka qenë ministre e Jashtme apo jo? Nëse i disponon faktet të na i tregojë edhe ne. Çdo të thotë sipas jush kjo? Ku i ka faktet zonja?
Po akuzës së bërë nga një prej gazetarëve më të njohur grekë, Stavros Lygeros, sipas të cilit Turqia ka korruptuar anëtarët e gjykatës për të rrëzuar marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqisë, si do t’i përgjigjeni?
Sa i përket këtij zotërisë tjetër që shkon akoma edhe më larg unë të njëjtën pyetje kam. Mbi cilat fakte apo dëshmi e mbështet more zotëri pretendimin tënd? Sepse kemi të bëjmë me akuza shumë të rënda. Kjo së pari duhet të ishte detyra e medias që i intervistoi ata. T’i pyeste se çfarë provash dispononin? Ku i mbështesin këto deklarata? Se për hir të së vërtetës kemi të bëjmë me akuza kaq të rënda por edhe shumë fyese për integritetin e një gjyqtari. Fakti që s’kanë asnjë provë do të thotë se deklaratat e tyre janë të turpshme. Nuk kam dyshimin më të vogël për korrupsion apo dhënie rryshfeti. Vendimi i Gjykatës ka qenë plotësisht i mbështetur në respektimin e frymës së Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve të vendit dhe së drejtës ndërkombëtare. Përsa kohë ajo zonja dhe ai zotëria nuk japim prova e fakte ata thjesht gënjejnë. Është detyra e qeverisë së Republikës së Shqipërisë të mbrojë me vendosmërinë veprimtarinë dhe integritetin e organeve kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb) Lidhje te tjera Grekët: Pakti detar, Turqia i dha ryshfet gjykatësve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›