E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie numri i të ngujuarve, 26 fëmijë do marrin mësim në shtëpi

SHKRUAN: Diana Kolaj 08-11-2011 16:14

Drejtoresha Arsimore e Shkodrës tha për MAPO-n se këtë vit janë 15 fëmijë më pak të përfshirë në projektin një “Shans i dytë”, ndërsa theksoi se besonte se kishte rënë numri i të miturve të ngujuar. Një vit më parë ky numër ishte 41

Shkodër-26 fëmijë të ngujuar do ndjekin mësimin në kushte shtëpie, për shkak të përfshirjes së familjeve të tyre në fenomenin e gjakmarrjes. Këtë vit mësimor në rrethin e Shkodrës numri i atyre fëmijëve të arsimit të detyruar, që janë të privuar nga ndjekja rregullisht e mësimit si të tjerë, por që do trajtohen në projektin e Ministrisë së Arsimit “Shansi i dytë”, është zvogëluar me 15.

Sipas drejtoreshës së zyrës Rajonale të Arsimit, Atrida Ferketi, projekti si dhe vitet e tjera është 25 javë mësimore, ku tri herë në javë, mësues kryesisht të zonave ku ndodhen fëmijët e ngujuar, japin mësim për ta në kushte shtëpie, që quhen vatra dhe që grupojnë fëmijë të një fisi të përfshirë në gjakmarrje apo të familjeve fqinjë. “Çdo vit, në fillim të nëntorit njësitë e qeverisjes vendore sjellin të dhëna për fëmijët e arsimit bazë të detyruar që nuk shkojnë në shkollë, pasi janë të ngujuar, të dhëna që verifikohen dhe nga shkollat përkatëse. Mbi bazën e tyre caktohen vatrat dhe mësuesit që japin mësim në kushte shtëpie, që janë mësues të zonës apo mësues në pritshmëri”, thotë Ferketi. Këtë vit, sipas saj, nga të dhënat e marra nga njësitë e qeverisjes vendore kemi numrin më të vogël të kësaj kategorie gjatë viteve që zbatohet ky projekt.

“Në qershor kishim 5 fëmijë të projektit të vitit të kaluar, që mbaruan klasën e 9-të dhe ata nuk vazhdojnë më tej, por ulja e numrit ka ndodhur dhe për shkak të mospërfshirjes në ngujim të fëmijëve, ndërsa ka raste ku familje në konflikt janë larguar nga Shkodra në drejtim të rretheve të tjera”, shton drejtoresha. Sipas saj, “Ulja e numrit të fëmijëve të moshës së arsimit bazë që përfshihen në këtë projekt është shenjë e mirë duke besuar se kjo ka ardhur nga mospërfshirja e tyre në konflikte gjakmarrjeje dhe lejimi për të vazhduar mësimin në shkollat përkatëse, normalisht si gjithë fëmijët e tjerë”, thotë Ferketi. Për numrin e të ngujuarve apo fëmijëve të përfshirë në këtë fenomen, shoqatat japin shifra të ndryshme, ndërsa në projektin e Ministrisë së Arsimit të dhënat jepen nga njësitë e qeverisjes vendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›