Zbardhet skema e krimit, por e paqartë cili nga vëllezërit qëlloi
Policia ka mësuar nga dëshmitë se përleshja e mbarsur prej zhurmës kishte shpërthyer në momentin kur një nga ata që luanin tavëll ka qëlluar me shpullë një fëmijë të familjes Leskaj
Vlorë- Zbardhen motivet dhe detajet e sherrit të djeshëm në Vlorë, që çoi në vrasjen e një personi dhe plagosjen e 5 të tjerëve me armë zjarri dhe mjete të forta. Ndërkohë, policia duket se ka ende të paqartë se cili nga dy vëllezërit Leskaj ka përdorur armën, Altin Leskaj, që u dorëzua pas negociatave me një agjent të antikrimit dhe që kishte edhe armën, apo vëllai tjetër që ndodhet ende në ndjekje dhe që nuk ka pranuar të dorëzohet.
Burime nga policia e qytetit bregdetar ditën e djeshme bënë me dije për gazetën detaje nga deklarimet e personave të marrë në pyetje. Sipas policisë, prej disa kohësh katër personat e qëlluar me armë luanin në ambientet e zdrukthëtarisë së vëllezërve Çela dhe atje, sipas policisë krijonin dhe zhurma. Vëllezërit Leskaj, të cilët banonin në katin e dytë të pallatit, kanë treguar se shqetësoheshin nga zhurmat që krijoheshin çdo mbrëmje. Ndërkohë sipas policisë së Vlorës, nga dëshmitë që ata iu kanë marrë të dyja palëve është arritur në përfundimin se ka qenë një fëmijë shkak që dy vëllezërit Leskaj kanë dalë nga banesa dhe janë konfliktuar me katër personat e tjerë, të cilët ishin duke luajtur tavëll në ambientet e zdrukthëtarisë. Një nga fëmijët e familjes Leskaj kishte marrë një biçikletë pa leje, e cila ishte e njërit prej katër personave që po luani tavëll. Ky i fundit e ka qëlluar me shpullë fëmijën.
Kjo ka qenë arsyeja, sipas burimeve policore që ka nisur konflikti, i cili ka qenë i mbartur prej ditësh nga zhurmat që katërshja e tavllës krijonte. “Pasi janë futur dy vëllezërit në zdrukthëtari dhe i kanë kërkuar njërit nga ata që luanin llogari për rrahjen e djalit, aty në debate e sipër ka nisur konflikti fillimisht me fjalë e sharje dhe më pas duke përdorur forcën dhe sendet brenda zdrukthëtarisë, të cilat janë përdorur nga të dyja palët”, - thonë burime të policisë. Pasi janë rrahur dhe kanë pësuar fraktura të forta, një nga vëllezërit Leskaj është ngjitur në banesën e tij dhe ka marrë pistoletën duke qëlluar tri herë në drejtim të katër atyre që po luanin. Nga tre plumbat e shtënë, një nga këta ka hyrë në krahun e majtë të kraharorit të 37-vjeçarit Niko (Ritvan) Mataj duke e lënë të vdekur në vend dhe një plumb tjetër ka marrë në krah një nga katër të plagosurit. Dy të tjerët, me të cilët bëhen tre të plagosur, sipas policisë kanë marrë plagë të ndryshme nga sendet e gjetura në zdrukthëtari, ku një çekan që është përdorur ka fluturuar jashtë xhamave të zdrukthëtarisë duke thyer dhe xhamin e pasmë të një automjeti të parkuar aty pranë.
Polica ka mbërritur në vendngjarje duke shoqëruar tre të plagosurit në spital dhe më pas për në morg 37-vjeçarin e vdekur. Po sipas policisë, 37-vjeçari Mataj sapo kishte ardhur nga fshati i tij i lindjes Kropisht, ku kishte mbledhur ullinjtë dhe ishte duke luajtur me tre shokët. Pas negociatave me policinë është dorëzuar një nga vëllezërit Leskaj së bashku me pistoletën. Po nga burimet policore, Altin Leskaj që u dorëzua kishte dhe ai disa plagë të ndryshme në trup e në kokë dhe është mjekuar në ambientet e policisë. Sipas tyre, ai kishte disa çarje të gradës së lartë dhe i janë bërë disa qepje. Ndërkohë, policia e Vlorës ka shpallur në kërkim vëllanë tjetër Leskaj. Edhe me të ka pasur negocime për dorëzim, por deri në mbrëmjen e djeshme ai vazhdon të jetë i lirë.