Zgjedhjet në sindikatën e Bulqizës, ish-kryetari akuzon për puç kolegët
Përkoxha: Shkarkimi im ishte përgatitur. Nikollaj: Po freskojmë strukturat, nuk e mohojmë kontributin
BULQIZË-Vetëm pak çaste pas përfundimit të mbledhjes për zgjedhjen e strukturave drejtuese të sindikatës së minatorëve ka reaguar ish-kryetari Dilaver Përkoxha, duke akuzuar drejtuesit e konfederatës dhe kolegë të tij se largimi ka qenë një plan i përgatitur prej kohësh. 23 anëtarë të këshillit drejtues të zgjedhur nga 700 minatorët e Bulqizës, kanë zhvilluar dje zgjedhjet e reja, ndërkohë që të pranishëm në këtë mbledhje kanë qenë edhe drejtuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, Kol Nikollaj e Taf Koleci. Fillimisht është zhvilluar analiza e punës së këshillit sindikal për dy vitet e fundit, ku të pranishmit kanë kritikuar kryetarin Dilaver Përkoxha për punë të dobët në drejtimin e sindikatës së minatorëve. Pas analizës që ka zgjatur më shumë se dy orë, është kaluar në zgjedhjen e drejtuesve të sindikatës. Janë propozuar për kryetar Kujtim Alliu, inxhinier miniere dhe Dilaver Përkoxha, ish-kryetar i këshillit sindikal. Pas votimit ka rezultuar që Alliu ka fituar 22 vota dhe Përkoxha 1 votë. Ndërkaq, nënkryetar është zgjedhur Luan Nika e sekretar Baki Bajraktari, ish-drejtues të protestave dhe grevave të zhvilluara në qytetin e Bulqizës dhe në kryeqytet nga minatorët e Bulqizës. Përkoxha ka kundërshtuar zgjedhjen e forumeve të reja drejtuese, duke u kujtuar krerëve të KSSH-së se ai ka vuajtur shumë në drejtimin e sindikatës. U ka kujtuar atyre përleshjet me policinë, sidomos forcat speciale në qytetin e Bulqizës dhe Tiranë, persekutimin e tij dhe familjes për shkak të lëvizjeve sindikaliste. “Nuk jam dakord me zgjedhjet e zhvilluara. Unë jam që të votojnë 700 minatorët e Bulqizës dhe atëherë do ta kuptoni se unë nuk duhet të shkarkohem. Kam mbajtur shumë mbi supe dhe kjo që më bëhet sot është pabesi dhe një plan i parapërgatitur nga drejtuesit e konfederatës dhe kolegët me të cilët kam ndarë gjithçka”, - deklaroi Përkoxha mbrëmë në linjë telefonike. Ndërkohë, krejt ndryshe shprehen drejtuesit e konfederatës. Kol Nikollaj u shpreh se këto ndryshime vijnë në kuadër të zgjedhjeve të reja në të gjithë vendin dhe kudo po freskohen strukturat drejtuese. “Ne nuk kemi mohuar dhe as do të mohojmë kontributin e Dilaver Përkoxhës, por ka ardhur koha që të zgjedhim njerëz më të zotë në krye të këshillit sindikal. Kujtim Alliu është një specialist i spikatur në minierën e Bulqizës dhe u zgjodh gati unanimisht nga këshilli drejtues. U bënë tashmë dy vjet që sindikata e minatorëve të Bulqizës kishte nevojë për rinovim”, - tha Nikollaj. P. HASA