E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhitë rrezikojnë autobusin, përplaset me një trajler

Fier- Dhjetëra pasagjerë që udhëtonin me një autobus të linjës Berat-Vlorë janë rrezikuar paraditen e së hënës në çastin kur autobusi është përfshirë në një aksident automobilistik. Ngjarja ndodhi në aksin rrugor Fier- Levan, në afërsi të qytezës së Levanit. Autobusi ka qenë në drejtim lëvizje për në Vlorë, kur është përplasur më një mjet të tonazhit të rëndë në momentin kur drejtuesi i tij është përpjekur të frenojë. Shkak është bërë një tufë bagëtish që kanë zbritur nga kodrat me ullinj, që shtrihen në anë të këtij aksi rrugor. Ato i kanë prerë rrugën mjetit të tonazhit të rëndë tip trajner. Drejtuesi i këtij mjeti që udhëtonte para autobusit ka frenuar fort, ndërsa pas tij është përpjekur të frenojë dhe drejtuesi i autobusit. Gjatë këtij momenti ka ndodhur dhe përplasja mes fundit të trajlerit dhe kokës së mjetit ku udhëtonin dhjetëra pasagjerë. Fatmirësisht nuk ka pasur dëmtime në njerëz. Mjeti tip autobus është goditur në pjesën e derës së pasagjerëve, ndërsa këta të fundit veçse janë frikësuar dhe nuk janë lënduar. Në vendngjarje ka mbërritur policia rrugore. Kjo e fundit ka zhbllokuar dhe situatën duke liruar qarkullimin e mjeteve në këtë pjesë rruge kombëtare. Pasagjerët kanë udhëtuar me mjet tjetër drejt destinacioni, ndërsa policia rrugore dhe ekspertët e saj kanë kryer dhe veprimet përkatëse lidhur me këtë aksident rrugor. A.V

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›