E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie sërish vlera e euros

Monedha euro ka vazhduar rënien e saj, në fund të një jave të vështirë dhe pavarësisht rezultateve të testit të fundit të stresit, që duket se nuk ia kanë mbushur mendjen tregjeve financiare dhe investitorëve.

Monedha e përbashkët e 16 vendeve anëtare të BE-së ka pësuar rënie, jo vetëm ndaj monedhave të përmasave të saj, por edhe ndaj monedhave të tjera, si dollari australian dhe ai i Zelandës së Re.

Përfundimet e testit treguan se vetëm shtatë banka nuk ishin në gjendje që në një skenar të keq të mund të mbijetonin dhe t’i përgjigjeshin siç duhet krizës.

Shumë analistë të BE-së për financat shpresuan se rezultatet e testit do të përbënin një nxitje pozitive për investitorët dhe tregjet, pas problemeve të mëdha me rastin e Greqisë dhe raste të tjerë.

Por duket se as testi nuk ka bërë gjë për sa i përket imazhit të monedhës dhe ajo vazhdon që të rrezatojë pasiguri.

Pyetja që kanë ngritur tregjet në përfundim të testit të stresit është: a ka qenë ky test i mjaftueshëm sa për të vënë në provë aftësinë e bankave për të përballuar situatat e krizës?

Me pak fjalë, ata kanë vënë në dyshim mënyrën e kryerjes së testit dhe si pasojë edhe rezultatet e tij.

Në përfundim të testit, në të cilin morën pjesë 91 banka europiane, vetëm 7 dolën se nuk kishin mjaftueshëm mjetet për ta përballuar situatën e krizës dhe kjo bëri që autoritetet t’u kërkojnë këtyre bankave që të shtojnë fondin rezervë me një kapital prej 3.5 miliardë eurosh shtesë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›