E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie shtylla e semaforit, aksidentohet polici rrugor

27/08/2009  Një autobus linje devijoi nga rruga dhe u përplas. Efektivi dëmtime në kokë

DURRES- Është plagosur në kokë efektivi i Policisë së Qarkullimit Rrugor Taulant B. pas një aksidenti të rëndë të ndodhur në rrugën e Plazhit të Durrësit. Plagosja e policit është shkaktuar nga shtylla e semaforit ku ai së bashku me punonjës të tjerë të policisë po patrullonin në një nga kryqëzimet e rrugës së populluar.

Aksidenti

Burim i aksidentit është bërë autobusi i linjës Durrës-Elbasan me targa EL 2553 C me drejtues Nikolla R., i cili është përplasur me bordurën e trafikndarëse dhe për të shmangur aksidentimin e kalimtarëve të shumtë ka devijuar timonin duke i rënë një autoveture. Kjo e fundit ka humbur qëndrueshmërinë dhe ka goditur shtyllën e semaforit që është këputur menjëherë. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Hekurudha”, në një nga nyjet e semaforëve të patrulluar. Rënia e shtyllës së semaforit ka goditur në kokë policin Taulant B.. I dëmtuari është transportuar fillimisht në spitalin e Durrësit e më pas për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, pasi ka marrë fraktura të forta në pjesë të shpatullave. Balla kishte dy muaj që kishte ardhur nga policia e Tiranës në ndihmë të efektivave të qarkullimit rrugor në Durrës. Grupi hetimor ende nuk ka njoftuar se cilat kanë qenë shkaqet e këtij aksidenti të rëndë të plagosjes së policit, ndërsa është ndaluar shoferi i autobusit, shtetasi Nikolla R. Trafiku në segmentin rrugor Ura e Dajlanit-Plepa, që është edhe më i ngarkuari në këto ditë vere, ka funksionuar vetëm në njërën korsi deri sa ka përfunduar edhe hetimi nga grupi përkatës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›