Maqedonia jep 1550 pasaporta për shtetasit shqiptarë
Për të marrë nënshtetësinë maqedonase mjafton vetëm një kërkesë nga shoqata "Prespa" dhe një certifikatë
POGRADEC- Qyteti dhe rrethinat e Pogradecit pushtohen nga "mania" për tu bërë shtetas maqedonas. Kohët e fundit është vënë re një vërshim njerëzish në zyrat e gjendjes civile, të cilët kërkojnë pajisjen me nënshtetësinë maqedonase. Të ndihmuar edhe nga shoqata maqedonase "Prespa", rreth 1550 pogradecarë kanë arritur që të pajisen me pasaportat e vendit fqinj. Lajmi është pohuar dje për "Shekullin" nga anëtari i kryesisë së shoqatës "Prespa", Petro Shkëmbi. Sipas tij, pajisja me pasaportën maqedonase është tepër e thjeshtë për banorët e zonës pranë kufirit.
Anëtari i kryesisë së shoqatës maqedonase "Prespa" që funksionon në Prespë dhe Pogradec, Petro Shkëmbi, thotë për gazetën"Shekulli" se që të marrësh shtetësinë maqedonase duhet vetëm një kërkesë nga shoqata dhe certifikatën në gjendjen civile të Pogradecit. "Fillimisht u pajisën me pasaporta maqedonase ato pakica që kishin orgjinë apo ndonjë të afërm në Maqedoni por më pas pati një rrjedhje të madhe dhe shifra ka shkuar në 1550 qytetarë nga kjo zonë që kanë marrë nënshtetësinë Maqedonase. Megjithatë unë di shifrën paraprake por kryetari i Shoqatës, Jovan Shkëmbi, ka evidencë më të saktë",- thotë Petro Shkëmbi. Gazeta tentoi të kontaktojë me vetë kryetarin e shoqatës për të marrë një shifër të saktë të personave nga Pogradeci që janë pajisur me pasaporta maqedonase, po kjo ishte e pamundur. Ndërkohë, burime të pikës doganore pohojnë se pasaportën maqedonase nuk e kanë marrëvetëm qytetarë të thjeshtë por edhe kuadro drejtuese që nga këshilli Bashkiak punonjës të bashkisë e deri tek drejtues institucionesh. "Ata paraqiten në doganë për të kryer veprimet me pasaporta maqedonase",- thanë burimet e doganës.
Por nga ana tjetër shteti maqedonas ka vendosur sërish regjimin e vizave me Shqipërinë. Duke filluar nga një shkurti i këtij viti, qytetarët shqiptarë që dëshirojnë të shkojnë në Maqedoni nuk mund të marrin vetëm një vizë në kufi por duhet të aplikojnë në ambasadën përkatëse. Komandanti rajonal i kufirit të shtetit Maqedomas, Adi Kreka, tha për "Shekullin"se sportelet e vizave në vendkalimet me Maqedoninë do të mbyllen dhe nuk do të ketë vizë në kufi. Ky kufizim bëhet vetëm me Shqipërinë pasi në pikat e kalimit me Serbinë dhe me Kosovën kjo gjë nuk do të ndodhë.