E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie tavani ne shkollen Dora Distria nuk lendohen nxenesit

Bie suvaja e tavanit në palestrën e shkollës “Dora D’istria”, në kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10 të mëngjesit ku fatmirësisht nuk po zhvillohej orë mësimi. Për këtë arsye, nuk ka të lënduar. “Dora D’istria” është shënuar si shkolla e radhës për rrezikun nga tavanet që bien. Kjo shkollë është rikonstruktuar për herë të fundit rreth viteve 2001 2002 dhe që atëherë këtu nuk është dhënë asnjë fond për rikonstruksionin e ambienteve të saj. Për këtë arsye janë të shumta ambientet me lagështirë.

Shumica e klasave janë jashtë kushteve higjeno sanitare për të zhvilluar një proces normal mësimor. Gjithashtu bodrumet prej vitesh janë të mbushura me ujë duke qenë rrezik për përhapje epidemish. Ndonëse drejtuesit e shkollës janë ankuar disa herë, askush nga pushteti vendor nuk i ka dhënë një zgjidhje.

Aktualisht do te rregullohet vetëm tavani i palestrës, ndërsa më pas do te inspektohen të gjitha klasat për të dhënë ose jo, garancinë për të zhvilluar mësimin në këto ambiente. Shkolla 9 vjeçare “Dora D’istria ka 907 nxënës të ulur në bankat e saj.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›