E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie zjarr në një pallat, humb jetën nga asfiksia e moshuara

Asime Hoxha, 60 vjeçe, nuk mundi të dalë nga banesa se ishte e paralizuar. Ngjarja ndodhi në një ndërtesë pranë shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”

Tiranë - Një 60-vjeçare e paralizuar ka humbur jetën pasi u asfiksua nga tymi i flakëve që shpërthyen në apartamentin ku jetonte. Ngjarja ndodhi dje paradite në Tiranë. Policia evakuoi edhe banorë të tjerë të këtij pallati. Zjarri i fuqishëm shpërtheu fillimisht në katin e tretë të një pallati në kryeqytet dhe i mori jetën 60-vjeçares Asime Hoxha. Ngjarja ndodhi në një pallat pranë shkollës së mesme “Petro Nini”, në rrugën “Margarita Tutulani”, në kryeqytet.
Situata
Forca të shumta zjarrfikëse kanë mbërritur në vendin e ngjarjes pasi kanë dëgjuar një shpërthim. Për më shumë se një orë e gjysmë, situata ka qenë kaotike në këtë bllok pallatesh të reja, për shkak të shtëllungave të mëdha të tymit që nuk kanë lejuar lëvizjen e qytetarëve apo të zjarrfikësve. Me ndërhyrjen e zjarrfikësve është bërë e mundur thyerja e tarracës mbi hyrjen e shkallëve që ka ndihmuar dhe largimin e tymit, ndërkohë policia ka bërë të mundur evakuimin e banorëve të pallatit me shkallën e zjarrfikëseve. Mes të evakuuarve ka qenë edhe një fëmijë 4-vjeçar.
Shkaku
Policia thotë se zjarri ka shpërthyer në apartamentin e katit të tretë të këtij pallati. Në momentin kur kanë rënë flakët, në banesë ka qenë vetëm një grua 60-vjeçare, e cila ishte e paralizuar. Policia thotë se gruaja ka gjetur vdekjen nga asfiksia. Zjarri dyshohet të ketë nisur në minibufenë që ndodhej në këtë apartament dhe mund të ketë ardhur nga një shkëndijë elektrike që mund të jetë shkaktuar nga soba. Në apartament është konstatuar edhe një bombol gazi 8-litërshe, e cila fatmirësisht nuk ka shpërthyer. Policia dhe një grup ekspertësh hetimorë shkuan në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
RENEA
Kanë qenë forcat e RENEA-s që kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes duke tentuar të shpëtojnë jetën e banorëve, të cilët gjendeshin brenda pallatit në momentin e rënies së zjarrit. Për fat të keq, bëhet e ditur se gjatë kërkimeve ata gjetën një qytetare, e cila kishte humbur jetën nga asfiksia e tymit të zjarrit. Forcat speciale kanë bërë të pamundurën për të evakuuar të gjithë banorët e mbetur në banesë, në mënyrë që ata të mos rrezikoheshin nga asfiksia, pasi flakët e zjarrit kanë qenë të konsiderueshme. Madje për ta arritur këtë gjë, forcat e RENEA-s kanë thyer edhe tarracën e pallatit, në mënyrë që të lejohej ajrimi në banesë. 12 veta kanë qenë të bllokuar dhe seriozisht të rrezikuar nga asfiksia prej tymit.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›