E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkollat profesionale, përcaktohen provimet e detyruara

Me sa pikë do të vlerësohen provimet e Maturës për këto shkolla. Provimet për maturantët që nuk do të vazhdojnë studimet e larta

Jonida Tashi

Përcaktohen provimet e detyruara shkollore për shkollat e mesme profesionale. Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare, përveç dy provimeve me detyrim të Maturës, do të jenë: “Formimi teorik profesional” dhe “Formimi praktik profesional”. Tezat për këto dy provime të veçanta do të përgatiten nga vetë shkollat përkatëse. Maturantët e shkollave të mesme profesionale dhe social-kulturore, këtë vit, ashtu si edhe vitin e kaluar, do të japin si provime të detyruara të Maturës, lëndët Gjuhë Letërsi dhe Matematikë. Këto lëndë nxënësit e shkollave profesionale i zhvillojnë në vitet e para, të dyta, të treta të shkollimit të tyre të mesme. Ndërkohë ka edhe disa degë që zhvillojnë këto lëndë edhe në vitin e katërt, shkollat 5-vjeçare.
Pikët
Ministria e Arsimit ka përcaktuar se sa do të jetë përqindja e notave për provimet e detyruara për maturantët që do t’u nënshtrohen provimeve të Maturës Shtetërore. Për të gjithë këta maturantë përqindja e notave të provimeve të detyruara (D1 dhe D2) për shkollat profesionale dhe social-kulturore do të jetë si më poshtë: Në shkollat profesionale: Letërsia 15 për qind, Matematika 25 për qind (të peshës së pikëve të Maturës); në shkollat social-kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike): Matematika 15 për qind, Letërsi dhe Gjuhë shqipe 25 për qind (të peshës së pikëve të Maturës). Maturantët e shkollave profesionale do të ndajnë 40 përqindëshin e provimeve të detyruara, sipas profilit (social a natyror), sipas përqindjeve të mëposhtme ku tregohen pesë komponentët e pikëve që të kualifikojnë për në shkollë të lartë.
Provimet
Ndërsa nxënësit e shkollave profesionale që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike duhet t’u nënshtrohen dy provimeve të mëposhtme: Matematikë (Maturë Shtetërore) dhe provim shkollor “Teori dhe praktikë profesionale”. Po ashtu, edhe nxënësit e shkollave social-kulturore, që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike duhet të japin provimet e mëposhtme: Letërsi dhe Gjuhë shqipe (Maturë Shtetërore) dhe provim shkollor “Teori dhe praktikë profesionale”.

Provimet përfundimtare në arsimin profesional
Në Arsimin Profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare janë:
Formimi teorik profesional
Formimi praktik profesional
Tezat përgatiten nga shkollat
Datat për provimet caktohen nga drejtoritë e shkollave

Provimet shkollore sipas profilit
Për shkollat e mesme tekniko-profesionale, sportive, artistike dhe seksionet dygjuhëshe, përveç dy provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, do të jepet dhe provimi shkollor “Formimit teorik dhe praktik profesional”. Provimi shkollor organizohet nga drejtoria e shkollës sipas degëve (specialiteteve). Provimi shkollor zhvillohet sipas programeve orientuese të secilës degë (specialiteti), për provimin e detyruar të Maturës Shtetërore “Lëndët e formimit teorik profesional”. Për shkollat profesionale 3+2-vjeçare dhe teknike 5-vjeçare provimi shkollor do të zhvillohet në javën e parë të qershorit. Për këtë do të përdoret një javë nga praktika e grupuar. Për shkollat mesme sportive, artistike dhe seksionet dygjuhëshe, provimi shkollor “Formimi teorik dhe praktik profesional” do të zhvillohet në javën e parë të qershorit, duke reduktuar vitin shkollor me një javë mësimore.

Përqindja e notave për dy provimet me detyrim
Në shkollat profesionale: Letërsia 15 për qind, Matematika 25 për qind (të peshës së pikëve të Maturës)
Në shkollat social-kulturore (përjashtuar shkollat pedagogjike): Matematika 15 për qind, Letërsi dhe Gjuhë shqipe 25 për qind (të peshës së pikëve të Maturës)

Dy provimet me detyrim për nxënësit që nuk vazhdojnë studimet
Nxënësit e shkollave profesionale, që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike duhet të japin provimet e mëposhtme:
Matematikë (Maturë Shtetërore)
Provim shkollor “Teori dhe praktikë profesionale”
Nxënësit e shkollave social kulturore, që nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta publike duhet të japin provimet e mëposhtme:
Letërsi dhe Gjuhë shqipe (Maturë Shtetërore)
Provim shkollor “Teori dhe praktikë profesionale”

Pikët që të kualifikojnë për në shkollë të lartë
Pikët që të kualifikojnë për në shkollë të lartë përbëhen nga pesë komponentë që janë:
Mesatarja e shkollës së mesme (20 për qind)
Provimi 1 i detyruar (D1, Gjuhë-Letërsi, 20 për qind)
Provimi 2 i detyruar (D2, Matematikë, 20 për qind)
Provimi 1 me zgjedhje (20 për qind)
Provimi 2 me zgjedhje (20 për qind)

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›