Vdes në spital 22-vjeçarja, familjarët akuza bluzave të bardha për mjekim të pakujdesshëm
Vlorë - Një 22-vjeçare ka ndërruar jetë vetëm 12 orë pas shtrimit në Spitalin e Vlorës. Rajmonda Bleta ka pasur temperaturë të lartë dhe mjekët e kanë shtruar atë menjëherë, ndërsa e kanë mbajtur nën vëzhgim duke e kuruar me antibiotikë e më tej serume për të stabilizuar gjendjen febrile që ajo kishte paraqitur. Për 22-vjeçaren e lindur në Tepelenë dhe banuese në fshatin Risili të Vlorës, familjarët bëjnë me dijeni se mjekët asnjëherë nuk patën një diagnozë të saktë nga se i shkaktohej kjo temperaturë. Sipas bashkëshortit të saj, Ramadan Bletës, i cili i ka ndenjur pranë në spital, gjendja e saj nuk ishte e rëndë. Familjarët akuzojnë bluzat e bardha për vdekjen e 22-vjeçares, ndërsa shpjegojnë se ka qenë mosdiagnostikimi i duhur i pacientes që ka çuar në vdekjen e saj. Kreu i Spitalit Rajonal të Vlorës, Luter Nuraj, ka shpjeguar se është vënë menjëherë në dijeni për rastin. “Kam bllokuar kartelën e pacientes dhe kam bërë menjëherë mbledhje me shefat e çdo reparti për të analizuar rastin. Pacientja ka ardhur me gjendje febrile, por pas një temperature mund të ketë shumë shkaqe”, - tha Nuraj. Do të jetë mjeku ligjor ai që do të japë verdiktin mbi shkakun e vdekjes së saj. “Gjithsesi, për këtë rast është në dijeni edhe Ministria e Shëndetësisë. Ne presim përfundimin e autopsisë që të nxjerrim rezultatet për shkaqet e vdekjes. Diagnozë të saktë nuk ka, përveçse ka qenë i evidentueshëm një infeksion i bajameve e gjendja febrile, pra temperatura e lartë që pacientja ka pasur. Përveç faktit që është e dhimbshme se vajza ishte vetëm 22 vjeçe, është dhe e çuditshme se si ajo ndërroi jetë në një kohë kaq të shkurtër. Por ne do ta analizojmë me shumë kujdes këtë rast”, - tha Nuraj. Trupi i 22-vjeçares Rajmonda Bleta tashmë do t’i nënshtrohet autopsisë, prej nga pritet të dalin shkaqet reale që kanë çuar në vdekjen e saj. Mësohet se e reja ka kryer një abort në muajin janar, por gjithsesi gjithçka do të analizohet nga ekipi mjekësor, drejtuesit e spitalit dhe njëkohësisht prokuroria. Ndërsa familjarët kërkojnë të dinë shkaqet që çuan në humbjen e vajzës së tyre. Sipas tyre, ka qenë neglizhencë dhe papërgjegjshmëri e mjekëve që e kanë diagnostikuar gabim Rajmonda Bletën.
Shkon në lokal me automatik, arrestohet
Durrës – Ka shkuar në lokal i pajisur me një automatik mod.56, por nuk rezulton të ketë kryer ndonjë veprim ndaj personave të tjerë. Ngjarja, sipas informacioneve për agjencinë NOA, rezulton të ketë ndodhur në Durrës dhe mbajtësi i armës, Arben Karboja, është arrestuar menjëherë nga forcat e policisë.
Sipas të dhënave, nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij u gjetën 33 copë fishekë që u sekuestruan së bashku me automatikun në cilësinë e provës materiale. Materialet për veprën penale “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”, e parashikuar nga Neni 278/2 i Kodit Penal, i kaluan Prokurorisë së Durrësit.
25 Shkurt 2009