E Diel, 1 Nëntor 2026

Milva Ekonomi: Sondazhi i Zogby-t, teknikisht më i mirë se i Gani Bobit

Ish-drejtoresha e INSTAT-it komenton dy sondazhet e fundit për zgjedhjet. Ekonomi thotë se koeficienti i besimit dhe pyetësori, pika të forta për Zogby-n

“Koeficienti i besimit dhe përgatitja e pyetësorit e bëjnë sondazhin e Zogby International më profesional sesa atë të Gani Bobit”. Ky është mendimi i statisticienes së njohur dhe ish-drejtoreshës së INSTAT-it, Milva Ekonomi, në një intervistë të dhënë në gazetën “Albania”. Ajo ka komentuar vrojtimet e bëra nga dy kompanitë në anketimin e parë në prag të fushatës zgjedhore, si dhe metodologjitë që janë përdorur. Sipas Ekonomit, “dy metodat e përdorura nga Gani Bobi dhe Zogby qëndrojnë pasi zbatojnë parimet e statistikës, por Zogby International ka futur në përdorim metodat më bashkëkohore”. Ish-drejtoresha e INSTATI-t, që aktualisht drejton Institutin “Agenda”, ka komentuar edhe risinë e futjes së sondazheve, exit poll-eve, apo monitorimeve dhe reagimin e subjekteve politike. Ekonomi thotë se do të duhet edhe pak kohë që pranimi dhe reagimi ndaj sondazheve të tilla të bëhet pjesë e realitetit dhe kulturës së përgjithshme politike. Ajo pohon se vrojtimet duhet të përdoren edhe në çështje të tjera, për të bërë sa më transparente një proces dhe për të pasur një perceptim sa më të qartë për qeverisjen, fenomenet apo problemet që ka shoqëruar sot.

Që nga viti 2005 ka hyrë në mjedisin tonë kultura e sondazheve dhe exit poll-eve. Si e vlerësoni këtë fenomen?
Unë e shoh përdorimin e tyre si një risi për Shqipërinë; e them pozitive edhe për forcimin dhe zhvillimin e demokracisë në vend, sepse lejon që njerëzit të informohen në kohë reale për gjërat që mendon popullata në përgjithësisë. Po ashtu, krijon që të ketë mundësi dhe të bëhet një lloj presioni mbi ata që janë përfituesit direkt të procesit zgjedhor; dhe një tjetër fakt i rëndësishëm është se ti kupton se si funksionojnë strukturat; kupton se ku janë defektet dhe merr masa për t’i përmirësuar. Në çdo vend të botës ku ka sistem demokratik, qeveria, partitë politike, shoqëria civile apo grupet e interesit marrin përsipër që të bëjnë vrojtime dhe matjen e exit poll-eve. Në vendin tonë nuk ka traditë; kjo ka nisur kohët e fundit. Si çdo gjë e re që instalohet, ka nga ato që janë pro apo kundër dhe njerëzit nuk janë në gjendje ta kuptojnë siç duhet një gjë të tillë.
Ne kemi vënë re që forcat politike përpiqen që të orientojnë opinionin publik në fushata zgjedhjesh dhe matja është shumë e rëndësishme.
Ajo që na kërkohet ne sot është se matja e opinioneve nuk duhet të jetë një instrument vetëm në kohë fushate, por në mënyrë të vazhdueshme. Duhet të maten opinionet për një ligj, për një nismë, për një problem mjedisor, për një politikë. Këto duhet të bëhen për të rritur transparencën dhe për të përfituar komuniteti.

Kohët e fundit janë publikuar rezultatet e dy sondazheve; ai i Zogby International dhe i “Gani Bobit”. Cili është mendimi juaj për metodologjinë dhe rezultatet e tyre?

Aktualisht ne kemi disa lloj vrojtimesh. Shpeshherë, forcat politike i bëjnë vetë vrojtimet edhe për arsyet e tyre, sepse nuk i besojnë këto që ndodhin. Unë i pashë metodologjitë e përdorura nga Gani Bobi dhe Zogby International. Tek Gani Bobi, numri i individëve të vrojtuar ishte i vogël; rreth 740 të anketuar, dhe nuk kishte një shpjegim, të fortë për metodologjinë e përdorur. Tek Zogby kishte një numër më të madh, rreth 1000 veta që vrojtoheshin. Nga pikëpamja statistikore nuk mund të gjykosh për metodologjinë se cila metodë është më e saktë. Ajo që është vënë re, sidomos në metodat moderne, ka një lidhje të fortë mes opinion-matësve dhe statisticienëve; sepse statistika vetë është një shkencë probabilitare, e rastësishme, po në mënyrë që të ketë pak kosto dhe të jetë e shpejtë, përdor disa metoda bashkëkohore. Për shembull, metoda që ka përdorur Zogby është metodë që lidhet me një zonë gjeografike të caktuar; vendos një sistem grumbullim informacioni dhe shkon tek një “derë e caktuar”; sipas një metode që quhet Kish. Nga ana tjetër, përdoret një sistem me Kuota për të mos ia lënë rezultatin rastësisë në terren; p.sh., do të zgjedhësh një grua të moshës X në këtë apo atë pallat. Probabilitetin e cakton ai që bën vrojtimin. Të dyja këto metoda janë prurjet më të reja në statistikë për matjen e opinioneve, krahasuar me ato që teorisë klasike. Nga pikëpamja e metodologjisë nuk mund të themi se nuk është i mirë as vrojtimi i Gani Bobit dhe as i Zogby-t. Të dyja janë metoda që qëndrojnë mbi bazën e metodologjisë statistikore.

Por secila prej tyre ka dhënë një koeficient dhe një marzh për rezultatet e tyre, por realisht, në këto të dhëna ka paradokse. Si shpjegohet një gjë e tillë?

Në një vrojtim statistikor dy pyetje janë kryesore. E para: Sa e dua intervalin e besimit? E dyta: Për këtë interval besimi sa fonde do të jap? Unë kam përshtypjen se Gani Bobi e kishte pak më të lartë koeficientin e gabimit, ndërsa te Zogby ishte më i ulët. Një tjetër gjë me rëndësi është se një forcë politike duhet ta shikojë në vazhdimësi një gjë që ndodh në një vrojtim. P.sh. Zogby kishte një përqindje prej 19 përqindësh, që ishin të pavendosur se për kë do të votonin. Kjo është ajo që të bën që të mendon se çfarë lufte të madhe mediatike duhet të bëjnë partitë politike për të bindur të pavendosurit që të marrin votën e tyre. Tek Gani Bobi nuk kishim një përqindje të tillë. Është e natyrshme që në një fillim të një fushate zgjedhore nuk ka se si të mos ketë një përqindje të konsiderueshme personash të pavendosur. Ky element të bën që të mendosh se mënyra se si është ndërtuar pyetësori i Gani Bobit nuk është shumë i adaptueshëm për momentin. Ndërsa pyetësori i Zogby-t është më i mirë se i Gani Bobit. Pra, dy gjërat e mësipërme; nxjerrja e koeficientit të besimit dhe mënyra e ndërtimit të pyetësorit, janë shumë të rëndësishme. Nuk është e lehtë që të bësh një pyetësor.

Si i vlerësoni reagimet e partive politike, apo të grupeve të interesit për këto vrojtime?
Unë mendoj që është i tensionuar reagimi i partive politike në momentin që shpallen rezultatet. Me kalimin e kohës do të zbutet, pasi do të bëhet kulturë në realitetin e përgjithshëm politik. Do të fillosh të jetosh me atë që ky është perceptimi. Tani nuk e pranojnë një gjë të tillë. Udhëheqësit politikë që nuk janë aq shumë në terren kanë një perceptim politik, perceptimi që ata janë shumë të mirë, është shumë i fortë; ndërsa ata që lëvizin kudo, ku sheh se njerëzit kanë shumë nevoja dhe nuk e kanë mendjen aq shumë tek ti, atëherë kupton se perceptimi i krijuar është i gabuar dhe perceptimi i popullatës është më i saktë.
Unë e shoh të tensionuar lidhjen që kanë partë politike me sondazhin; por e shoh si një fazë normale që do të fillojë të zbutet; mbase jo me këto zgjedhje. Ndoshta në atë periudhë kur do të mësohemi me opinionin qytetar jo vetëm për çështjet zgjedhore, por edhe për probleme të tjera.

A janë këto vrojtime, monitorime dhe exit poll-i më shumë instrumente të përdorura nga politika, apo mjete reale të matjes së perceptimit?

Exit-poll-i nuk është instrument politik. Problemi është se a do të kemi mjaftueshëm elementë për të mos e shndërruar exit-poll-in në një instrument politik. Në zgjedhjet e kaluara, pra në vitin 2005, patën exit-poll-in e Gani Bobit dhe në zgjedhjet lokale patëm exit polle dhe monitorim zgjedhjesh. Ishte një projekt i guximshëm, i financuar nga SOROS-i, që e zbatoi ECA dhe “Mjaft”-i për të bërë monitorimin e zgjedhjeve. Në momentin që ndodhi procesi i monitorimit të zgjedhjeve në kohë reale, exit-poll-i e humbi rëndësinë e tij si instrument politik. Ne na duhet që të gërshetojmë faktet e opinion-matjes, ka exit-poll, por ka edhe monitorim zgjedhjesh në kohë reale. Shembulli më i mirë është në SHBA, që brenda pak orësh pas përfundimit të zgjedhjeve, monitorimi të tregon fituesit. Exit-poll-i nuk është instrument i rëndësishëm. Është instrument që të orienton për ta ditur se ku je në momentin e fundit.

Intervistoi: Albert Gjoka

Box 1
Sondazhi i Gani Bobit: PD-ja merr 48%

Sipas sondazhit të Gani Bobit, ku janë pyetur 747 qytetarë shqiptarë, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në dielën e parë të muajit dhjetor, PD-ja do të fitonte me 48 për qind, PS-ja do të merrte 37 për qind, LSI-ja do të merrte 6 për qind, G99-a rreth 3 për qind dhe 12 parti të tjera të vogla shqiptare do të merrnin së bashku 4 për qind.
Nëse zgjedhjet do të bëheshin në javën e dytë, PD-ja do të ketë përmirësim; ajo do të fitonte 49 për qind, e ndjekur nga PS-ja me 37 për qind, LSI-ja me 6 për qind, G99-a me 2,3 për qind dhe partitë e tjera të vogla, së bashku 3,7 për qind.
Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin javën e tretë të muajit dhjetor, PD-ja përsëri do të fitonte me 48.2 për qind të votave, e ndjekur nga PS-ja me 37,7 për qind dhe më pas nga LSI-ja me 7.1 për qind, G99-a me 2.5 për qind dhe partitë e tjera 4,5 për qind të gjitha së bashku.
Sondazhi vlerëson se PD-ja udhëheq bindshëm me një avantazh të dukshëm, i cili është i paprekshëm dhe në rritje, ndërsa PS-ja ka një ngecje, e cila nuk kalon 37 përqindëshin e votave. Një pjesë e votave kanë kaluar edhe te LSI-ja, që sipas Maliqit, “një pjesë e votave të majta kanë kaluar nga PS-ja te LSI-ja”. Shkëlzen Maliqi, përfaqësuesi i “Gani Bobit”, deklaroi se “me partitë e mëdha marzhi i gabimit nuk është më i madh se 2 për qind, ndërsa me partitë e vogla është e vështirë, pasi shumë prej tyre janë lokale, por ai shkon deri në 4 për qind.

Zogby: E vështirë të përcaktohet fituesi

Nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin më 10 shkurt të këtij viti do të ishte e vështirë të përcaktohej fituesi. Ky ishte rezultati i shpallur nga sondazhi i Zogby International, sipas së cilës, shqiptarët do të votonin 37 për qind për Partinë Socialiste; 30 për qind për Partinë Demokratike dhe 5 për qind për LSI-në.
Këto janë rezultatet e sondazhit të parë të Zogby International, kompanisë së njohur amerikane në fushën e sondazheve, që u publikua nga një media televizive kombëtare disa javë më parë. Rezultati, ndonëse i jep më shumë pikë PS-së, për Zogby-n është shumë herët për të shpallur një fitues. Por ajo që bie në sy është edhe numri i lartë i të pavendosurve, që është 19 për qind, ose një ndër çdo pesë votues. Marzhi i gabimit të tyre është 3.2 për qind.
Zogby International është një kompani amerikane e specializuar në fushën e sondazheve dhe do të bëjë disa vrojtimeve deri në zhvillimin e zgjedhjeve të 28 qershorit të vitit 2009.

25 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›