Sistemimi i jetimëve pranë familjeve kujdestare, detyrë e pushtetit vendor
Sistemimi i fëmijëve jetimë pranë familjeve kujdestare do të mbikëqyret nga pushteti vendor. Për vitin 2009-2010, kujdestaria si shërbim alternativ për fëmijët do të pilotohet në dy rrethe të vendit, Tiranë dhe Shkodër, ku rezulton të jetë dhe numri më i madh i fëmijëve jetimë. Më pas parashikohet mundësia e shtrirjes së projektit social në të gjitha rrethet. Në kategoritë sociale të shtresave në nevojë që përfitojnë ndihmë nga programet për mbështetje sociale, do të përfshihen edhe fëmijët jetimë, për të cilët parashikohet sistemimi pranë familjeve kujdestare. Kjo masë e ndërmarrë nga Ministria e Punës dhe miratuar së fundi nga Këshilli i Ministrave, lidhet me kapacitetet e kufizuara pritëse në qendrat publike për këtë shtresë, që po vjen në rritje në vitet e fundit. Zgjerimi i skemës së ndihmës ekonomike është shoqëruar me ndryshimet përkatëse të ligjit për mbështetjen e kategorive sociale në nevojë dhe ata me probleme, në të cilat parashikohet lejimi me mbështetjen e fondeve sociale për fëmijët jetimë, apo ata me probleme sociale, që do të vendosen nën kujdestari. Burime zyrtare të Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), sqarojnë se procedura e sistemimit të fëmijës jetim në familjet kujdestare, do të organizohet dhe mbikëqyret nga organet e qeverisjes vendore, të cilat ngarkohen për ngritjen e komisioneve multidisplinare për vlerësimin paraprak të rasteve. Sipas SHSSH-së, organizimi dhe funksionimi i tyre do të mbështetet në rregulloret që do të miratohen nga organet vendore. Komisionet multidisiplinare pranë organeve të qeverisjes vendore, përveç evidentimit të situatën reale të trajtimit të fëmijëve jetimë pranë qendrave të përkujdesit social, do të përcaktojnë mes tyre dhe kategoritë që do të shkojnë pranë familjeve kujdestare.
Këto familje do të mbështeten me të ardhura shtesë, me qëllim, që t’i krijojnë fëmijës një ambient sa më familjar, që do të ndihmojë në rritjen e tij pa probleme. Kriteret, dokumentacioni, procedura dhe masa e financimit të shërbimit kujdestar pritet të përcaktohet me vendim të posaçëm nga Këshilli i Ministrave. Grupet e fëmijëve që do të përfshihen në sistemin e kujdestarisë do të jenë fëmijët që gjenden në situatë kritike ekonomike dhe shoqërore, që u mohohen apo nuk u respektohen të drejtat. Të tillë janë fëmijët e familjeve më të varfra, që jetojnë me ndihmë ekonomike si dhe fëmijët që u mungon kujdesi prindëror.
25 Shkurt 2009