E Diel, 1 Nëntor 2026

Bien çmimet e lëndëve të para në bursa, në Shqipëri nuk ulet asnjë produkt

Tregtarët e hidrokarbureve e ulin çmimin vetëm 5 nga 15%

Ervin Koçi

Bursat ndërkombëtare kanë njohur ditët e fundit një rënie jo të vogël të çmimeve për artikujt kryesorë të lëndëve të para të ekonomisë botërore. Tendencën e filluar nga “ari i zi” rreth një javë më parë, e kanë ndjekur ditët e fundit edhe disa nga artikujt kryesorë që tregtohen në bursat kryesore ndërkombëtare. Ndërkohë që rënia e çmimit të naftës tashmë llogaritet në 20 për qind brenda një muaji (kulmi ishte arritur më 11 korrik, me 147 dollarë për një fuçi), shumica e lëndëve të para dhe shërbimeve bazë kanë shënuar gjithashtu, rënie gjatë këtyre ditëve. Këtu përfshihen gruri, nikeli, ari, kafshët e gjalla, si dhe tarifa e transportit detar, por nuk mbeten jashtë listës së uljes edhe shërbime të tjera të rëndësishme. Ndërkohë artikujt që kanë ruajtur çmime të larta momentalisht janë vetëm sheqeri dhe kafeja arabike. Në përgjithësi, sipas llogaritjeve të bursave, çmimet e 19 artikujve kryesorë në tregjet botërore kanë shënuar një rënie prej 15 për qind në pesë javë, ndërkohë që indeksi i çmimeve të energjetikës është në rënie edhe më të fuqishme, me rreth 20 për qind. Ekspertët e ekonomisë botërore e kanë konsideruar këtë moment si një “frymëmarrje” për ekonominë botërore në këto momente krize, duke sqaruar edhe një mori shkaqesh që kanë çuar në këto përfundime. Por edhe pse në botë çmimet e mjaft produkteve dhe lëndëve të para po pësojnë ulje, kjo gjë nuk ndjehet aspak në Shqipëri, ku të vetmet që kanë mbajtur një çmim të qëndrueshëm kanë qenë produktet bujqësore. Kjo për shkak të shtimit të prodhimit vendas gjatë sezonit veror, por nga ana tjetër ndryshe nga sa u premtua, çmimi i naftës nuk pësoi uljen e pritshme.

Çmimi i naftës

Shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë naftën dhe benzinën krahasuar me vendet e rajonit. Ulja e çmimit në shtetet fqinje ka nisur një javë më parë me rreth 10 lekë për litër mesatarisht. Ndërsa në Tiranë vetëm 2 deri në 3 për qind, ose 3 lekë për litër është ulur çmimi i naftës në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve. Nëse i hedh një sy tabelave në rrethe apo zonat bregdetare ulja e premtuar nga importuesit ende nuk është reflektuar.
Që në fund të muajit korrik dhe fillim të gushtit pothuajse në të gjitha shtetet e rajonit, si Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia, apo edhe Greqia u raportuan ulje të çmimit të karburanteve. Në qytetin e Shkupit është shënuar një ulje me 4 dinarë e çmimit të naftës dhe një litër kushton 71,5 dinarë, ose 8 lekë më pak sipas kursit të këmbimit të monedhës së huaj. Në Mal të Zi nafta dhe benzina janë shitur nga 4 deri në 6 për qind më lirë, duke kapur shifrën prej 1,30 cent për litër, ose rreth 8 cent më lirë e këmbyer kjo me 10 lekë më pak. Në Serbi e Kosovë rënia e çmimeve ka kapur të njëjtat shifra dhe nafta apo benzina në këto shtete të rajonit shitet, sipas kursit aktual të këmbimit, me rreth 150 lekë për litër, ose 20 lekë më lirë se në vendin tonë.

Cilat janë shkaqet

Sipas specialistëve të koniunkturës, çmimet e mëparshme kishin shumë spekulim mes tyre. Tani p.sh, uragani “Eduard” e mbaroi “misionin” e tij pa shkaktuar dëmin që pritej në platformat detare të naftës në Gjirin e Meksikës. Në SHBA dhe Europë po përdoren më pak automjetet këtë verë, të korrat botërore janë relativisht të mira, si rezultat i motit. Kina ndaloi të gjitha uzinat rreth Pekinit, për shkak të Lojërave Olimpike dhe ekonomia gjermane është në rënie. Të gjithë këto faktorë ulin kërkesën e përgjithshme dhe atë për lëndët e para, në veçanti. Ndërkohë, ekspertët janë skeptikë për naftën, të cilën e parashikojnë në rënie çmimi poshtë 100 USD/fuçi, vetëm në qoftë se nuk do të ndodhë një krizë në Iran. Çmimi i një fuçie naftë ishte rreth 118,18 dollarë për fuçi në bursat ndërkombëtare. Sipas statistikave amerikane shkaku ka qenë një ngadalësim i shpenzimeve të brendshme, por edhe situata politike në vend. Në bursën ndërkombëtare ulja e çmimeve të naftës bruto vazhdon prej 21 ditësh, ndërsa çmimi mesatar për një galon është më pak se 3,8 dollarë amerikanë.

BOX//////////////////////////////////
Ulja e re e çmimit të naftës, abuzimi më i fundit i tregtarëve

Çmimi i naftës, edhe pas uljes me gati 3 lekë për litër, sërish është abuzues për konsumatorët. Një llogari e thjeshtë tregon se tregtarët shqiptarë vazhdojnë të fitojnë më shumë se 10 për qind mbi tregjet botërore, edhe pas uljes së çmimit. Llogaria tregon se çmimi duhet të ulej të paktën 20 lekë, që t'i korrespondonte uljes në bursa. Por tani i ngel financave të vjelin 10 për qind më shumë tatim-fitimi nga kompanitë. Në të kundërt, ky abuzim paguhet nga konsumatorët dhe nuk i kthehet atyre nga taksat që vjel shteti. Llogaritja e ndryshimit të çmimit është shumë e thjeshtë. Rreth 1 muaj më parë, kriza e naftës arriti të rrisë çmimet deri në 145 dollarë për fuçi. Kjo përkoi me rritjen e çmimeve në Tiranë deri në 172 lekë/litër. Në atë kohë kursi i këmbimit të lekut me dollarin ishte 76 lekë për një USD. Çmimi në bursat ndërkombëtare ka më shumë se një javë që është ulur në kuotën e 120 USD/fuçi. Pra, është ulur me rreth 15 për qind. Normalisht, ashtu siç nxitojnë tregtarët të rrisin çmimin sapo rritet në bursa, edhe ulja duhet të ndodhë menjëherë. Por tregtarët reaguan pas shumë ditësh dhe dje çmimi ishte vetëm 165 lekë/litër. Ulja e ndodhur dje, prej 3-5 lekësh, është e barabartë me rreth 5 për qind. Pra, në tregjet ndërkombëtare nafta u ul me 15 për qind, ndërsa në Shqipëri, megjithëse me shumë vonesë është ulur me 5 për qind. Kjo llogari, duke i shtuar edhe efektin e kursit të këmbimit të dollarit që është rritur me 2 lekë, nga 76 në 78 lekë/USD. Pra, në rast se tregtarët e naftës i referohen bursave, çmimi duhet të ulet me 3-fishin e aktualit, ose mesatarisht me 21 lekë. Sot një litër naftë në tregun vendas duhet të shitej me 152 ose 151 lekë/litër, ku dhe tregtarët do të ruanin të njëjtën normë fitimi si disa javë më parë. Por e kundërta ka ndodhur, në botë çmimi është ulur me 15 për qind, ndërsa në Shqipëri vetëm me 5 për qind. Rritja e fitimeve në një ekonomi tregu është normale, por duhet të jenë financat që edhe këtë rritje ta taksojnë. Në rast se tregtarët fitojnë 10 për qind më shumë, edhe të ardhurat nga tatimet duhet të jenë 10 për qind më të larta.

Shkurt///////////////////////////
Leku dobësohet kundrejt dollarit, ruan vlerat me euron

Leku ka reflektuar dobësim të lehtë kundrejt monedhës së gjelbër amerikane, ndërsa qëndroi në pothuaj të njëjtat vlera në kursin e këmbimit me euron, gjatë javës (04 -09 korrik). Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fillim të javës 1 USD u këmbye mesatarisht me 77.82 lekë, ndërsa në fund të javës me 79.98 lekë. Kurse euro u këmbye mesatarisht me 121.28 lekë në fillim të javës dhe në fund të saj me 121.20 lekë. Pas një triumfi gati dy vjeçar në këmbim me kryevalutat e globit, monedha e përbashkët euro shënoi dje humbjen më të madhe të pikëve në këmbim me dollarin këto tetë vitet fundit në tregjet ndërkombëtare. Nga të dhënat e Bankës Qendrore, rezulton se gjatë kësaj jave leku ka paraqitur qëndrueshmëri dhe ndaj valutave të tjera, një situatë e favorizuar nga efektet e sezonit veror, që pritet të ndikojë në forcimin e lekut. Ndërkohë që çmimet e naftës dhe metaleve kanë pësuar rënie me forcimin e pozitave të dollarit në kursin e këmbimit, ndërkombëtar. Një fuçi naftë është shitur dje në tregjet ndërkombëtare 116 dollarë nga 118 që ishte një ditë më parë. Gjatë një dite çmimi i euros në këmbim me dollarin ka pësuar një rënie 1.9 për qind. Ekspertët shpjegojnë më së fundi se rënia e euros do të kthejë edhe njëherë vëmendjen nga dollari dhe se, politikëbërësit, përveç çmimeve duhet të kthejnë vëmendjen edhe nga rritja ekonomike. Sipas BSH-së, gjatë sezonit veror, që përkon me ardhjen e mijëra emigrantëve dhe turistëve nga Kosova e Maqedonia për të kaluar pushimet në Shqipëri, vlerat e valutave në këmbimin me lekun bien. Uljen më të ndjeshme e pëson Euro, pasi pjesa kryesore e të ardhurave në këtë periudhë vijnë nga shtete të eurozonës. Nga ana tjetër, blerja më lirë e valutave kryesore nga biznesi, veçanërisht i euros, pritet të ndikojë në uljen e çmimeve të mallrave të importit për periudhën në vazhdim.

11 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›