Bien në grackën e policisë tre persona, po trafikonin 7 kg marijuanë
KORÇË - Tre persona janë ndaluar nga shërbimet e policisë rajonale të Korçës pasi janë kapur në flagrancë duke transportuar në drejtim të Greqisë një sasi lënde narkotike. Burime zyrtare të policisë rajonale të Korçës bënë të ditur se rreth orës 01.30 të ditës së premte janë ndaluar shtetasit Jetnor Beqo, 27 vjeç, Hiqmet Maze, 45 vjeç, që të dy me banim në rrethin e Kolonjës, si dhe Pajtim Hysllari, 33 vjeç, me banim në Tiranë. Të tre këta persona janë arrestuar, pasi akuzohen për “trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Ata janë kapur në flagrancë nga shërbime të policisë në afërsi të fshatit Pobickë të rrethit të Kolonjës me 7 pako me lëndë narkotike të llojit “marijuanë”, me peshë të përgjithshme 7 kilogramë, e cila kishin si destinacion Greqinë. Policia bëri të ditur se njëri prej të ndaluarve, 45-vjeçari Hiqmet Maze, me banim në qytetin e Ersekës, ka qenë i arrestuar më parë për trafik qeniesh njerëzore. Pak ditë më parë u ndaluan edhe tre të rinj të tjerë në Korçë pasi po tentonin të trafikonin 11 kg Canabis sativa. Ndërkohë, në Kakavijë janë regjistruar disa raste 10 ditët e fundit, ku kanë rënë në pranga dy shtetas të huaj për trafikim heroine dhe marijuane drejt Greqisë.
Grekët kthejnë në kufi 30 klandestinë shqiptarë
KAKAVIJË - Të paktën 30 emigrantë shqiptarë, të cilët kishin hyrë në territorin grek në mënyrë të paligjshme, u kthyen të premten nga autoritetet greke. Jorgo Çili, përgjegjësi i turnit në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës u shpreh se “emigrantët ishin nga Shqipëria e Mesme” dhe se “dorëzimi i tyre pranë autoriteteve shqiptare u krye rreth orës 15:30”. Sipas Çilit, emigrantët e paligjshëm janë ndaluar në tokën greke nga policia lokale dhe pas qëndrimit për disa orë në dhomat e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë së Epirit (Greqi), ata kanë udhëtuar me një autobus të shoqëruar nga grupi i gatshëm. Ai shtoi se pas procedurave të verifikimit të certifikatës penale për çdo shtetas të kthyer, ata do të lihen të lirë të shkojnë pranë të afërmve të tyre. Gjatë këtij viti, autoritetet greke kanë dorëzuar pranë stacionit kufitar të Kakavijës rreth 2500 emigrantë të paligjshëm, të gjithë pa leje të përkohshme qëndrimi.
12 Prill 2008