E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret nga xhelozia bashkëshorten dhe plagos të afërmin



FIER – Rikthehet krimi në familje, ku kësaj radhe për shkak të xhelozisë, burri ka masakruar me thikë bashkëshorten e tij, ndërsa ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër në përpjekjen për të ndarë konfliktin mes çiftit. Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se Artur Çela, 47 vjeç ka qëlluar me thikë Feride Çelën, 46 vjeçe, gjatë një konflikti familjar që ndodhi në banesën e tyre në lagjen “Kadri Gjystri” në qytetin e Lushnjës. Sipas njoftimit të dhënë nga policia, ka mbetur i plagosur edhe Lirim Çela, një i afërm i autorit të krimit, pasi ai po ndërhynte për të shmangur përplasjen mes çiftit Çela. Autori i vrasjes është ndaluar në përpjekjen për t’u larguar, ndërkohë që raportohet se i lënduari, Lirim Çela ndodhet në mjediset e spitalit të Lushnjes nën kujdesin mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Vrasja
Artur dhe Feride Çela kanë nisur debatet që dje në mëngjes me njëri-tjetrin teksa ndodheshin në banesën e tyre në lagjen “Kadri Gjystri” në qytetin e Lushnjes, pikërisht në momentin kur nuk ndodhej asnjëri prej fëmijëve të tyre. Konflikti është përshkallëzuar, pasi Arturi kishte ngritur dyshimet se bashkëshortja e tij e tradhtonte. Në debat e sipër, në kushtet e gjaknxehtësisë, 47-vjeçari ka marrë thikën e bukës dhe është nisur për të qëlluar ndaj gruas së tij. Ai e ka qëlluar disa herë në trup, duke e plagosur rëndë. Në këto kushte, kushëriri i Arturit, Lirim Çela ka ndërhyrë në përpjekjen për të shpëtuar Feriden, por ka qenë e kotë, pasi thika është drejtuar edhe ndaj tij. Lirimi ka marrë disa plagë në trup, ndërkohë që autori i krimit, është larguar menjëherë nga banesa.
Arrestimi
Vetë i lënduari ka alarmuar gjithë banorët përreth, të cilët kanë njoftuar policinë. Brenda disa minutash kanë mbërritur në vendngjarje forcat e rendit, të cilët pasi kanë marrë dëshminë e Lirim Çelës, kanë transportuar drejt spitalit të Lushnjes 46-vjeçaren. Por, gruaja ka gjetur vdekjen ende pa marrë ndihmën mjekësore, pasi kishte humbur shumë gjak, si dhe kishte dëmtime të rënda në zemër për shkak të goditjeve me thikë. Burimet spitalore të Lushnjes bëjnë të ditur se shtetasi Lirim Çela ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe është nën përkujdesjen e vazhdueshme mjekësore. Ndërkohë, një grup policor është vënë në ndjekje të Artur Çelës, i cili nuk ka arritur të dalë jashtë qytetit. Në përpjekjen për tu larguar, ai është prangosur nga policia. Menjëherë pas ndalimit ai ka pranuar autorësinë e vrasjes së bashkëshortes së tij dhe plagosjes së kushëririt. Burimet policore në Drejtorinë e Policisë së Fierit bëjnë të ditur se shkak për konflikt ka qenë xhelozia e burrit ndaj gruas. Ndaj Artur Çelës rëndon akuza e “vrasjes me dashje”. Policia po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›