Ndalohen jashtë shtetit katër të shumëkërkuar
TIRANË - Katër persona, të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia shqiptare, janë ndaluar 24 orët e fundit në kryeqytetet europiane, Athinë, Bruksel dhe Romë, si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me homologet e saj të huaja, bëri të ditur të premten, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Kështu, forcat e policisë greke ndaluan në Athinë shtetasin Agim Xhambazi, me banim në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “trafikimit të të miturve”. në Bruksel forcat e policisë ndaluan shtetasin Dritan Xhelita, nga Vlora, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, e ka dënuar me 18 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “vrasjes në rrethana cilësuese, e mbetur në tentativë”. Ndërkohë, autoritetet policore italiane mundësuan ndalimin e shtetases Lena Gjoni, nga Lezha, e cila ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për “vrasje me paramendim”, si dhe shtetasin Petrit Osmeni, nga Fieri, i dënuar nga Gjykata e këtij rrethi me 9 vjet heqje lirie për veprën penale të “kryerjes së marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitura, më shumë se një herë”.
12 Prill 2008