E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet 5 kg heroinë dhe përzierës, dy në pranga



TIRANË - Forcat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë, finalizuan mbrëmjen e të enjtes, operacionin e koduar “Pashaj”, duke bllokuar në Tiranë rreth 5 kilogramë lëndë narkotike e llojit heroinë dhe përzierës droge, si dhe arrestimin e dy persona si zotërues të saj. Policia e Shtetit, përmes një deklarate për mediat, bëri të ditur të premten se gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit; Spartak Zejneli, 37 vjeç, banues në Tiranë dhe Altin Balla, 29 vjeç, banues në Shijak, të cilët u kapën duke transportuar rreth 5 kg lëndë narkotike, (2 kg dyshohen se janë lëndë narkotike e llojit heroinë dhe 3 kg dyshohen se është përzierës lëndësh narkotike). Bëhet e ditur gjithashtu se nga hetimet paraprake, është evidentuar fakti që këta dy persona zhvillonin veprimtari kriminale të shitjes së lëndëve narkotike. Aktet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve, i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.

Ekstradohet nga Greqia një i dënuar me 5 vjet burg për vjedhje

TIRANË - Një person i shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare për vjedhje në bashkëpunim, është ekstraduar të premten nga Greqia. Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit thanë për gazetën “Albania” se Interpol Tirana realizoi ekstradimin nga Athina të shtetasit, Shpëtim Berberi, 39 vjeç, lindur dhe banues në Devoll. Sipas burimeve të policisë, 39 vjeçari Berberi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi gjykata e rrethit gjyqësor në Korçë, me vendimin nr. 199, datë 08.07.2003, e ka dënuar me 5 vjet heqje lirie, për veprën penale të “vjedhjes, e kryer në bashkëpunim”, vendim ky i lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Korçë. Bëhet e ditur gjithashtu se arrestimi dhe ekstradimi i këtij shtetasi, erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol-Tiranës dhe Interpol Athinës. Në aeroportin e Rinasit personi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

12 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›