E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, konflikti për pronën i merr jetën një 60-vjeçari

 

SHKODER - Konflikti për pronat i merr jetën e një 60-vjeçari në Shkodër. Ngjarja ndodhi dje, rreth orës 18.00 në fshatin Benë të komunës Shllak, rreth 70 kilometra larg qytetit. Sipas policisë, viktima është Prendush Podja. Mësohet se 60-vjeçari ishte në konflikt pronësie me bashkëfshatarin e tij, Pashuk Marjakaj. Viktima ka shkuar dje në shtëpinë e autorit të dyshuar të vrasjes, për t'u sqaruar edhe një herë në lidhje me pretendimet e të dy palëve mbi një sipërfaqe toke. Sherri dhe debatet kanë vazhduar edhe në oborrin e shtëpisë së 50-vjeçarit Marjakaj. Në fillim debati nisi me fjalë, por pas fyerjeve Marjakaj është futur brenda në shtëpi dhe ka marrë armën. Ai qëlloi disa herë me kallashnikov viktimën duke e lënë të vdekur në vend. Pas ngjarjes, autori është larguar në drejtim të paditur për t'u shpëtuar prangave. Policia mbërriti disa orë me vonesë në Benë, për shkak se ky fshat është shumë i thellë dhe mungojnë të gjitha mundësitë e komunikimit. Sipas burimeve policore të Drejtorisë së Shkodrës bëhet e ditur se në bashkëpunim edhe me forcat e FNSH-së në Shkodër kanë nisur kërkimet për autorin e dyshuar të kësaj vrasjeje. Rreth 1 javë më parë një tjetër krim tronditi Shkodrën, ku një 50-vjeçar mbeti i vrarë në një atentat. Autorët e krimit dhe motivet që çuan në ekzekutimin e Enver Hysenit janë ende mister.       r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›