E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oficeri: S’doja të vrisja ish-kolegun

 

Dashamir Biçaku

Lirohen dy oficerët e RENEA-s, të shoqëruar në policinë e Tiranës pas vrasjes së një ish-kolegut të tyre një kazino pranë Stacionit të Trenit. I vetmi i ndaluar për ngjarjen, ka qenë Kastriot Stojani, i cili sipas burimeve të policisë gjatë marrjes në pyetje, ka shprehur keqardhje të thellë për ngjarjen dhe pendesë për atë që mund të konsiderohet vrasje e ish-kolegut të tij Muharrem Lita. Pasi është bërë lirimi i dy oficerëve të tjerë hetuesit kanë verifikuar se ata kanë qenë vetëm dëshmitarë dhe kanë pasur rol anësor në ngjarje, sepse janë munduar të qetësojnë situatën. Ndërkaq i arrestuari për ngjarjen Kastriot Stojani, ka pohuar për hetuesit e policisë së Tiranës, se nuk e ka pasur qëllim të kryejë vrasjen e ish-efektivit të policisë, Muharrem Lita. Oficeri i RENEA-s Kastriot Stojani, ka treguar se gjithçka ka ndodhur në rrethana aksidentale, gjatë konfrontimit të tij me Muharrem Litën, i cili prej disa ditësh frekuentonte sallën e lojërave të fatit në afërsi të Stacionit të Trenit. Thuajse të njëjta kanë qenë edhe deklarimet e personave të tjerë të shoqëruar nga policia, të cilët janë pyetur për rrethanat e ngjarjes. Po kështu edhe dy kolegët e oficerit Kastriot Stojani, dëshmitarë në vendin e ngjarjes, kanë pohuar se viktima ishte konfrontuar me ta edhe pse vetë ata ishin munduar të bisedonin me të dhe ta qetësonin ish-policin, që kishte humbur 80 mijë lekë të reja në kazino. Konfrontimi i tij me personat që ruanin rendin dhe qetësinë në sallën e lojërave të fatit, provohet edhe nga një plagë e marrë nga oficeri Kastriot Stojani në syrin e tij të majtë. Kjo sipas ekspertëve të policisë dhe hetuesve të ngjarjes, tregon se viktima Muharrem Lita, 45 vjeç, është konfrontuar me efektivët e RENEA-s dhe më pas me Kastriot Stojanin. Në grindje e sipër sipas deklarimeve të dëshmitarëve të tjerë, ka pasur një konfrontim fizik mes palëve, duke sjellë edhe vdekjen e lojtarit të kazinosë. Sipas hetimit, Muharrem Lita prej disa ditësh ishte përfshirë në lojën e kumarit që zhvillohej në sallën e lojërave të fatit pranë Stacionit të Trenit në Tiranë. Prej gati një jave, ai kishte humbur një shumë prej rreth 3 mijë eurosh. Ditën e fundit ai sipas burimeve ka humbur rreth 800 euro, çka e kanë inatosur ish-oficerin e policisë. Në momentin që ka filluar të godasë e të thyejë kompjuterët, punonjësi i kazinosë është munduar ta ndalojë por ka qenë e kotë. Edhe punonjësit e kazinosë kanë pohuar se ditët e fundit, 45-vjeçari Muharrem Lita kishte luajtur shumë aty dhe kishte humbur. Sipas policisë, mbrëmjen e të premtes, ai kishte nisur të dëmtonte makinat elektronike kur personat që ishin caktuar të ruanin rendin në kazino, janë munduar të bisedojnë me të. Madje mësohet se ata i kanë premtuar atij t'i kthenin një pjesë të parave të humbura dhe gjithçka mund të ishte si më parë. Në këtë kohë, sipas dëshmive të administruara në dosje, viktima ka nisur të konfliktohet me Kastriot Stojanin, duke i shkaktuar këtij të fundit një plagë me sende të forta në pjesën e syrit të majtë. Si pasojë e përplasjes fizike, ndërsa në grindje e sipër Muharrem Lita ka mbetur i vdekur me një plumb në kokë. Kazinoja në të cilën ndodhi ngjarja, ishte e mbyllur, ndërsa dera kryesore e saj ishte e mbuluar me një letër plastikë të bardhë. Po ashtu, dje në Bathore të Kamzës, familja dhe të afërmit e Muharrem Litës, i kanë dhënë atij lamtumirën e fundit.

Kush ishte ish-oficeri i policisë Muharrem Lita

TIRANE - Muharrem Lita, i vrarë mbrëmjen e të premtes në një kazino pranë Stacionit të Trenit, deri në vitin 2002 ka shërbyer në radhët e Policisë së Shtetit. Dhe në këtë kohë ai kishte punuar thuajse në të gjithë sektorët e Policisë së Shtetit. Ndërkaq, në vitin 2002 ai la radhët e policisë për t'iu përkushtuar aktivitetit privat, duke hapur një subjekt tregtar. Gjatë kësaj kohe, ai mësohet se është marrë me ndërtime dhe me një subjekt të prodhimit të mobilierive. Madje, kohët e fundit kishte kërkuar sërish të futej në radhët e policisë. Ai ka pasur një karrierë të gjatë në sektorë të ndryshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa pas kësaj ishte larguar nga detyrat në këtë fushë për shkaqe ende të panjohura.

Bllokohen 3 armët, ekspertizë për vrasjen

TIRANE - Dy efektivët e forcave speciale janë lënë të lirë nga policia, pasi është provuar se nga armët e tyre nuk është kryer qitje. Ekspertët kriminalistë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe të Institutit të Policisë Shkencore, kanë provuar se qitja e vetme është kryer nga arma e Kastriot Stojanit. Kjo sipas policisë ka provuar edhe faktin se ata nuk kanë qenë të përfshirë, në konfliktin dhe konfrontimin fizik me Muharrem Litën, apo të kenë qëlluar me armë kundrejt tij. I vetmi sipas tyre hetimit është Kastriot Stojani, por edhe ai në një mënyrë aksidentale ndërsa ka shprehur keqardhjen përpara punonjësve të policisë për çfarë ka ndodhur aty. Mësohet se me urdhër të Prokurorisë, armët e tre oficerëve ishin bllokuar me qëllim kryerjen e ekspertimeve dhe këqyrjes së tyre për llogari të zbardhjes së rrethanave në të cilat ndodhi ngjarja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›