Mbeten në burg tregtarët e arit,i detyrohen Tatimeve 6 mijë euro
TIRANE - Dy tregtarët e floririt të arrestuar në operacionin "Ora e florinjtë", do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve sipas kërkesës së Prokurorisë, ndërkohë dëmi që këta i kanë sjellë shtetit llogaritet në vetën 6 mijë euro. Veç përgjysmimit të sasisë së floririt të kapur dy tregtarëve, Prokuroria u ka zbutuar atyre edhe akuzën duke i akuzuar vetëm për shmangie të detyrimeve tatimore, përsa i përket përpunimit të një sasi floriri prej rreth 35 kilogramësh. Sipas Prokurorisë, dy vëllezërit Astrit dhe Genci Lamçe, akuzohen të kenë shkelur ligjin 9712, për TVSH-në. Ose e thënë ndryshe ata duhet të paguanin 20 për qind të vlerës që i ishte shtuar floririt pas përpunimit, pa llogaritur këtu vlerën e arit të papërpunuar. Ndërsa, përsa i përket vlerës së floririt të importuar organi i akuzës ka pohuar se, në legjislacionin shqiptar prej disa kohësh është hequr detyrimi doganor. Kjo si një nismë për të importuar dhe depozituar sasi sa më të mëdha ari në vend. Kjo vlen vetëm për vendet me të cilët Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asoocimit, si dhe vendet e tjera me të cilat vendi ynë ka nënshkruar marrëveshje të tregtisë së lirë. Ndërsa mbrojtësi i dy tregtarëve Lamçe sqaroi se problemi që kishin klientët e tij duhet të zgjidhje civilisht midis tyre dhe Drejtorisë së Tatim- Taksave, ndërsa ishte e tepërt ndërhyrja e Prokurorisë dhe policisë në këtë çështje. Sipas avokatit, dy klientët e tij nuk kanë kryer vepër penale. Pas kësaj mbrojtësi kërkoi ndaj tyre një masë më të lehtë sigurie. Vetë të pandehurit pohuan para gjykatës se një pjesë të mirë të floririt e kanë trashëguar nga një shoqëri e mëparshme ku kanë qenë aksionerë deri në vitin 2005. Ndërsa më pas ata kanë nisur vetë tregtinë, por gjithmonë pa u marrë me kontrabandë, pasi sipas tyre nuk ishte e nevojshme për shkak se detyrimi doganor për floririn është "zero". Sipas njoftimit zyrtar të policisë, dy vëllezërit Lamçe u kapën në banesën e tyre, në rrugën "Vaso Pasha" në kryeqytet me një sasi e konsiderueshme floriri dhe parash, gjatë operacionit policor të koduar "Ora e florinjtë", ku fillimisht u fol për rreth 200 kg, por që më pas u përgjysmua në 109.06 kg. Ndërkohë atyre iu kapën: 210 mijë euro; 1.5 milionë lekë të reja; 500 USD si dhe ambalazhe dhe etiketa të firmave të njohura. Ndërsa, rezultoi i pavërtetë lajmi se dy lingotat e arta, që iu kapën atyre të kishin origjinën nga thesari i shtetit i vjedhur në Kërrabë në vitin 1997. fa.ma.