E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien normat e interesit. Bankat me pak para per depozitat

Normat e interesit për depozitat bankare kanë ardhur gjithnjë e në rënie duke bërë që klientët të fitojnë më pak nga kursimet e tyre. Raporti më i fundit i Bankës Qendrore jep të dhënat krahasuese për 4 vitet e fundit, ku dhe vihet re tendenca e tregut bankar.

Interesat kanë ardhur në ulje në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha llojet e depozitave dhe monedhave. Për lekun për depozitat me afat 24 mujor, mesatarisht interesi në 2009 ka qenë 7.58%, ndërsa në maj të këtij viti ishte 6.71%. I njëjti trend është vënë re dhe për depozitat 12, 6 dhe 3 mujore në monedhën vendase.

Në 2008, sipas Bankës së Shqipërisë normat mesatare të ponderuara të periudhës për depozitë 12 mujore ishin 6.86%, ndërsa në majin e këtij viti i njëjti tregues ishte 5.87%.

Më shumë rënie është regjistruar për euron, ku në 2008 norma mesatare e ponderuar për depozitat një vjeçare ishte 4.7%, ndërsa në maj të këtij viti ishte vetëm 3% ose 1.7%  më e ulët. Bankat në Shqipëri kanë aplikuar këtë politikë dhe për depozitat në dollarë, duke i bërë kështu më pak tërheqëse depozitat bankare.
Në tregun shqiptar operojnë 16 banka të nivelit të dytë.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›