E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bien pllakat e betonit, vdes punëtori, plagoset rëndë kolegu

• TIRANE - Një punëtor humbi jetën, ndërsa një tjetër koleg i tij është plagosur rëndë gjatë punës për ndërtimin e një godine 3-katëshe në Domje, periferi e Tiranës.Lin Voci, 45 vjeç, ka mbetur i vdekur në vend për shkak të rënies së pllakave që po transportoheshin drejt kateve të sipërme të godinës në ndërtim. Kolegu tjetër i tij, Isa Lama, 41 vjeç, ka marrë dëmtime serioze në shpinë dhe në kokë, duke pësuar fraktura të rënda. Menjëherë pas ngjarjes policia shoqëroi në komisariat pronarin dhe përgjegjësit e punimeve të godinës, për të sqaruar shkakun e ngjarjes. Të dy punëtorët u dërguan në spital me shpresën se mund të shpëtonin. Ngjarja ka ndodhur paraditen e djeshme rreth orës 09:35 minuta, kur policia është njoftuar nga Spitali Ushtarak për mbërritjen e një personi të vdekur dhe një të plagosuri në gjendje të rëndë. Një grup i gatshëm i Komisariatit nr.3 ka mbërritur në spital, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar një grup hetuesish dhe ekspertësh të Drejtorisë së Tiranës dhe Komisariatit nr.5. Dy punëtorët e aksidentuar rëndë, mësohet se janë dëmtuar nga rrëshqitja e një sasie pllakash, të cilat iu kanë rënë atyre në kokë dhe në shpinë duke u shkaktuar dëmtime të rënda. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar zonën pranë godinës ku po punohej në fshatin Domje të Tiranës, në krahun e djathtë të autostradës Tiranë-Durrës. Hetuesit kanë pyetur dëshmitarë dhe persona të tjerë që kanë qenë në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi aksidenti. Nga veprimet paraprake të kryera nga specialistët e hetimit, është mësuar se ngjarja ka qenë aksidentale. Gjithsesi burimet e policisë pohuan se pas përfundimit të pyetjes së të gjithë dëshmitarëve ata do të nxjerrin konkluzionin mbi shkakun e aksidentit që i mori jetën një punëtori dhe plagosi rëndë kolegun e tij.                    d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›