E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të dehurit rrahin imamin e xhamisë

• SHKODER - Tre të dehur fyejnë dhe dhunojnë imamin e xhamisë së Kirasit në qytetin e Shkodrës.Një incident i rëndë i ndodhur 1 javë më parë është bërë publik ditën e djeshme, kur policia ndaloi autorët. Ata janë lënë të lirë pas marrjes në pyetje, për t'u ndjekur penalisht me akuzën e "fyerjes dhe dhunës" të besimtarit dhe praktikuesit të fesë myslimane në Shkodër. Sikurse mësohet nga njoftimi zyrtar i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Shkodër, paraditen e djeshme është bërë e mundur kapja e shtetasve Shkëlzen Grizha, 37 vjeç, Ylli Bregu, 30 vjeç si dhe Artan Laçi, 37 vjeç, të tre lindur e banues në Shkodër. "Kapja e këtyre personave është bërë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 7 mars 2008 kanë fyer dhe goditur me sende të forta shtetasin Dritan Rrahmani, 30 vjeç, me detyrë imam në xhaminë e lagjes Kiras në Shkodër", u theksua nga policia e qarkut. Nga hetimet ka rezultuar se të tre personat ishin në gjendje të dehur kur pranë tyre ka kaluar imami i Xhamisë, i cili menjëherë është bërë shënjestër e fyerjeve të tyre. Edhe pse imami është munduar që t'u shmanget atyre, të dehurit kanë filluar ta godasin imamin me objekte rrethanore dhe më pas janë larguar me shpejtësi për në drejtim të paditur. Pas kësaj ngjarjeje, imami i është drejtuar policisë së qytetit për kallëzim penal. Që prej asaj dite nisën hetimet për të zbardhur identitetin e autorëve. Sipas dëshmisë së bërë nga Rrahmani dhe përshkrimit për agresorët, policia bëri identifikimin dhe shoqërimin e tre banorëve të qytetit. Nga ballafaqimi me denoncuesin ata kanë pranuar ngjarjen e ndodhur, por nisur nga fakti se ishin të alkoolizuar dhe jo të vetëdijshëm. Policia ka formuluar akuzën ndaj tyre dhe pas marrjes së deklaratave dhe për shkak të plagëve të lehta të imamit, vendosi hetimin e tyre në gjendje të lirë, ndërsa materialet i kaluan prokurorisë. Kjo ngjarje është cilësuar si e paprecedent më parë, kur objekt i dhunës bëhet një përfaqësues i fesë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›