Shkarkimet, 200 abuzime në Hipoteka
• Fadil Kaloshi, kryeregjistruesi i Tiranës dhe nëntë vartësit e tij do të hetohen për rreth 200 shkelje të kryera gjatë viteve 2004-2007.Fatos Mahmutaj Këtë fakt e pohuan dje burime të Ministrisë së Drejtësisë, sipas të cilave numri i të shkarkuarve në zyrën vendore të Hipotekës Tiranë është 10. Shtatë personave të pushuar nga puna dy ditë më parë, përfshi edhe kryeregjistruesin e Tiranës, u shtohen edhe tre specialistë të tjerë, largimi i të cilëve është bërë vetëm pak ditë më parë. Ndërsa burime nga Hipoteka pohojnë se ankesat e qytetarëve të shumtë kanë mbërritur deri te kryeregjistruesi Arben Qirjako, i cili ka urdhëruar në fund të vitit të kaluar kontrollin e imtësishëm të ZRPP-së Tiranë. Raporti i kontrollit, dalë pas këtij inspektimi, për periudhën maj 2004 - korrik 2007, ka evidentuar mangësi në zbatimin e kuadrit ligjor nga ana e kësaj zyre. Sipas raportit puna për zbatimin e procedurave tekniko-ligjore për regjistrimin e pasurive të paluajtshme nuk është përmirësuar.Raporti Raporti ka evidentuar se ka mangësi në punën e ZVRPP-së Tiranë, sidomos në drejtim të përpunimit dhe qarkullimit të dokumentacionit ligjor, rrjedhojë kjo e papërgjeshmërisë së disa punonjësve, të cilët me veprimet e tyre kanë cenuar ligjin. Raporti bën përgjegjës për mangësitë organizimin e dobët të punës nga ana e drejtuesit të zyrës. "Duke marrë shkak nga përfundimet e këtij raporti me propozim të kryeregjistruesit të Zyrës Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ministri i Drejtësisë urdhëroi shkarkimin e regjistruesit të kësaj zyre, Fadil Kaloshi", thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë. Ministria e Drejtësisë pohon se shkeljet e gjetura nga Sektori i Kontrollit Tekniko-Ligjor janë të ndryshme, por më të rëndat janë ato që kanë të bëjnë me regjistrimin e pronave me vendime të falsifikuar të gjykatës. Më tej inspektimi kishte evidentuar një pjesë të mirë shkeljesh që kanë të bëjnë me mbivendosje pronash apo regjistrime hapur në kundërshtim me ligjin. Në njoftimin e djeshëm zyrtar ministria pohoi se tashmë ka nisur në prokurori të gjithë dokumentacionin e duhur në ngarkim të të shkarkuarve për t'i marrë nën përgjegjësi penale.Abuzimet Sipas burimeve nga Hipoteka, mënyra mbi të cilën kishin përfituar abuzuesit ishte ajo e regjistrimit të pronave në zonën ku punohet ende me sistemin hipotekor, pra ende me regjistra letre. Ndërsa në dy zonat e kryeqytetit ku pronat tashmë janë dixhitalizuar është e vështirë të bëhen mbivendosje apo të abuzohet me to. Specialistët e ZRPP-së, duke përfituar nga kaosi që krijonte puna që kryhet me regjistra letre, kanë lëshuar certifikata pronësie të shumta duke mbivendosur sipërfaqe toke në zonat më të lakmuara në kryeqytet. Tashmë pas pushimit nga puna të kreut të ZRPP-së së Tiranës dhe nëntë vartësve të tij, do merret si masë paraprake bllokimi i të gjitha procedurave të kryera nga ata në mënyrë që të verifikohen dhe të korrigjohen shkeljet ligjore që mund të kenë kryer. Këto veprime pritet të kryhen javën e ardhshme, kohë gjatë së cilës pritet të zëvendësohen 9 specialistët e shkarkuar të Hipotekës dhe regjistruesi i kryeqytetit. Ministria pohoi dje se shkarkimi i tyre nuk e ka ngadalësuar ritmin e punës, pasi qytetarët kanë vazhduar të aplikojnë në sportelet e këtij institucioni. Apeli lë në qeli oficerin e SHKB-së dhe regjistruesin TIRANE - Gjykata e Apelit e kryeqytetit vendosi dje të linte në fuqi masën e sigurisë "burg pa afat" të vendosur dy javë më parë për specialistin e Hipotekës, Artan Mehmeti, oficerin e SHKB-së së policisë së kryeqytetit, Dali Hakorja dhe të akuzuarin si sekser Halil Hima. Ndërkohë dy ditë më parë kjo gjykatë la në fuqi masat e sigurisë për tre të akuzuarit e tjerë të operacionit "Furtuna"; Ramiz Hyka, Enton Babameto dhe Veiz Senko. Para trupit gjykues këta pohuan se ishin të pafajshëm dhe se organi i akuzës nuk kishte arritur të gjente prova në ngarkim të tyre, por thjesht pretendime të pabazuara në ligj. Oficeri i policisë, Hakorja, përsëriti se sipërfaqja 14 mijë metër katrorë tek ish-parku i autobusëve, për të cilën ishin arrestuar, ishte pronë e tij e trashëguar nga i ati. Ai tha se edhe nëse prona e tij ishte mbivendosur, atëherë kjo përbënte objektin e një procesi civil në gjykatë dhe jo penal. Tre specialistët e Hipotekës, ish-oficeri i policisë dhe dy sekserët u prangosën pasditen e 26 shkurtit të këtij viti në bazë të urdhër-arresteve të lëshuar nga gjykata dhe prokuroria. Pas kësaj gjykata vendosi masën e sigurisë "burg pa afat". Vetë të pandehurit e mohuan akuzën, kurse mbrojtësit e tyre e dërguan çështjen në Apel, ndërsa dje thanë se do paraqisnin rekurs në Gjykatën e Lartë. fa.ma.ElbasanVetëm pak ditë më parë në Elbasan u shkarkua regjistruesi i këtij rrethi dhe tre vartës të tij, të cilët inspektimi i kryer nga Sektori i Kontrollit Tekniko-Ligjor i gjeti me shkelje të shumta të kryera gjatë vitit të kaluar. DenoncimetPas shkarkimit të regjistruesit të ZRPP-së së Tiranës, Ministria e Drejtësisë pohoi se ndaj tij dhe 9 vartësve të tij janë depozituar në prokurorinë e kryeqytetit 4 kallëzime penale nga qytetarë të ndryshëm, për abuzime me pronat e tyre. Pas ankesave u urdhërua kontrolliTIRANE - Kontrolli që zbuloi rreth 200 shkelje në Hipotekën e Tiranës u urdhërua nga kryeregjistruesi shqiptar Arben Qirjako, pas ankesave të shumta të qytetarëve. Një grup specialistësh të Sektorit të Kontrollit Tekniko-Ligjor nisën inspektimin e dokumentacionit të kësaj zyre duke filluar që nga maji i vitit 2004 dhe vazhduan deri në regjistrimet e bëra në gusht 2007. Pas kësaj ekipi i kontrollit administroi edhe observacionet e paraqitura nga specialistët e Hipotekës dhe regjistruesi i Tiranës, Fadil Kaloshi, të cilat ia përcollën bashkë me raportin përfundimtar kryeregjistruesit shqiptar Arben Qirjako. Në bazë të kësaj ky i propozoi dy ditë më parë ministrit Alibeaj shkarkimin e Kaloshit. Pas kësaj, Qirjako shkarkoi nga detyra edhe gjashtë vartës të Qirjakos, ndërkohë pak ditë më parë kishte shkarkuar edhe tre të tjerë. f.m.