Ryshfet për patentat në Tiranë, 5 zyrtarët kapen në sy të kursantëve
• TIRANE - Pesë persona të akuzuar për korrupsion dhe mitmarrje me dhënien e patentave u arrestuan dje në mbrëmje nga policia me urdhër të Njësisë Task-Force në Prokurorinë e Tiranës.Dy anëtarë të komisionit të testimit teorik të patentave u arrestuan pasi akuzohen për dhënie të dëshmive të aftësisë për drejtim mjeti me anë të ryshfetit. Në pranga kanë rënë edhe dy instruktorë dhe pronari i një autoshkolle. Aksioni i prokurorisë dhe policisë i zhvilluar gjatë mbrëmjes së djeshme, është koduar me emrin "Gërshëra e Ligjit". Lajmi është konfirmuar nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilat thanë se të arrestuarit akuzohen për veprime korruptive të kryera prej së paku dy vitesh. Emilian Kahu dhe Sokol Breca, janë dy anëtarët e komisionit të testimit teorik të patentave të akuzuar për korrupsion e mitmarrje nga kursantët që kërkonin pajisjen me patenta, duke paguar nën dorë deri në 35 mijë lekë të reja. Pronari i autoshkollës "Universi VIP", Kadri Dajçi, si dhe dy instruktorët e tij, Qazim Hoxha dhe Jonuz Meshi, u arrestuan me akuzën e dhënies së ryshfetit. Autoshkolla u garantonte klientëve të saj se mund ta merrnin patentën pa hyrë në kurs ose në testimin teorik dhe praktik. Në këmbim të kësaj, klienti duhej të paguante shumën prej 35 mijë lekë reja autoshkollës për kursin dhe për përgatitjen e dosjes. Pjesën tjetër prej 35 mijë lekësh, kandidatët për të drejtuar automjetet duhej t'ia jepnin dy anëtarëve të komisionit. Pagesa kryhej nëpërmjet pronarit të autoshkollës si dhe prej instruktorëve, të cilët hynin në zyrat e dy komisionerëve. Oficerët dhe agjentët e zyrës së antikorrupsionit i kanë kapur personat në momentin që po merrnin paratë. Arrestimet mësohet se janë kryer në sy të shumë kursantëve dhe në prani të zyrtarëve të Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor dhe drejtuesve të autoshkollave. Një veprim i tillë duket se është kryer në mënyrë të qartë, për të treguar se si mund të përfundojnë personat e përfshirë në afera korruptive. Gjatë kontrollit fizik të personave, policia ka bllokuar 7 milionë lekë të vjetra të arrestuarve. Kjo shumë mendohet se është përfituar nga kursantët e shkollës "Univers VIP". Zyrtarët e patentave, sipas policisë, akuzohen për korrupsion dhe mitmarrje të personave që ushtrojnë funksione publike.