E Diel, 1 Nëntor 2026

Bien vizat, tani drejt Evropës vetëm me pasaportë

Në përgjithësi, dita e parë shkoi mirë, por vlen të theksohet se tashmë qytetarët e Shqipërisë nuk do të dergjen nëpër dyer ambasadash për të marrë një vizë, e në shumë raste duke u kthyer mbrapsht prej andej.

Tashmë, duke patur vetëm një pasaportë biometrike si dhe disa garanci, si sigurimi shëndetësor, vendqëndrimi dhe bileta e kthimit, çdo qytetar mund të kalojë lehtësisht traun që ndan kufijtë.

Që prej orës 00:01 të 15 dhjetorit, hyri në fuqi vendimi i shumëpritur për heqjen e vizave. Ishin disa persona që zgjodhën pikërisht këtë orë për të kaluar kufirin tokësor në drejtim të Greqisë. Deri në orën 6 të mëngjesit të sotëm nga pika kufitare e Kapshticës kaluan kufirin për në Greqi 110 shtetas.

Por, situata ka qenë pak më e ndërlikuar në Kakavijë, pasi gjatë këtyre orëve kaluan vetëm dy persona dhe rreth 20 të tjerëve iu refuzua hyrja për shkak të mungesës së një dokumentacioni, si dokumenti i sigurimit, etj.

Ndërsa në aeroportin e Rinasit, avioni i parë u nis në orën 04:30 minuta në destinancion Vjenën e Austrisë. Në këtë pikë kalimi ajror, gjatë këtyre orëve kanë kaluar 130 shtetas, duke përdorur vetëm pasaporta. Në Portin e Durrësit deri në orët e pasdites të së mërkurës, kanë kaluar tre shtetas, teksa të tjerë tragete priten të lundrojnë drejt Italisë.

Gjatë kalimit përtej kufirit, qytetarët do t’i përgjigjen një pyetësori të thjeshtë. Megjithëse pritej një fluks i madh udhëtarësh, deri më tani situata është tejet normale. Lëvizjet pothuajse janë të zakonshme me ditët më parë, por ndryshimi ishte që kalimet e sotme në kufi nuk kishin të njëjtat procedura si më parë.

Janë gjithsej njëzet e shtatë vende dhe konkretisht: Austri, Belgjikë, Bullgari, Danimarkë, Estoni, Finlandë, Francë, Greqi, Gjermani, Holandë, Hungari, Islandë, Itali, Letoni, Lituani, Luksemburg, Maltë, Norvegji, Poloni, Portugali, Qipro, Çeki, Rumani, Sllovaki, Spanjë, Suedi dhe Zvicër.

Vetëm në dy prej vendeve të BE-së, si Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda nuk janë të përfshira në marrëveshjen “Shengen”, ndaj për të shkuar në këto vende duhet pajisja me vizë. Ashtu sikurse është thënë edhe më parë, qëndrimi në secilën prej vendeve të mësipërme mund të zgjasë deri në tre muaj.

Pas këtij afati çdo kush që shkel rregullin mund të dëbohet nga vendi ku ndodhet e për pasojë mund t’i humbasë e drejta për të udhëtuar në të gjitha vendet për 5 vite ose mund të gjobiteni deri në tre mijë euro. Përveç afatit 90 ditor, çdo shtetas nuk mund të kërkojë punë, nuk mund të studiojë, nuk duhet të shkaktojë probleme për sigurinë publike, nuk duhet të kërkojë strehim, etj.

/Saimir Lleshi/Start/

                                                                                             2010-12-15 16:37
  [ 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›