E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjuhëtarët rishikojnë shqipen standarde të ’72-shit

/* */

Përgjatë tri ditësh, gjuha shqipe do të mbledhë kokë më kokë gjuhëtarë e studiues nga Shqipëria, Kosova, por dhe katedra të tjera albanologjie nëpër Europë, si Mynih, Bernë, etj. “Shqipja në etapën e sotme: Politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit”, kjo është tema e konferencës tri ditore, e cila do të zhvillohet në datat 15, 16, 17 dhjetor, si një nismë e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike. U bënë vite tashmë që mes gjuhëtarësh e studiuesish debatohet mbi gjuhën standarde. Janë të shumtë ata që thonë se njehsimi i gjuhës në Kongresin Drejtshkrimor të ’72-shit i ka bërë një dëm të madh shqipes, duke favorizuar një dialekt e duke bishtnuar tjetrin. Çështja merr edhe karakter politik, duke e justifikuar përzgjedhjen e dialektit toskë në themel të standardit, me parapëlqimin e udhëheqësve komunistë, apo troç me thënë, të ish-diktatorit Enver Hoxha që ishte nga Gjirokastra. Ndërsa gjuha e Fishtës, e Mjedës, Koliqit e Migjenit, dialekti gegë u la në harresë. Gjuhëtarët shtrojnë nevojën për rishikimin e standardit. Ka nga ata që janë radikalë e propozojnë një ndryshim themelor, të tjerë janë për hapjen e gjuhës kundrejt pasurisë dialektore... Hapja e gjuhës është një kërkesë e kohës, e kushteve të reja në të cilën ndodhet Shqipëria, por edhe Kosova. Të gjitha këto debate dhe propozime, të cilat më së shumti janë shtruar në rrugë mediatike por jo rreth një tryeze serioze, do të diskutohen shtruar dhe në mënyrë shkencore në konferencën që merr rrugë ditën e mërkurë.
Konferenca
Seanca e parë që nis ditën e mërkurë do t’i kushtohet temës: “Historia e formimit të standardit. Standardi dhe legjislacioni”. Akademiku shqiptar Bahri Beci do të na sjellë pak histori mbi standardizimin e shqipes, akademiku kosovar Rexhep Ismajli do të mbajë një kumtesë mbi politikat gjuhësore, gjuhëtari Seit Mansaku do të sjellë “Nga gjuha letrare kombëtare te gjuha standarde”, drejtuesi i Katedrës së Albanologjisë në Mynih të Gjermanisë, Bardhyl Demiraj do të referojë temën “Norma gjuhësore dhe substandardi në tekstet shqipe të shek. XVIII në arealin kulturor të Veriut. Përveç temave me karakter historik do të ketë edhe nga ato që prekin direkt problemin se ç’do të bëhet me gjuhën standarde dhe me shumë gjasa do të ketë edhe debate. Ndërsa profesori i Universitetit të Prishtinës, Bahtjar Kryeziu, do të diskutojë mbi shqipen mes globalizimit dhe variantizimit, profesori i Universitetit të Tiranës, Gjovalin Shkurtaj, thotë se “Baza e njëjtë dhe e përbashkët e shqipes standarde është e paprekshme”. Seanca e dytë do t’i kushtohet problemeve gramatikore të standardit. Akademikë e gjuhëtarë si Ethem Likaj, Wilfried Fiedler, Besim Bokshi, Julie May-Kolgjini do të diskutojnë më së shumti çështje që lidhen me morfologjinë e shqipes, çështje që lidhen me formimin e shumësit, gjinive, paskajores, etj. Gjatë ditës së dytë të konferencës, gjuhëtarët do të diskutojnë mbi problemet e drejtshkrimit dhe të pasurimit të standardit. Disa nga kumtesat që do të mbahen dhe që i mëshojnë rishikimit të gjuhës standarde, janë ato të Mehmet Elezit (Bernë, Zvicër): “Standardi i ngrirë përballë gjuhës së lirë”, “Për një përmirësim të mëtejshëm të shqipes standarde: mbi ndryshimin e disa rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, nga Mehmet Çeliku (UT), “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes standarde dhe disa trajta të diskutueshme”, nga Aljula Jubani, shefe e Departamentit të Gjuhësisë në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë, “Pasurimi dhe përmirësimi i standardit vështruar nga pikëpamja e përpunimit teknologjik të gjuhëve natyrore sot”, nga Besim Kabashi (Nurenberg, Gjermani). Seanca e dytë e kësaj dite do të vërë gishtin pikërisht në plagë, në marrëdhëniet e standardit me dialektet dhe normën leksikore. Ardian Vebiu (SHBA), Ardian Klosi e Ledi Shamku-Shkreli do të referojnë mbi dinamikat e pasurimit të shqipes letrare dhe norma leksikore. Të tjerë studiues do të kumtojnë mbi marrëdhëniet e sotme të dialekteve me gjuhën letrare dhe mundësinë e hapjes së kësaj të fundit kah dialekteve, problemet që has standardi në terminologji, fjalë dhe ndërtime të huaja të panevojshme në shqipen e sotme, etj. Në ditën e tretë të konferencës do të diskutohet mbi standardin dhe norma letrare, ku do të diskutohet mbi përdorimin e gjuhës në letërsinë artistike, në librat shkollorë, në shtypin e shkruar, etj. Gjatë ditëve të konferencës parashikohen edhe aktivitete të tjera promovuese e letrare. Gjergj Fishta, i “gjallë” në përvjetor

Shkodra e përmbytur e ka gjetur kohën të kujtojë patriarkun e saj. Në 70-vjetorin e vdekjes së poetit dhe gjuhëtarit At Gjergj Fishta, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zhvilloi konferencën shkencore “Fishta - Poeti dhe mendimtari kombëtar”. Konferenca u hap me himnin e shkruar nga Gjergj Fishta dhe u mbyll me zërin e tij, duke recituar 3 strofa të “Lahutës së Malcisë”. Ndërkaq, studiues të letërsisë e gjuhësisë nga Shkodra e Tirana, jo vetëm referuan mbi figurën e Fishtës, por sollën edhe fakte të reja, deri më tani të panjohura, nxjerrë nga arkivat shqiptare e të huaja, që hedhin dritë mbi personalitetin e klerikut dhe poetit. E tillë ishte kumtesa e dom Nikë Ukgjinit “Fishta në dokumente të panjohura”. Studiuesi Shaban Sinani mbajti kumtesën “Fishta për statutet dhe kanunet”, drejtori i bibliotekës “Marin Barleti”, Shkodër, Gjovalin Çuni dhe Elinda Ramadani sollën Fishtën përmes shtypit të kohës, të tjerë folën për Fishtën poet, dramaturg dhe estet.

 

ALMA MILE

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›