Bienalja e 61-të e Artit në Venecia, Gonxhja njofton përfaqësuesin e Shqipërisë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar se artisti Genti Korini do të përfaqësojë Shqipërinë në Bienalen e 61-të të Artit në Venecia me projektin e tij të titulluar “A Place in the Sun”.
Zgjedhja e projektit është bërë nga juria e përbërë nga Adela Demetja, Katerina Gregos, Blanche de Lestrange, Elian Stefa dhe Arnisa Zeqo, përzgjodhën Korinin ndër 17 aplikime të pranuara përmes thirrjes së hapur.
Në arsyetimin e saj, juria vlerësoi se projekti “spikat për thellësinë e kuadrit konceptual dhe për saktësinë e realizimit vizual”.
“Projekti spikat për thellësinë e kuadrit të tij konceptual dhe për saktësinë e realizimit vizual. Duke ndërthurur kërkimin arkivor, folklorin dhe imagjinatën, Korini eksploron mënyrën se si kujtesa kolektive dhe ideologjia formësojnë identitetin dhe hapësirën, duke endur lidhje mes së shkuarës shqiptare dhe ndërthurjeve të saj me Bashkimin Sovjetik. Juria vlerësoi risjelljen krijuese të arkivave pamore lokale përmes një këndvështrimi absurdist dhe lindor, si dhe qasjen e tij shumëdimensionale dhe eksperimentale ndaj historisë. I zhvilluar në bashkëpunim me kuratoren Małgorzata Ludëisiak, projekti ofron një dialog të pasur vizual dhe intelektual, në komunikim me teatrin eksperimental polak,” thuhet në deklaratën e jurisë.
Ministri Gonxhja uroi artistin për këtë arritje, duke theksuar rëndësinë e prezencës së artit bashkëkohor shqiptar në skenën ndërkombëtare:
“I urojmë Gentit shumë suksese në realizimin e projektit dhe presim me padurim prezantimin e pavijonit të Shqipërisë në Venecia në majin e ardhshëm,” tha ministri.
Bienalja e Artit në Venecia është një nga ngjarjet më prestigjioze të artit bashkëkohor në botë, ku vendet pjesëmarrëse prezantojnë prurjet më përfaqësuese të krijimtarisë së tyre artistike.
/rtsh.al/