E Diel, 1 Nëntor 2026

Bienalja e Venecias pese artiste nga Shqiperia

Shqipëria do të përfaqësohet nga pesë artistë në Bienalen e Venecias. Kuartori italian  Rikardo Kaldura ka përzgjedhur Anila Rubikun, Orion Shimën, Gentian Shkurtin, Eltjon Vallen dhe Driant Zenelin të cilët do të ekspozojnë punët në një nga ngjarjet më të mëdha të artit bashkohor në botë.

"Është kënaqësia e cdo artisti që të marr pjesë në këtë bienale, për vetë faktin sepse aty paraqiten prurjet më të reja të gjithë artit bashkëkohor", tha piktori Orion Shima. "Është shumë e rëndësishme integriteti i artistit dhe personaliteti i tij, dhe kjo është e pashmangshme, koha dhe vendi ku jetojmë", u shpreh Gentian Shkurti, piktor.

Të dy artistët, Shima dhe Shkurti, janë të vetmit që jetojnë në Shqipëri. Ata shpresojnë që pavioni dhe ekspozita e artit shqiptar të mund të vlerësohet nga kritika. "Kur të shkojmë atje ne do të kuptojmë vërtetë se sa do jetë ky impakt dhe se sa ne mund të krijojmë pikërisht këtë zonë të mirë për artin shqiptar", tha Shima. "Unë nuk mendoj që artistët pjesëmarrës janë të vetmit të cilët gjallojnë dhe punojnë në artin bashkëkohor, flas për Shqipërinë. Unë shpresoj që të përfaqësoj vetveten në radhë të parë, dhe sigurisht pas saj vjen dhe prezantimi i Shqipërisë dhe artit bashkëkohor shqiptar", tha Shkurti.

Koncepti i deritanishëm i kuratorit është rilevimi i aspekteve të një realiteti tjetër nga ai i përditshmi, por panorama e plotë e pavionit shqiptar në një hapsirë 160 metra katror do të shihet vetëm më 1 qershor.

Aurela Papadhima

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›