E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit, zgjerimi i NATO-s do të vazhdojë

Javën e ardhshme kryeqyteti i Rumanisë, Bukureshti do të presë përfaqësuesit e vendeve anëtare të organizatës ushtarake “Pakti i Atlantikut të Veriut”. Atje aleanca veri-atlantike do të bëjë një përzgjedhje të vështirë rreth misionit të saj në Afganistan si dhe zgjerimit me disa nga vendet e ish Bllokut Sovjetik. Këto vendime nuk nevojiten thjesht për të përsëritur dhe vazhduar tendencën e zhvillimit të sa më shumë “takimeve” dhe “konsultave” në kryeqytetet e Europës.
Sot, më shumë se kurrë NATO-s i lipset qartësi e synimeve. Shfaqja e njëfarë druajtjeje në Bukuresht, mund të nxjerrë nga binarët progresin e deritashëm në trajtimin dhe zgjidhjen e problemeve që qëndrojnë para aleancës në shekullin XXI.
Lëvizja me vendosmëri përtej synimeve dhe caqeve tradicionale të NATO-s për një domosdoshmëri strategjike të zgjerimit të kësaj aleance, mbetet një nevojë për sigurimin e një përshtatshmërie që do t’i mundësonte asaj ballafaqimin dhe përballimin e suksesshëm me sfidat e këtij fillimmijëvjeçari.
Natyrisht që për NATO-n, lëvizja përpara drejt zgjerimit dhe plotësimit të anëtarësisë nëpërmjet ftesave për Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, nuk është rruga më e përkryer. Sikurse nuk është e tillë edhe ajo e fillimit të procesit të afrimit në aleancë të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në të ardhmen, nëpërmjet planeve të veprimit për anëtarësim.
Dhe bash në kohën kur angazhimi europian në misionin e NATO-s në Afganistan po bëhet gjithnjë e më shumë thelbësor dhe përcaktues, vendosmëria e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për t’i kontribuar suksesit të këtij misioni, po bëhet gjithnjë e më e qartë.
Së bashku, të tre vendet ballkanike kanë angazhuar afro 650 trupa në efektivat ushtarake perëndimore në Afganistan dhe Irak.
Në këtë moment Kroacia ka angazhuar më shumë se 200 trupa në trajnimin e Ushtrisë Kombëtare Afgane si dhe në shërbimet që po kryejnë atje Skuadrat Rajonale të Rindërtimit.
Një kompani e trupave nga Maqedonia bën pjesë në kontingjentet që drejtojnë misionin e angazhuar për mbrojtjen e Kuartierit ku janë dislokuar Forcat e Ndihmës së Sigurisë Ndërkombëtare të NATO-s në Kabul, Afganistan.
Me synimin për ta vijuar praninë e trupave të saj në Afganistan, prani kjo që ka filluar qysh në vitin 2002, Shqipëria është një ndër vendet e para që i ka sjellë trupat e saj në Irak qysh në vitin 2003. Pesë vjet më vonë Shqipëria synon të jetë ndër vendet e fundit që do t’i largojnë trupat nga Iraku. Njëri ndër komandantët e trupave shqiptare në Mosul të Irakut, është shprehur se “Ne shqiptarët do të qëndrojmë në Irak më gjatë edhe se vetë amerikanët”. Sikundër u veprua edhe në rastin e dhënies së ftesës së NATO-s për vende të ish Bllokut Sovjetik në vitet 1999 dhe 2004, zgjerimi i këtij viti do të mundësonte konsolidimin e demokracisë, efikasitetin dhe zhvillimin ekonomik në Europën Juglindore.
Tashmë rruga e vendeve të këtij rajoni drejt institucioneve të lira politike dhe tregut të lirë, është e pakthyeshme. Pas kalimit të disa viteve në kuadër të planeve dhe aksioneve konkrete në dobi të anëtarësimit, qeveritë e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë janë përgatitur seriozisht për të fituar të drejtën e përfshirjes së vendeve të tyre në radhët e vendeve anëtare të NATO-s. Tashmë ato po ndeshen me kërkesat e përmbushjes së kritereve të domosdoshme për anëtarësimin në aleancë.
Këto vende gjithashtu kanë dëshmuar vendosmërinë për plotësimin e të Drejtave të Njeriut si dhe kanë kontribuar në stabilitetin rajonal krahas mbrojtjes së të drejtave të pakicave etnike.
Ato gjithashtu kanë alokuar një përqindje gjithnjë e në rritje të PBB (GDP)-së tyre për të garantuar mbrojtjen e zgjerimit me vende të tjera të NATO-s në Europën Lindore, dhe tashmë ato kanë ndërtuar dhe konsoliduar kapacitete mbrojtjeje gjithnjë e në rritje, krahas atyre të shërbimeve të Sigurisë, të mbështetjes mjekësore dhe në drejtim të operacioneve speciale.
Megjithë evidentimin e të metave në raport me standardet më të arrira për të merituar anëtarësimin në NATO, Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia kanë demonstruar vlera dhe përpjekje të konsiderueshme në arritjen e këtyre standardeve në Afganistan dhe Irak, po të marrim parasysh rëndësinë dhe vështirësinë e misioneve paqeruajtëse të vendeve anëtare të NATO-s atje.
Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, ndonëse gjeografikisht nuk janë larg njëra-tjetrës, në aspektin operacional, të qëndrimeve dhe kontributeve që ato sjellin në NATO, ato ua kalojnë shumë herë përmasave të tyre. Të njëjtin vlerësim dhe respekt kam edhe për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, për arsye të pjekurisë demokratike dhe politike që ato kanë demonstruar, si dhe stabilitetit relativ dhe gatishmërisë për të bashkëpunuar me bashkësinë ndërkombëtare pas revolucioneve Portokalli dhe Rozë të viteve 2003 dhe 2004. Të qenit e Ukrainës vend kufitar me Rusinë, kohët e fundit gjithnjë e më tepër na sugjeron pakësimin e potencialeve të arsenalit bërthamor të saj, si dhe mbështetjen e lëvizjes së protestës civile në Gjeorgji, nëse do të vendosej të ndërmerreshin hapa të tjera për anëtarësimin e tyre në NATO, pavarësisht se qeveritë e Gjeorgjisë dhe Ukrainës kanë shprehur vazhdimisht dëshirën e sinqertë dhe të qartë për të nxitur ritmet, aksionin dhe procedurat e anëtarësimit në aleancë. Qetësia dhe maturia në shqyrtimin e problemit të Gjeorgjisë dhe Ukrainës në Bukuresht, përfshirë këtu edhe shtyrjen zgjeruese të hartës gjeografike të aleancës së vendeve të Europës Perëndimore drejt Lindjes, duhet të na sugjerojë një trajtim dhe refuzim të butë të aspiratave të Gjeorgjisë dhe Ukrainës për anëtarësim.
Ne nuk duhet të deziluzionojmë popujt e tyre, por duhet t’u servirim atyre dritën jeshile, me qëllim që Rusia të mos mundet më të vazhdojë të tjerrë retorika politike për një Lufte të re të Ftohtë. Administrata amerikane, dy partitë më të mëdha në Kongres, dhe shumë vende anëtare të NATO-s, tashmë kanë shprehur me forcë mbështetjen e tyre të plotë për zgjerimin e NATO-s me vende të tjera anëtare nga Europa Juglindore, si dhe për kristalizimin vijues të partnershipit me vende të tjera aspirante, paskëtaj.
Po përse ato po e japin këtë mbështetje? Këtu padyshim që ka ndikuar kundërshtimi i fortë i Rusisë, por edhe ngaqë Greqia ka kërcënuar se do të vendosë veton kundër pranimit të Maqedonisë, me pretekstin se ky vend refuzon të ndryshojë emrin e vet.
E ardhmja e Aleancës trans-atlantike dhe rritja e kredibilitetit të saj si një instrument i dukshëm dhe i rëndësishëm politik e ushtarak për konsolidimin e demokracisë në shkallë mbarëbotërore, është tejet e rëndësishme për të mbrapsur shigjetat dhe propagandën semantike që synojnë të shkaktojnë diskreditimin taktik dhe strategjik të përparësive që ka zgjerimi i saj në këtë shekull, sikurse e pati edhe në shekullin e kaluar. Një aleancë më e rritur dhe më e fuqishme gjithashtu, pas aderimit të tre vendeve të Ballkanit, ndër të cilët mundësia është për pranimin e dy vendeve syresh, Shqipërisë dhe Kroacisë, do të shërbejë si një provë e rritjes që memorizon jo vetëm kapërcimin e sfidave të sotme, por edhe përfitimin e kontributeve të qenësishme në drejtim të kurorëzimit me sukses të përpjekjeve të aleancës për mbrojtjen edhe të interesave të tyre në të ardhmen.
Zgjerimi gjithashtu do të promovojë edhe përfitimin e një ekspertize operacionale dhe njëkohësisht edhe të shpirtit të bashkëpunimit, që u nevojiten të gjitha vendeve të aleancës.
Të pesë vendet e sipërpërmendura që po afrohen në NATO, dëshmojnë synimin e vendosur të saj për vlerësimin dhe mprehjen e domosdoshme të vigjilencës për ruajtjen dhe mbrojtjen e lirisë. Që të gjitha këto vende kanë përvojën e hidhur të pushtimit komunist, por ato kanë parasysh edhe ekstremizmin Islamik, si dhe rrezikun që ato të gjitha kanë përjetuar prej ideologjisë totalitare. Misioni i NATO-s në Afganistan, mijëra milje larg nga kontinenti europian, ka qenë dhe mbetet një hap historik drejt transformimit të saj në përballjen vijuese me sfidat e shekullit XXI. Por kjo punë e jashtëzakonshme është ndeshur me vështirësi dhe disa të vërteta jo fort të këndshme për shumicën e vendeve të aleancës.
Zgjerimi i NATO-s me Shqipërinë, Kroacinë dhe Maqedoninë, si dhe ndërtimi i një partnershipi të sigurt me Gjeorgjinë dhe Ukrainën, do të bëjnë të mundur që aleanca në një të ardhme të afërt, kolektivisht të punojë për zbatimin e detyrimeve dhe sfidave që i duhet të përballojë në Afganistan. Të pesta këto vende jo-anëtare të NATO-s, e që tashmë mund të konsiderohen si pjesë e aleancës, kanë demonstruar fuqimisht vullnetin për të marrë përsipër përgjegjësitë që vijojnë nga anëtarësimi.
Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia tashmë janë të gatshme t’i pranojnë këto përgjegjësi.
Gjeorgjia dhe Ukraina, me dëshirë dhe gatishmëri kanë pranuar përgjegjësitë që burojnë nga anëtarësimi në NATO dhe ecuria e anëtarësimit të tyre në vitet e ardhshme, padyshim që do të diskutohet krahas edhe planeve të veprimit me to dhe ndaj tyre, qysh në Bukuresht. Në këtë këndvështrim, Samiti i Bukureshtit përfaqëson një mundësi për përparimin e mbrojtjes së interesave të 26 vendeve aktuale anëtare, numri i të cilave do të rritet. Tashmë nuk është koha për vetëdyshim dhe mosbesim, por mund të themi se ka ardhur koha e lidershipit të SHBA-ve dhe atij Europian.

Donald Rumsfeld ka qenë ambasador i SHBA-ve në NATO qysh në vitet 1973-1974 dhe më pas është emëruar si i trembëdhjeti dhe i njëzetenjëti ndër Sekretarët e Mbrojtjes së SHBA-ve”. Nga Donald Rumsfeld

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›