E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ku përfundoi rebelimi i ‘68-ës?

Bota u përfshi nga një shtrëngatë e madhe në vitin 1968. Ajo nisi në Vietnam dhe u përhap në të gjithë Azinë, duke kapërcyer detin dhe malet e Evropës e duke synuar hapësirat përtej tyre. Pamjet e luftës së amerikanëve në Vietnam ishin të përnatshme në lajme e buletine informative. Efekti që shkaktoi hedhja e bombave, fshatrat e përfshirë nga flakët, helmimet nga lëndët kimike me të famshmin "Agent Orange" shkaktuan një valë revoltash, përmasa e të cilave ishte e një shkalle të pandeshur më parë. Mësimi që shumëkush mori nga qëndrimi që po u bënin vietnamezët amerikanëve ishte se: nëse një popull i varfër po mundte shtetin më të fuqishëm të botës, të gjithë mund të ngriheshin e të përmbysnin sunduesit. Pikërisht kjo ishte ndjenja dhe ndërgjegjësimi që dominonte brezninë më radikale të viteve ‘60. Në shkurt të vitit 1968, komunistët vietnamezë nisën ofensivën e tyre të famshme "Tet", e cila sulmoi trupat amerikane në jug të vendit. Finalja e madhe e ofensivës ishte marrja nga ana e vietnamezëve e ambasadës amerikane në Saigon (Ho Chi Minh City) dhe ngritja e flamurit vendas në çatinë e godinës. Ishte padyshim një mision vetëvrasës, por jashtëzakonisht i guximshëm. Ndikimi që pati ishte i menjëhershëm. Për herë të parë, një pjesë e madhe e amerikanëve u ndërgjegjësuan se lufta nuk mund të fitohej. Në Amerikë nisën revoltat kundër varfërisë dhe diskriminimit, të cilave iu bashkuan edhe zezakët që dolën nga getot e zeza në qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Një shkëndijë e vogël në Vietnam mjaftoi që t‘i vinte botës flakë. Në mars të vitit 1968, studentët e Universitetit të Nanterës në Francë dolën në rrugë dhe në 22 mars lindi lëvizja e famshme studentore, e cila u shndërrua në një sfidë të madhe për "luanin" e Francës: Presidentin e republikës së pestë franceze, Charles de Gaulle, i cili më vonë, në një shpërthim inati ndaj lëvizjes që desh e rrëzoi nga pushteti, e përshkroi atë me fjalët: "Një mut në shtrat". Studentët e nisën revoltën me kërkesat për reforma universitare dhe e shndërruan në një revolucion të vërtetë. Në të njëjtin muaj në Londër u organizua një demonstratë e madhe para sheshit të ambasadës amerikane kundër luftës në Vietnam. Ajo nisi paqësore, por u shndërrua në një veprimtari të dhunshme. Pjesëmarrësit, duke pasur në mendje shembullin e vietnamezëve, donin që të futeshin dhe të zinin ambasadën, por nuk ia arritën dot nga brezi i policëve që arriti ta ruante godinën nga sulmi. Në këtë situatë të rëndë, senatori amerikan, Eugene Mçarthy, teksa shihte pamjet e Londrës, kërkoi dhënien fund të luftës, e cila mes dëmeve të tjera i kishte shndërruar ambasadat amerikane në vendet mike në shënjestra të protestuesve. Por Londra e krahasuar me vende të tjera ishte gjithsesi një vend i qetë. ("Në Londrën e përgjumur nuk ka vend për luftëtarët e rrugës", u shpreh në një nga këngët e tij një vit pas ngjarjes këngëtari i "Rolling Stones", Mick Jagger). Në fakt, demonstrimet dhe revoltat e vakëta universitare nuk përbënin ndonjë kërcënim ndaj qeverisë laburiste, e cila e kishte mbështetur Uashingtonin në vendimet e tij, por nuk kishte pranuar të dërgonte trupa në Vietnam. Në Francë, filozofi ekzistencialist, Jean-Paul Sartre, po përjetonte kulimin e veprimtarisë së tij dhe ishte shndërruar në një personazh me shumë ndikim. Ai argumentonte se nuk mund të pretendoje një të nesërme të lumtur me çmimin e padrejtësive, shtypjes dhe varfërisë së të sotmes. Ai kërkonte përmirësimin e menjëhershëm të situatës. Në muajin maj, kryengritja e studentëve të Nanterrës u përhap në të gjithë Parisin dhe përfshiu gjithashtu edhe sindikatat. Shpërthimi i madh nisi në datën 10. Kishte barrikada, njerëz të acaruar, shumë studentë që sulmonin e më pas mbroheshin, zhurmë, forca policie që herë përparonin, herë sulmonin, herë mbroheshin e herë tërhiqeshin. Pas shumë përpjekjesh, policia nuk ia doli dot të qetësonte situatën shumë të tensionuar në Latin Quartier (lagje parisiene), e cila tani mban emrin Lagjja Heroike Vietnameze. Tri ditë pas këtij shpërthimi, mbi 1 milion vetë dolën në rrugët e Parisit, duke kërkuar dhënien fund të egërsisë së shtetit. Në fakt, revolucioni i cili synohej nga grupe të ndryshme, nuk ndodhi, por ngjarjet ishin një "shkundje" e mirë për Francën. De Gaulle i konsideroi demonstrimet si "grusht shteti". Në fillim të qershorit ai fluturoi drejt bazës ushtarake të Baden-Badenit, ku ndodheshin trupat franceze, për t‘u siguruar nëse do të kishte mbështetjen e tyre në rast se Parisi do të binte në duart e revolucionarëve. Ata pranuan parimisht, por kërkuan në këmbim rehabilitim për gjeneralët ultra të djathtë, të cilët De Gaulle i kishte liruar nga detyra për shkak të kundërshtimit të tyre për të lënë Algjerinë. Marrëveshja u arrit. Në këto e sipër, De Gaulle i dha një shuplakë edhe ministrit të tij të Brendshëm, që i kishte kërkuar arrestimin e Sartrit, duke i thënë se "qeveria nuk mund të vinte në pranga Volterin". Edhe pse nuk arriti synimin përfundimtar, shembulli francez pati jehonë të madhe, duke u krijuar shqetësime të mëdha si elitave qeverisëse në Perëndim, ashtu edhe burokratëve komunistë të Moskës. Një gazetar francez shkruante në atë kohë në "Le Monde": "Një francez që udhëton jashtë, ka ndjesinë se të tjerët e trajtojnë si atë të sëmurin që ndodhet në gjendjen e konvaleshencës pas një etheje të rëndë. Po si ndodhi ngritja dhe shpërthimi i barrikadave? Cila ishte temperatura e Parisit të sëmurë mbrëmjen e 29 majit? A ka mundur ilaçi golist që të depërtojë te rrënjët e sëmundjes? A ka rrezik për përsëritjen e etheve? Ka edhe një pyetje që askush nuk e bën, ndoshta sepse kanë frikë nga përgjigjja. Pyetja është: Mos vallë bëhet fjalë për një sëmundje infektive"? Në fakt, ishte e tillë. Një sëmundje infektive. Në Pragë të Çekosllovakisë reformatorët komunistë, një pjesë e madhe e të cilëve ishin heronj të rezistencës anti-fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin shpallur në të njëjtën pranverë idenë e "socializmit me fytyrë njerëzore". Qëllimi i Aleksandër Dubçekut dhe mbështetësve të tij ishte demokratizimi i jetës politike në Çekosllovaki. Ky ishte hapi i parë drejt demokracisë socialiste dhe konsiderohej i tillë si nga Moska, ashtu edhe nga Uashingtoni. Në 21 gusht, rusët dërguan tanket e tyre në Pragë dhe e shtypën lëvizjen reformuese. Në Perëndim, ndërkohë, protestat kishin përfshirë të gjitha kryeqytetet kryesore, por protestat u shtrinë edhe përtej oqeanit. Në Meksikë, studentët sulmuan universitetet, duke kërkuar dhënien fund të shtypjes së regjimit njëpartiak. Për të nxjerrë studentët nga ndërtesat universitare u dërgua ushtria, e cila qëndroi aty për muaj të tërë, deri në qetësimin e situatës. Në 2 tetor, kur gjithë sytë e botës ishin drejtuar tek universitarët meksikanë të ngujuar në shkollat e tyre në Mexico City, 10 ditë para nisjes së Lojërave Olimpike në atë qytet, mijëra studentë dolën në rrugë për të protestuar. Kjo protestë u shndërrua në një pellg gjaku. Masakra ndaj studentëve nisi në perëndim të diellit. Ndërsa afrohej errësira, trupat e armatosura hapën zjarr pa paralajmërim ndaj turmës së njerëzve që ishte mbledhur në njërin prej shesheve të qytetit për të dëgjuar fjalimmbajtësit. Armët e ushtarakëve mbi civilët e armatosur morën dhjetëra jetë njerëzish dhe qindra të tjerë u plagosën. Po atë nëntor shpërtheu edhe në Pakistan. Studentët u ngritën kundër shtetit dhe diktaturës ushtarake të mbështetur nga amerikanët. Me studentët u bashkuan punëtorët, juristët, nëpunës të ndryshëm të sektorit shtetëror, madje edhe prostitutat dhe, pavarësisht reagimit shumë të ashpër dhe të dhunshëm të ushtrisë, vrulli i luftës së njerëzve të thjeshtë nuk u step, derisa pas sakrificash të mëdha dhe një këmbënguljeje të rrallë, një vit më pas njeriu që qëndronte në pushtet, marshalli Ayub Khan, dha dorëheqjen. Në shkurt të vitit 1969 situata ishte qetësuar dhe njerëzit ishin në humor më të mirë, pavarësisht një periudhe shumë të rëndë që kishin kaluar. Fitorja ndaj një tirani si Ayub Khan e çoi vendin drejt zgjedhjeve të para të përgjithshme në gjithë historinë e tij. Nacionalistët e Bengalit në lindje të Pakistanit fituan shumicën, por elita politike e kohës e refuzoi një fitore të tillë. Më pas plasi lufta civile, e cila solli në vend ushtrinë indiane. Ky ishte edhe fundi i Pakistanit të vjetër. Nga lufta doli edhe shteti i Bangladeshit. Dhjetëvjeçari i lavdishëm (1965-75) gjatë të cilit viti 1968 ishte pika më e nxehtë u karakterizua nga tre ndryshime. Ndër to dominonte ndryshimi politik, por edhe dy të tjerë lanë gjurmët e tyre të thella në ato vite dhe në vitet në vijim: liria seksuale dhe ndryshimi i mënyrës konservatore të jetesës. Në njëfarë mënyre ato ishin një reagim ndaj viteve ‘50 dhe intensitetit me të cilin po zhvillohej Lufta e Ftohtë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjuetia e shtrigave McCartiste kishte krijuar një situatë të rëndë në vitet ‚50, por më në fund, një dhjetëvjeçar më vonë autorët dikur të shënuar në listat e zeza mund të shkruanin sërish. Në Rusi qindra të burgosur politikë u liruan nga mundimi i burgjeve dhe gulagët (kampet e punës së rëndë fizike) u mbyllën, ndërkohë që nisi denoncimi për krimet e Stalinit nga ana e liderit të ri Krushov. Nga ndryshimet në Rusi nisi të marrë frymë gjithë Evropa Lindore që ndodhej përtej perdes së hekurt. Por shpresat e tyre për ndryshim ishin të kota. Megjithatë shpirti i rebelimit dhe i gjërave të reja preku edhe fushën e kulturës. Kjo u vu re sidomos në kinematë evropiane. Në Spanjë dhe Portugali vende të cilat në atë kohë qeveriseshin nga Franko dhe Salazar, censura vazhdonte, ndërkohë që në Britaninë e Madhe u botua për herë ët parë libri i shumëpërfolur "Dashnori i Ledi Chetterly" i DH Laurence. Libri, i njohur për përmbajtjen e theksuar erotike, u botua në formën e tij të plotë dhe u shit në 2 milionë kopje. Në gjurmët e librit të famshëm të Simone de Beauvoir: "Seksi i dytë" një autore e famshme Juliet Mitchell nxori esenë e saj: "Gratë: Revolucioni më i gjatë" e cila u bë menjëherë një pikë reference për të gjitha çështjet e grave, pasi në të flitej për evoluimin e femrës në shoqërinë moderne. Në të shkruhej: "Në një shoqëri të zhvilluar industriale, puna e grave është shumë anësore në tërësinë e ekonomisë...grave u është dhënë një univers i kufizuar dhe vetëm i tyre: familja. Si edhe vetë gruaja, familja shihet si një objekt, ndërkohë që në fakt është një krijesë me të gjitha atributet e saj". Në shtator të vitit 1968, feministet amerikane prishën konkurimin për Mis Botën në Atlantic City duke kërkuar njohje të të drejtave të tyre thelbësore, pavarësi dhe një zë të barabartë në një botë të dominuar nga meshkujt. Përveç këtyre ndryshimeve ato vite sollën edhe risi për sa i përket konceptit të jetës seksuale. Megjithatë jo në atë mënyrë komerciale që kuptohet sot. "Revolucioni" i atyre viteve kishte të bënte me heqjen dorë nga puritanizmi i viteve ‘40 dhe ‘50, kur censura e egër dhe hipokrite nuk lejonte shfaqjen në ekran as të filmave ku çiftet e martuara ndodheshin të veshur me pizhama e të mbuluar me jorgan në shtratin e tyre bashkëshortor. Ndryshimet radikale sfiduan të gjitha kufizimet shoqërore.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›