E Diel, 1 Nëntor 2026

“Big Mama” në “qiellin e 24-t”Tirana fiton Superligën në një mbrëmje madhështore në “Qemal Stafa”. Presidenti Halili: “Trofeu kurorëzoi sakrificat e përpjekjet tona”

Triumfon “Big Mama”. Hijerënda “Zonja e madhe”. Tirana u rikthye në mënyrë madhështore në panteonin e kampionëve të mëdhenj. Kësaj radhe për herë të 24-t. Një rekord shqiptar. I paarritshëm nga askush. As nga motrat e saj kryeqytetase Dinamo (17) e Partizani (15). Titulli kampion, në javën e fundit, kundrejt një rivale të madhe si Vllaznia (2-1), e për më tepër në tempullin mitik të futbollit shqiptar “Qemal Stafa”.

NDESHJA

Një titull i merituar plotësisht. Me një dominim thuajse total të bardhebluve nga minuta e parë e deri të vërshëllima e gjyqtarit sllovak Hreniak. Me një kryevepër të kapitenit Devi Muka, pikërisht në sekondën e 100-të super-sfidës së sezonit 2008-2009 e me një gol plot finesë të “Këpucës së artë” të këtij kampionati, Migen Memellit (30’), që regjistroi nga ana e tij jo vetëm golin e tij të 22-të në kampionat, por dhe titullin e tij të parë si kampion i Shqipërisë. Goli i Xhevair Sukajt në minutën e 88-të shërbeu thjesht për statistikat e ndeshjes, në një takim jo pak të tensionuar e të frymëzuar nga më shumë se 12 mijë të pranishëm në impiantin ndërkombëtar.

DREJTUESIT

Kur presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i dorëzoi “kupën me veshë” kapitenit Devi Muka, festa ishte e tëra bardhe e blu. Të gjithë protagonistët janë në një mëndje: “Ky është një titull i merituar”.  Presidenti i Tiranës, Refik Halili, njeriu që investoi gati 800 milionë lekë të vjetra e vendosi në tavolinë 120 milionë lekë një ditë para finales tha pas ndeshjes:  “Është një titull me shumë sakrifica. Të gjitha përpjekjet e sakrificat e mia i kam falur. U kam bërë hallall dhe atyre që pa dashje na kanë penguar”. Trajneri i tretë sezonal i bardhebluve, Alban Tafaj e ndau meritën me kolegët e tij. “Kam besuar se ky ekip do të shpallej kampion. Kanë kontribut të jashtëzakonshëm si Slishkoviç e Kolës. Ia kushtoj dhe tifozëve të Tiranës”.

LOJTARËT

Kapiteni i Tiranës, Devi Muka, fitoi titullin e shtatë në karrierën e tij. Vlonjati u tregua një xhentëlmen i vërtetë: “ “Këtë titull dua ta ndaj edhe me trajnerin Agustin Kola, edhe pse ai nuk ishte në stadium”. Mesfushori punëtor, pesë herë më parë nënkampion, Bledar Devolli, fitoi për herë ta parë titullin:
“Është dita më e bukur për mua. Kishim ekipin më të mirë”. Veterani Nallbani, “Tata” që regjistroi titullin e 8-të: “Kam pasur shumë siklet këto ditë. Isha i bindur se do ta fitoja dhe  këtë titull”. Mbrojtësi i jashtëzakonshëm Rezart Dabulla: “Tirana është mësuar me trofe, ky titull do të mbahet mend pasi u fituar nga një skuadër që u krijua rishtas”. Mesfushori i Kombëtares, Ansi Agolli: “Ky është një nga titujt më të bukur. Jam shumë i gëzuar”. Mbrojtësi Andi Lila shijoi për herë të parë një titull kampion: “Tirana e meritonte të fitonte dhe Kupën e Shqipërisë. Ky titull i takon presidentit Halili, trajnerëve Slishkoviç, Kolës e Tafaj. Jemi në qiellin e shtatë”.

Tirana–Vllaznia            2-1
Shënues: Muka 2’, Memelli 30’, Sukaj 88’
Gjyqtarë: V.Hrinak, R.Sluk, V.Laskovski (Sllovaki)
Kartonë të verdhë: Devolli, Sukaj, Muka, Lici, Sinani, Belisha, Agolli, Grima, Lila
Tirana: Nallbani, Dabulla, Pezo, Lila, Abraham, Agolli, Devolli, Sefa (Lilaj 91’), Muzaka, Muka (Patushi 62’), Memelli (Xhafa 41’)
Trajner: Alban Tafaj
Vllaznia: Grima, Smajli (Dhëmbi 46’), Beqiri, Bashiç, Lici, Belisha (Osja 65’), Nallbani, Shtubina, Boadu, Sinani, Sukaj
Trajner: D.Haxhiosmanoviç    

24 “kurorat” e Tiranës

1. 1930
2. 1931
3. 1932
4. 1934
5. 1936
6. 1937
7. 1964 – 65
8. 1965 – 66
9. 1968
10.1969 – 70
11.1981 – 82
12.1984 – 85
13.1987 – 88
14.1988 – 89
15.1994 – 95
16.1995 – 96
17.1996 – 97
18.1998 – 99
19.1999 – 00
20.2002 – 03
21.2003 – 04
22.2004 – 05
23.2006 – 07
24.2008 - 09

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 33, E FUNDIT
23.05.2009

Tirana-Vllaznia 2-1
Apolonia-Shkumbini 3-1
Lushnja-Partizani 1-0
Flamurtari-Besa 4-0
Bylis-Dinamo 3-0
Elbasani-Teuta 3-2

RENDITJA
1. Tirana         68
2.Vllaznia     64
3.Dinamo        52
4.Teuta        44
5.Shkumbini    44
6.Flamurtari    42
7.Besa        40
8.Apolonia        38
9.Bylis        37
10.Partizani    36
11.Lushnja        36
12.Elbasani    35

TRAJNERËT KAMPIONË

Në “Librin e artë” të trajnerëve kampionë të Tiranës janë dhjetë emra që kanë fituar në total 24 kampionate: Selman Stërmasi (6 herë), Myslim Alla (4), Enver Shehu (3), Shyqyri Reli (2), Shkëlqim Muça (3), Sulejman Mema (2), Fatmir Frashëri (1), Mirel Josa (1), Sulejman Starova (1) e Alban Tafaj (1).

“KËPUCA E ART˔

29-vjeçari Memelli në sezonin e parë të tij me Tiranën fitoi “Këpucën e artë” të këtij sezoni. Sulmuesi bardheblu shënoi 22 gola, më shumë se kushdo tjetër në këtë kampionat. Migeni është dhe golashënuesi më i mirë në Kupë: 8 gola. Memelli mban edhe disa rekorde personale e sezonale gjatë këtij edicioni futbollistik: autor i golit më të shpejtë në kampionat pas vetëm 8 sekondash lojë, shënuesi i pesë golave brenda një ndeshje kupe,

REKORDI I ABRAHAMIT

Mbrojtësi i Tiranës, nigeriani Abraham Alchevny ka vendosur një rekord unikal në kampionatin shqiptar. Është i pari i huaj që ka fituar katër herë rresht një titull kampion në Shqipëri, dhe për më tepër me tre skuadra të ndryshme: me Elbasanin në sezonin 2005-2006, me Tiranën në sezonin 2006-2007 dhe së fundi me Dinamon në sezonin 2007-2008 e sërish tani me Tiranën (2008-2009).

Halili: I fal dhe ata që  s’na deshën

Kryedonatori Refik Halili, mjaft i lumtur për fitimin e titullit kampion, theksoi dje pas ndeshjes se skuadra e tij e fitoi kampionatin me meritë dhe e tregoi se ishte padyshim më e mira në përballjen me shkodranët në këtë duel të fundit. “I kam falur të gjithë, edhe ata që punuan kundër interesave të Tiranës në këtë sezon. Kjo festë është për protagonistët e fushës, të cilët e merituan plotësisht titullin kampion. Tirana dha prova të mjaftueshme që qe ekipi më i mirë i këtij edicioni. Këta lojtarë kanë qenë krenaria ime në këtë sezon dhe sot na kanë lumturuar pa masë. Përshëndes edhe tifozët e mrekullueshëm të Tiranës, të cilët, nuk hoqën dorë për asnjë moment nga mbështetja ndaj lojtarëve dhe patën besim të madh te titulli. Prania e tyre në një numër të madh në stadium na ka lumturuar shumë dhe unë i përshëndes fort. S’më mbetet veçse të uroj lojtarët për fitimin e titullit dhe të gjithë dashamirësit e Tiranës”, tha Halili.

Armand Duka: Fitoi futbolli shqiptar
Diplomat edhe në nj mbrëmje të tillë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit më tepër se për Tiranën ka theksuar rëndësinë e mbylljes së një kampionati me rivalitet. “Ishte një kampionat mjaft i mirë. Pati problematikën e vet në disa raste por në përgjithësi mund të them se ishte i mirë organizuar dhe me rivalitet. Më vjen mirë që sonte shoh kaq shumë tifoz ënë stadium dhe uroj që kjo gjë të vazhdojë edhe më tej. Futbolli shqiptar ka nevojë për ta. Tiranës i uroj për titullin por në këtë natë ka vend për respekt edhe për Vllazninë e cila luftoi deri në javëne fundit duke i dhënë më shumë bukuri këtij kampionati”.

Devolli, kampion pas 4 herë nënkampion
Është shpallur Bledar Devolli nënkampion në kampionatin shqiptar, por pa mundur asnjëherë të fitojë titullin, që u bë realitet vetëm mbrëmë në “Qemal Stafa”. Më parë ai ka dalë nënkampion me Vllazninë, Elbasanin, Teutën dhe Partizanin. “Jam me të vërtetë i emocionuar, pasi fitoj për herë të parë një titull. Më parë kam dalë kampion me disa skuadra, por titullin e fitova me Tiranën. Këtë sukses ia dedikoj vetes, pasi e kam pritur shumë këtë moment, ia dedikoj familjes time që më ka mbështetur vazhdimisht dhe tifozerisë që pati besim te ne”.

Devi Muka
Kapiteni fitoi titullin e shtatë në karrierën e tij. Vlonjati u tregua një xhentëlmen i vërtetë: “Këtë titull dua ta ndaj edhe me trajnerin Agustin Kola, edhe pse ai nuk ishte në stadium. Veç kësaj dua të përshëndes familjen time dhe gjith shokët e mi të cilët dhanë maksimumin në një kampionat vërtet të vështirë. Jam shumë i lumtur që Tirana arriti të fitonte titullin kampion pas një sezoni me shumë polemika dhe trajnerë të larguar. Por mundi i presidenti Halili dhe i të gjithë protagonistëve më në fund nuk shkoi kot”, pohoi Devi Muka pas marrjes së titullit kampion të 24-t për Tiranën dhe të shtatin personal.

Migen Memelli
Golashënuesi më i mirë i Tiraëns opr edhe i këtij sezoni në Superligë sigloi edhe golin e dytë në këtë fitore. I kënaqur dyfish si për titullin he për çmimin e golashënuesit sulmuesi pogradecar tha: “Ishte një fitore e merituar jona, pasi ekipi ka dominuar të gjithë kampionatin me përpjekje të mëdha. Mua më erdhi keq që s’munda ta mbyll të plotë ndeshjen për shkak të dëmtimit, por fakti që shënova gol në këtë sfidë vendimtare më bën të lumtur. Kjo fitore i fshin të gjitha problemet që kaluam. Ne e merituam këtë titull. I përgëzoj tifozët, sepse ishin të mrekullueshëm”.

Gjergji Muzaka
Erdhi me shumë bujë në fillim të kjëtij sezoni te Tirana për nj shifër rekord prej 100 mijë eurosh ndaj kërkonte me çdo kusht të justifikonte vetveten. Ai arriti dhe këtë gjë e pohon më së miri ai pas marrjes s titullit. “Jam i lumtur, domosdo, pasi kurorëzohem për herë të parë si kampion. Kam qenë shumë pranë trofeut edhe sezonin e kaluar kur mbroja ngjyrat e Partizanit, por pa mundur, ndërkohë që dhashë maksimumin tim këtu te Tirana dhe sot jo vetëm unë, por e gjithë skuadra mori frytet e punës së një sezoni. Ishte një titull plotësisht i merituar dhe këtë ua dedikoj të gjithëve, familjes, shokëve, tifozëve”.

Alban Tafaj
Mori drejtimin e Tiranës vetëm tri javë më parë pas largimit të Agustin Koëls por diti si të mbajë kompakte skuadrën. Ai është edhe një nga trajneërt më të rinj që fiton një titull kampion në Shqipëri. “Ekipi im tregoi në këtë ndeshje se ishte më lart se kundërshtari, të cilin e përgëzoj për rivalitetin që bëri karshi nesh gjatë gjithë sezonit. Por Tirana meritonte titullin, pasi tregoi në vijimësi ndaj të gjithë kundërshtarëve, veçanërisht ndaj Vllaznisë se është një ekip më i mirë. Përgëzoj ekipin për këtë ndeshje të madhe dhe tifozët për mbështetjen që na dhanë. Nuk di çfarë të them më shumë, jam shumë i gëzuar”.

Abraham
Ku shkon ai fiton titullin kampion. Në 2005-2006 ishte te Elbasani, fitoi. Në 2006-2007 te Tirana, fitoi. 2007-2008 te Dinamo, fitoi dhe tani sërish te Tirana del kampion. Një rast i veçantë për një futbollist për më tepër të huaj. “Jam i lumtur sigurisht. Mund të them se ishte një titull i veçantë për mua. Të shpallesh katër herë radhazi kampion, dy herë me Tiranën, nuk është pak. Përgëzoj shokët e skuadrës për atë që treguan në këtë ndeshje dhe falënderojmë tifozët për mbështetjen që na dhanë. Ne e merituam titullin, pasi ishim më të mirët dhe një gjë e tillë u pa edhe në ndeshjen e sotme”

Të veçanta

Kanë qenë të shumta banderolat që kanë shpalosur dje të dy tifozeritë në shkallët e stadiumit. “Tiona kampion, Berisha zemra jonë”, “Forca Devolli”, “Dashuri dhe respekt për kaitenin Devi Muka”, “Game-Over”, “Tirona Republik”, “Tini&Blazhe, faleminderit”, ishin disa prej atyre të Tiranës. Shkodranët nuk mbeten mbrapa me: “Marina, zemra e Vllaznisë”, “Shtubina, Mesi i Shqipërisë”. Një tjetër banderolë ishte në kujtim të 1-vjetorit të vdekjes së Presidentit të “Top Medias”, Dritan Hoxha. “Tani, ëndrra vazhdon…” shkruhej në këtë banderolë.

-Përpara fillimit të ndeshjes, kënduan dy këngë tiranse, Valbona Mema e Pajtim Struga që ngritën peshë tifozët e pranishëm në stadium.

-Sfida ka nisur 10 minuta me vonesë nga orari i përcaktuar që ishte 19:00.

-Në momentin që miqtë nga shkodra fillojnë tu japin duart arbitrave, lojtarët e Tiranës mblidhen për të bërë betimin e përhershëm dhe futbollistët e Vllaznisë qëndrojnë disa minuta me “duar varur”.

-Gjatë një momenti kur topi i drejtohej vijës anësore, një prej fëmijëve që qëndrojnë pranë fushës, e kap kur sfera ende nuk kishte dalë. Arbitri e nis duke i’a lënë topin lojtarëve të Tiranës, të cilët e kthejnë te shkodranët.

-Në momentin e zënkës që nisi mes Agollit e Belishës, ndërhyjnë edhe pjestarë të stafit të Vllaznisë. Arbitri i ndeshjes nxjerr më pas jashtë drejtorin teknik, Kujtim Shaba.

E Shtune, 23 Maj 2009  

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›