Zbardhen enigmat “evropiane”Tirana do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve. Flamurtari, Vllaznia e Dinamo në Ligën e Europës

Me përfundimin e sezonit 2008-2009 e fitimin e titullit kampion nga ana e Tiranës, u zbardh edhe enigma e fundit e skuadrave që do të marrin pjesë në kompeticionet evropiane edicionin e ardhshëm: Tirana, Vllaznia,Flamurtari e Dinamo. Shqipëria do të paraqitet në dy kompeticionet europiane të klubeve me katër skuadra, 1 në Ligën e Kampioneve dhe 3 në Ligën e Europës, kjo e fundit e krijuar rishtas pas “shkrirjes” së Kupës UEFA dhe asaj Intertoto.
LIGA E KAMPIONEVE
Tirana është skuadra që do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, si kampione e Shqipërisë në Kampionatin e 70-të Kombëtar të futbollit. E veçanta për edicionin 2009-2010 është fakti se kampionia e Shqipërisë merr pjesë direkt në turin e dytë eliminator, për shkak të renditjes së fortësisë së kampionatit shqiptar në Europë, i 43-ti (3.6 koeficienti i Shqipërisë; 75.7 koeficenti i Anglisë, kampionatit më të fortë në Europë). Në raundin e parë eliminator luajnë skuadrat kampione të vendeve, kampionatet e të cilave renditen nga vendet 47-53 (nga Uellsi deri te San Marino). 22 skuadra do të kualifikohen direkt për në fazën e Grupeve, kur sipas sistemit aktual ato ishin vetëm 16, pasi 16 të tjerat ishin të kualifikuara direkt nga UEFA. Nga turi i tretë eliminator do të kualifikohen 10 skuadra e jo 16 si tani. Turi i tretë eliminator do të ketë dy grupe dhe nga secili grup do të kualifikohen 5 ekipet e para. Kampionia e Shqipërisë duhet të kalojë të paktën një tur për të vazhduar aventurën në Ligën e Europës edhe pse do të eliminohej nga Liga e Kampioneve.
LIGA E EUROPËS
Shqipëria do të paraqitet me tri skuadra: fituesen e Kupës së Shqipërisë dhe dy skuadrat e tjera, që renditen nga vendet 2-3. Flamurtari (si fitues i Kupës), Vllaznia (e vendit të dytë) e Dinamo (vendi i tretë) janë tre skuadrat që tashmë e kanë prerë biletën në kompeticionin më të ri të organizuar nga UEFA për klubet. Edhe këtu e veçantë për edicionin 2009-2010 është fakti se fituesja e Kupës së Shqipërisë merr pjesë direkt në turin e dytë të Ligës së Europës. Dy ekipet e tjera shqiptare në Ligën e Europës e nisin aventurën nga turi i parë eliminator.
ZONA E EUROPËS
Ekipet shqiptare
LIGA E KAMPIONEVE
Tirana
LIGA E EUROPËS
Flamurtari, Dinamo dhe Vllaznia
E Shtune, 23 Maj 2009