Bijtë e Bllokut, bllokadë kundër BE-së

Kryeministri Berisha, në një bashkëbisedim me gazetarët, ka kujtuar se zgjidhja e ngërçit në vend, prej bllokimit të të gjitha ligjeve, prej një opozite që ka ringjallur brezin e dytë të Bllokut komunist, do të mund të zgjidhet vetëm në zgjedhjet e përgjithshme të 2013-s
Deklaratat e forta të intervistës
- Për presidentin e ri, s’do të bëjmë eksperimente me zgjedhje jashtë kushtetutës
- Largimi nga grupi parlamentar, e njëjta zgjedhje si e Namik Dokles në ’91-in
- LSI, në qeveri si një forcë politike sovrane, sipas marrëveshjes, jam i detyruar të respektoj vullnetin e saj
- Dënimet kolektive, propozime që Ramës i vijnë nga dëshpërimi, se s’vjen dot në pushtet
- Marrëveshja Prishtinë-Beograd do shtojë njohjet e pavarësisë së Kosovës
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një bashkëbisedim me gazetarët. Duke ju larguar formalitetit të këtyre lloj bashkëbisedimeve, Kryeministri nuk bëri ndonjë deklaratë, ndërsa e konsideroi bashkëbisedimin si “detyrim ndaj gazetarëve”, të cilët jo gjithmonë kanë mundësi të marrin përgjigje për pyetje të ndryshme. Më pas Kryeministri Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me gazetarët iu është përgjigjur pyetjeve të tyre lidhur me çështje të ndryshme të politikës shqiptare, si largimi i Oketës nga grupi parlamentar i PD-së, zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, prishjes së marrëveshjes nga ana e PS-së, me synim bllokimin e reformave, marrëveshjes Kosovë – Serbi, gazsjellësin Transadriatika, etj...
Meqenëse një ndër çështjet kryesore është debati i brendshëm në Partinë Demokratike, dua të ndalem në mbledhjet e grupit të Partisë Demokratike. Deputeti i PD-së Oketa ka deklaruar në një emision televiziv se ka që nga tetori që nuk i ndjek mbledhjet e grupit, madje ka hedhur edhe një lloj akuze që i ngjajnë mbledhjeve të byrosë. Do të donim të dinim se cili është qëndrimi i kryetarit të partisë për këtë?
Siç e dini, Kryetari i Partisë Demokratike, vetëm në rastet kur nuk ndodhet në Shqipëri, merr pjesë një herë në javë, në mbledhjen e grupit parlamentar dhe diskuton në këtë mbledhje probleme të interesit të përgjithshëm, të platformës, por edhe probleme të veçanta të zonave të tyre elektorale, ose çështje të tjera. Kjo është një konstante e shumicës së mbledhjeve, përveçse rasteve, kur ndonjë shkak madhor protokollar më detyron ta bëj mbledhjen të shkurtër. Në këtë kontekst, ju garantoj se si rregull, në shumicën e mbledhjeve, deputetët ngrenë para kryeministrit dhe ministrave të pranishëm probleme që kanë të bëjnë me çështje të zgjedhësve të zonave të tyre elektorale, me shqetësime dhe ankesa të tyre. Sikundër, në këto mbledhje, deputetët ngrenë edhe probleme të përgjithshme. Mund të të them, se në memorien time, e cila funksionon, deputeti Oketa, as tani, as në kohën kur ka qenë në funksione ndër më të larta në qeveri, nuk ka ngritur qoftë edhe një problem të vetëm, në mbledhjet e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Të besoj se ish ministri i Mbrojtjes ishte frikacak të ngrinte çështje në mbledhjet e grupit parlamentar, kjo nuk më konvenon me problematikën. Deputeti Oketa ka marrë pjesë rregullisht në mbledhje gjer në shtator apo tetor, siç thotë dhe nuk ka ngritur ndonjëherë as edhe një problem, as kur ka qenë zëvendëskryeministër apo ministër apo deputet. Kështu që, shkaqet e këtij divorci duhet t’i kërkojmë tjetërkund. Investigoni ju gazetarët.
Kishte frikë ministri i Mbrojtjes apo zëvendëskryeministri të ngrinte çështje në mbledhjen e grupit parlamentar?!
Ju thatë se ai nuk fliste dot në mbledhjen e grupit, por në mbledhjen e grupit, ju garantoj flet çdo njeri dhe nuk i është kërkuar kujt kurrë, as edhe njëherë dhe nuk mund të ndodhë t’i kërkohet llogari përse ngre çështje në grupin parlamentar, kur në grup ngrihen rëndom probleme dhe kjo është normë konstante. Zoti Oketa nuk ka ngritur qoftë edhe një herë të vetme dhe ju garantoj se të gjitha çështjet politike janë diskutuar e diskutohen me grupin parlamentar të Partisë Demokratike. Unë jam i hapur për çdo diskutim. Zoti Oketa zgjodhi një mënyrë tjetër. E kemi dëgjuar ndonjëherë kryetarin e partisë të thotë pse Oketa bëri këtë apo atë? Kam vetëm këtë keqardhje: zoti Oketa hyri në parti si përfaqësues i një brezi tjetër, të ri dhe u largua nga PD-ja si një Namik Dokle. Parlamenti dhe muret e tij kanë arkivin dhe memorien, koha stampohet. Ndodhi në vitin 1991 që si kurban për Ramiz Alinë, Namik Dokle pranoi të marrë vetëm votën e tij, ndodhi në vitin që jemi, që kurban për Bamir Topin, Gazmend Oketa të marrë vetëm votën e tij. Këtë, Gazmend Oketa nuk duhet t’ia bënte vetes.
Në kushtet kur faktori ndërkombëtar, ambasadorët në Tiranë, ka intensifikuar deklaratat e tij në drejtim të mazhorancës për zgjedhjen e presidentit konsensual, i konsultuar me të gjitha palët. Ju i qëndroni deklaratës suaj se presidenti do të dalë nga radhët e mazhorancës, si politikan karrierë nga radhët e mazhorancës?
Unë jam njeri jashtëzakonisht vlerësues dhe bashkëpunues me faktorin ndërkombëtar. Por, në atë që quhet faktor ndërkombëtar në këtë vend e në çdo vend, sundimi i ligjit është standardi që bashkon vendet e lira. Në këtë kontekst, ne jemi të hapur të diskutojmë me të gjithë faktorët parlamentarë, kandidaturat apo kandidaturën për president të republikës, por, në çdo rrethanë, ne mbetemi të vendosur t’i japim vendit një president në përputhje me Kushtetutën e Shqipërisë. Do të ishte qesharake, jo serioze që ne të zëvendësonim Kushtetutën me forma të tjera të paparashikuara. Periudha, kur ne e zgjidhnim presidentin me 3/5 e votave, mori fund në vitin 2008, me një marrëveshje për ndryshimin e Kushtetutës së vendit. Arsyetimi i atij ndryshimi është jashtëzakonisht solid. Relacioni që shoqëron atë ndryshim fakton se qëllimi më madhor është të parandalohet një krizë institucionale, është parandalimi i futjes së Shqipërisë në një elektroshok zgjedhor një vjeçar etj. etj.. Vendi, nga i cili u mor ky model ishte Kushtetuta greke, një Kushtetutë shumë e mirë, përveç këtij neni. Në zgjedhjet e fundit, ky nen u bë shkak për zgjedhje të parakohshme në republikën helenike. Kjo është e vërteta. Nëse e studion me vëmendje këtë nen, ai bie në kundërshti me frymën e Kushtetutës, e cila përcakton sistemin të bazuar në zgjedhje periodike dhe zgjedhjet periodike janë zgjedhjet që bëhen një herë në 4 a 5 vjet, veç rasteve kur humbet me mocion, në republikat parlamentare. Në këtë rast, ligjvënësit kanë shtuar një faktor tjetër ekstra që ndërpret zgjedhjet dhe që nuk ka të bëjë me funksionalitetin e qeverisë, por ka të bëjë me zgjedhjen e kreut të një institucioni tjetër. Kushtetuta të ndryshme, në këtë rast, kanë ndjekur dy qëndrime për të parandaluar një gjë të tillë: zgjedhjen e presidentit me 50 për qind plus 1 të votave në raundet e fundit, siç vendosëm ne me zotin Rama ose zgjedhje nga populli, siç e kanë disa vende. Që të dyja këto zgjedhje nuk cenojnë parimin e periodicitetit të zgjedhjeve të përgjithshme që sanksionohet në afatin kohor 4 a 5 vjeçar, sipas kushtetutave të ndryshme. Pra, kemi të bëjmë me një përshtatje që u bë në Kushtetutën e Shqipërisë me atë model të zgjedhjes së presidentit, i cili nuk ndërhyn në parimin e zgjedhjeve periodike të përgjithshme në vend.
Do ta tentoni kompromisin në tre raundet e para, pasi në deklaratat e mëparshme keni lënë të kuptohet se do të jeni një kandidat i mazhorancës?
Do të jetë kandidat i mazhorancës dhe në rast se zoti Rama do të japë votat, ne e mirëpresim. Sikundër, zoti Rama, në përputhje me Kushtetutën është i lirë dhe i ftuar të paraqesë kandidatin e tij. Nuk ka asnjë pengesë, zoti Rama ka të gjithë fuqinë, me firmat e deputetëve të tij, të paraqesë një apo dy kandidatë, sipas dëshirës së tij. Ky nuk do të jetë një proces konfrontues, por do të jetë kushtetues. A do të jetë nga mazhoranca? Unë i qëndroj asaj që kam thënë në kryesinë e Partisë Demokratike. Nuk di ndonjërin që mund të më thuash se nuk ka kapacitetin për të mos qenë president i republikës. Ky është vlerësimi im. Natyrisht, pastaj vlerësimet janë individuale. Por ligji ndiqet.
Kur jemi një vit para zgjedhjeve të vitit 2013, keni ndërmend të bëni ndryshime në qeveri nisur edhe nga kërkesat që keni nga anëtarë të grupit tuaj parlamentar, që kërkojnë ndryshime në qeveri, si deputeti Alibeaj, Xhepa?
8 maji ishte prova më e rëndësishme për qeverinë që unë kryesoj. 8 maji ishte testi mbarë popullor, për funksionalitetin e kësaj qeverie. Kundërshtari im, për të më ndihmuar mua në këtë drejtim, i shpalli zgjedhjet plebishit antiqeveritar dhe këtë nuk ia diktova unë, por e zgjodhi vetë. Dhe rezultati i 8 majit ishte 142 mijë vota më shumë për koalicionin që unë drejtoj, sesa koalicioni i zotit Rama. Rezultati ishte gjithashtu fitorja e katërfishtë në bashkinë e Tiranës, në total me 10 909 vota më shumë. Unë nuk kam alternativë tjetër veçse të respektoj verdiktin e qytetarëve dhe vlerësimin e tyre.
Po nëse ju kërkon LSI ndryshime në qeveri, do t’i bëni?
LSI është në qeveri si një forcë politike sovrane, e lidhur me një marrëveshje e koalicion dhe unë, si kryetar i mazhorancës, jam i detyruar në përputhje me atë marrëveshje, të respektoj vullnetin e kësaj force, në përmasat e marrëveshjes.
Sot është cenuar kompromisi në komisionin e ligjeve dhe ka gjasa të mos miratohet me konsensus Kodi Penal në seancën e së enjtes në parlament. Besoj jeni njohur se ka ndodhur për shkak të disa kërkesave të PS-së për të kriminalizuar disa vepra, përfshi Këshillin e Ministrave apo falsifikimin e shifrave të statistikave zyrtare. Gjatë këtyre ditëve, ju i keni mëshuar faktit se komisioni i reformës zgjedhore dhe i ligjeve kanë kriminalizuar shumë vepra penale që lidhen me komisionet e zgjedhjet. Ky kriminalizimin a i shërben klimës politike, kur përpara kemi edhe zgjedhjen e presidentit që mund të arrihet me një zgjedhje konsensuale?
Ajo çka mund të përmbledh këtu dhe juve mund t’ju vijë pak si e veçantë është: blloku është vetëm bllokim, çunat e bllokut nuk kanë parim tjetër, përveç bllokimit. Është jashtëzakonisht interesante lidhja e qëndrimit të tyre me bllokun dhe nocionin e etërve të tyre. Le t’i marrim me radhë, se mund të duket çudi. Po punohej fare mirë në reformën elektorale, me seriozitetin e përkushtimin më të madh. Mesa di unë, OSBE kontraktoi ekspertë të një reputacioni botëror në doktrinën elektorale. Por zoti Rama, i cili e vërteta është se tallet me veten e tij, zgjodhi rrugën e dytë dhe hodhi poshtë të parën. Rruga e parë që i ofrova ishte: shkruaj të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, dërgoi në Komisionin e Venecias dhe ODIHR dhe ne do t’i votojmë ato pa asnjë ndryshim dhe asnjë kusht, nëse nuk e do këtë rrugë, të ulemi e t’i bëjmë bashkë, por pa diktate. Këtu ka një traditë 20 vjeçare pune e produkti të përbashkët në këtë fushë, ku do të ketë lëshime, kompromise e mospranime. Ky është rregulli. Zoti Rama nuk e pranoi propozimin e parë, sepse në të gjithë matematikën, ai del humbës në 2013-ën dhe nëse do ta bënte vetë ligjin, në 2013 nuk do të kishte më Kastriot [Islami] për të bërë kurban dhe të gjithë do t’i thoshin se nuk do të kishte më mundësi të akuzonte 20 mijë komisionerë si tradhtarë apo të korruptuar nga kryeministri. Për t’u shpëtuar këtyre të dyjave, zgjodhi rrugën tjetër, e cila për çdo njeri të qytetëruar është rrugë kompromisi. Zoti Rama doli befas para jush dhe denoncoi bllokimin, edhe pse nuk ju tha edhe një amendament të vetëm të paraqitur nga partia e tij që ishte hedhur poshtë nga ne. Bllokuan reformën! Po ashtu, për muaj të tërë, verën e vjeshtën e kaluar, kërkonte ndryshime në rregulloren e parlamentit, të cilat, absolutisht, të paktën për 30 vjet nuk kisha ndërmend t’ia pranoja, se ishin marrëzira ligjore, marrëzira logjike dhe ekstensione të psikologjisë së bllokut: bllokimi. Atëherë zoti Rama, siç e ka zakon që i bie murit me kokë dhe kur i dhemb shumë koka kthehet, doli dhe tha pranoj të bëjmë reformën sipas rregullores së parlamentit europian. U mblodh komisioni dhe zoti Rama solli aty dy deputetë të tij, zotin Bushati dhe një tjetër, si dhe solli si propozime të gjitha ato që i kishte bërë para marrëveshjes, pra, që kryeministri të mos flasë më shumë se 10 minuta në parlament. Ai harron se kryeministri i Shqipërisë dhe çdo kryeministër në një vend të lirë është ai që udhëheq në fushatë elektorale, është ai që mban të gjithë përgjegjësinë për fitoren dhe për humbjen, është ai që jep llogari periodike, intensive në parlament, para kombit e qytetarëve të vet për problemet. Për këtë arsye, Kushtetuta e të gjitha vendeve, i Shqipërisë, Gjermanisë dhe vendeve të tjera, i njeh të drejtën e fjalës në parlament sa herë të dojë të flasë. Ky është një nen standard edhe në kushtetutën e Shqipërisë dhe këtë nen e ka vendosur në Kushtetutë paraardhësi im dhe zoti Rama nuk kërkoi ta lëvizej ky nen, kur ne ndërhymë në Kushtetutë, sepse nuk mund të lëvizej. Zoti Rama e sheh se më parë mund të gjejë një eskimez në shkretëtirë, sesa të bëhet kryeministër, e sheh se shqiptarët e kanë destinuar atë, për të gjitha bllokimet që bën, për ta mbajtur vetëm në opozitë, tani thotë ta rrethojmë e ta bllokojmë me ligj kryeministrin. Por kryeministri i ka të përcaktuara në ligj të gjitha gjërat. Gjithashtu, ai kërkon që koha prej 60-të minutash, e cili kaloi në fund të seancës dhe u lavdërua në raportet ndërkombëtare, kërkon ta rikthejë sërish në fillim të seancës, në mënyrë që ta bllokojë parlamentin. Sikundër kërkon që dekretet e presidentit të votohen fshehtas, gjë që nuk ekziston në asnjë vend. Dekretet nuk janë kompetencë vetëm e presidentit të Shqipërisë. Ato janë kompetencë pothuajse e të gjithë presidentëve. Zoti Rama nuk është kurrë në gjendje të gjejë një parlament të një vendi që voton fshehtas dekretet e presidentit. Unë e kuptoj, por, nëse do që t’i japësh seriozitetin më maksimal, të bëhet votim nominal, siç ndodh kjo rëndom në Kongresin Amerikan. Por të kërkosh ta bësh të fshehtë votimin e dekretit, këtë nuk mund ta bësh kurrë. Çdo propozim tjetër që bëhet në parlament, përveç dekretit, votohet fshehtas. Çfarë ndodhi sot? Që nga fillimi i viteve ‘800, që nga koha e Napolon Bonapartit që është edhe themeluesi i kodeve të sotme të botës perëndimore e gjer më sot, dënimi kolektiv nuk ekziston. Për hir të së vërtetës, këtë nuk e kanë as kodet e Kim Il Jungut, por nuk e kishin as edhe kodet e etërve shpirtërorë të Edi Ramës. Vendimi i Këshillit të Ministrave është vendim kolektiv, vendimet e parlamentit janë vendime kolektive. Është primitivizëm të shkosh 200 vjet mbrapa. Të kërkosh dënim kolektiv, është kërkesa më ekstreme dhe më e zezë që mund të bësh. Këtë paraqitën sot, përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe kjo ditë do të shënohet në analet e parlamentit. Me këtë ata demaskuan dhe treguan se kjo i duhej Sallakut, sepse ata nisën proces ndaj një trupi kolektiv, siç ishte rruga e kombit. Ju kujtohet kur unë ju thosha se kjo është e paprecedentë në historinë e një vendi. Tani ata kërkojnë të plotësojnë bazën ligjore të asaj që bënë, të asaj komedie të turpshme që organizuan me prokurorinë politike. Por kjo nuk mund të ndodhë. Nuk ka dënim kolektiv. Vërtet, një ministër apo punonjës e nis, por Këshilli i Ministrave e rrëzon dhjetë herë, nëse e miraton, është vendim kolektiv dhe askush nuk mund të gjykohet. Atë e gjykon populli, kur shkohet në zgjedhje, i thuhen dëmet që janë bërë dhe merret verdikti. Sot, për të prishur edhe nenet që u ranë dakord, sollën amendamentet e dënimit kolektiv. Por ky amendament simbolizon kampe përqendrimi, simbolizon dënime kolektive, simbolizon psikologjinë më të errët të njeriut. Njeriu i qytetëruar nuk mundet kurrë të bëjë një tentativë të tillë. A mund ta pranojmë ne, këtë? Absolutisht jo. Këtë nuk e ka as edhe Koreja e Veriut, as sulltanati më absolut. Neni tjetër që propozuan është dënimi për falsifikatorin e statistikave. Në fakt, në Kodin tonë nuk ka një, por disa nene që dënon falsifikimin e qëllimshëm. Si qëndron problemi i statistikave? Statistikat jo vetëm këtu, por kudo në botë kanë relativitetin e tyre. Për shembull po marr statistikat e bujqësisë. Vende të zhvilluara e nxjerrin atë me satelit, kanë treguesit e vet që shohin fushën e grurit dhe raportojnë se prodhimi i grurit këtë vit do të jetë me këtë ngritje. Nuk mund të thuhet se është qind për qind e përpiktë, por është afërsisht e përpiktë dhe mbi të ndërtohen politika tregtare botërore të grurit. Atëherë, ne do të themi se ulliri prodhon kaq apo aq dhe do të varim dikë përkëmbësh pse nuk doli tamam. Ligji është dhe në rast se dikush bën një gënjeshtër të vërtetueshme që mund ta parandalohej, atëherë dërgoje aty ku duhet. Por përse ka zgjedhur statistikën shtetërore? Kjo, sepse zoti Rama ka një problem madhor me aritmetikën. Ai u thotë shqiptarëve se janë një milion të papunë, një milion kështu e një milion ashtu dhe nuk pranon statistikë tjetër përveç kësaj, nuk pranon statistikë tjetër përveç asaj që thotë vetë se 95 për qind e shqiptarëve janë të varfër, pavarësisht se ka një statistikë të Bankës Botërore që thotë se varfëria në Shqipëri është 12 për qind. Edhe pse nuk është statistikë e Shqipërisë, ai nuk pranon tjetër veç asaj që thotë vetë se 95 për qind e shqiptarëve janë të varfër dhe keni për ta parë që gjatë zgjedhjeve do ta çojë në 99 për qind. Paçka se 300 e ca mijë familje shqiptare, pothuajse gjysma e tyre, kanë nga dy shtëpi dhe ky është fakt i regjistrimit. Ai ka një problem shumë të madh me realitetin dhe ai njeh si realitet vetëm atë që krijon në mendjen e tij dhe nuk është kurrkund. Dhe arsye e kësaj është bllokimi. Bllok do të thotë bllokim. Këta kanë një mision. Ju e dëgjuat sot se një nga pinjollët e bllokut në komisionin e ligjeve tha se një nga drejtoritë nuk duhet të jetë në varësi të kryeministrit, por në varësi të Këshillit të Ministrave. Ky zotëri ka votuar ligjin në parlament – jo ne, por ata - sipas të cilit nuk ka varësi në Këshilli i Ministrave, sipas të cilit nuk mund të ketë varësi në Këshillin e Ministrave, përveçse nga kryeministri. Cili ka qenë qëndrimi ynë? Kur unë u bëra kryeministër, kam pasur 23 institucione në varësi të Këshillit të Ministrave. Unë kam hequr 12 nga Këshilli i Ministrave dhe i kam dërguar në varësi të institucioneve të tjera. Pro disa nuk mund t’i heqim. Konkretisht, statistikën kam dashur që fillim ta vendos në varësi të Ministrisë së Financave, por kanë kundërshtuar me logjikë, partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët nuk pranon që ky institucion të varej nga Ministria e Financave, pasi vetë kjo ministri është burim i materialeve që ky institucion përpunon dhe mbeti në Këshillin e Ministrave. Por ligji organik i Këshillit të Ministrave përjashton totalisht varësinë nga Këshilli i Ministrave, ka varësi vetëm te kryeministri. Ndaj, për shkak se edhe ata, edhe ne kemi bërë gabime dhe i kemi quajtur në varësi të Këshillit të Ministrave, nuk po i ndryshojmë emërtimin absolutisht asnjë institucioni, ne po korrigjojmë germën, për ta përshtatur me ligjin, që thotë në varësi të kryeministrit. Por edhe në rast se është në varësi e Këshillit të Ministrave, sërish është varësi e kryeministrit që drejton Këshillin e Ministrave. Nuk mund të thotë kush se drejtoria e dokumenteve të klasifikuara mund të varet plotësisht nga Ministria e Kulturës, mund të varet nga Ministria e Brendshme apo e Mbrojtjes, por ligji e lë në varësi të Këshillit të Ministrave, pra, të kryeministrit. U ndala tek këto çështje, për të thënë se platforma e neo-bllokut është vetëm bllokimi. Ata kërcejnë se përse u thotë kryeministri bllokmenë të rinj, por çfarë t’u them, kur bëjnë gjithçka për të bllokuar Shqipërinë dhe vetëm për ta bllokuar?! Përse zgjedhin pikërisht momentet? Sot. Zoti Rama doli dhe foli për Serbinë, por Shesheli ishte armik i egër i shqiptarëve, por nuk bënte kurrë përpjekje për t’i bllokuar Serbisë integrimin. Ai ishte për t’i pjekur shqiptarët në hell, pasi kjo ishte urrejtja e tillë patologjike, por nuk votonte kundër në parlament ndaj Serbisë dhe perspektivës së saj. Partia e Sheshelit dhe Sllobodanit janë edhe sot, aty, në parlament, por nuk votuan kundër asnjë reforme, siç bën ky grusht bllokmenësh të rinj që bllokojnë.
Mos vallë emri i ardhshëm për presidentin e Republikës po mban peng mbledhjen e forumeve në PD për përzgjedhjen në postet drejtuese dhe nëse ka ndonjë afat se kur mund të mblidhen këto forume?
Asgjë nuk ka të vërtetë. Por a do të ishte e njerëzishme që forumet e PD-së të nxirrnin emrin e presidentit tani, në një kohë kur zoti Topi ka edhe disa muaj në detyrë. Nuk është çështja e qëndrimeve ndaj zotit Topi si person, por është çështja e qëndrimeve ndaj presidencës si institucion dhe kjo nuk mund të bëhet. Në respekt të institucionit të presidencës, emri do të dalë dhe do të diskutohet atëherë kur e përcakton Kushtetuta. Kjo nuk do të ndodhë përpara, sepse Kushtetuta e ka të përcaktuar afatin se sa ata mund të bashkëjetojnë, d.m.th periudha e tranzicionit nga momenti i zgjedhjeve deri në kalimin e pushtetit është një muaj. Dhe kjo është qëndrim i pandryshueshëm.
Si i konsideroni hetimet e deritanishme për ngjarjet e 21 janarit, në një kohë që Prokuroria ka një akuzë publike dhe pretendon se ka fakte konkrete se komandanti i gardës akuzohet për vrasjen e shtetasit Faik Myrtaj?
Për sa i përket këtij problemi, lexo gazetat çdo ditë, se si Prokuroria shet dosjen dhe dëmton hetimet. Kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndë dhe të garantoj se nuk ndodh kurrë në ndonjë vend tjetër, përveçse në Shqipëri, ku me dosjet dhe materialet bëhet pazar. I shesin me lekë apo i shesin me politikë, këtë nuk e di. Ajo që di është se çdo ditë botohen gënjeshtra ose fakte nga dosja e hetimit dhe kjo është mënyra më e sigurt për të shkatërruar hetimin.
Kur do të bëhet rritja e pagave dhe pensioneve e parashikuar në buxhet dhe në çfarë mase. Në kuadër të kësaj, a do të merri një reformë të thellë pensionesh, nëse jemi një vit para zgjedhjeve?
Rritja e rrogave dhe pensioneve do të bëhet në datën 1 korrik, sipas parashikimit. Është bërë çdo vit në datën 1 korrik, përveç vitit 2009 që, për shkak të zgjedhjeve, u detyruam t’i afrojmë 2 muaj para, në mënyrë që të mos korrespondonin me ditët e zgjedhjeve dhe herët e tjera janë bërë më datën 1 korrik. Rritja do të jetë në masën e parashikuar mbi indeksimin. D.m.th që të gjitha më shumë se sa indeksimi, por jo të gjitha në të njëjtën masë, të ulëtat më shuma, të lartat më pak. Reforma e pensioneve kërkon një konsensus më të gjerë, sepse kjo është një reformë që bëhet minimumi për 40 vjet, por mund të shkojë edhe 50 vjet e më shumë, nëse e vendos në baza të drejta. Opozita është në linjën e bllokimit. Ajo është bërë sinonim i bllokimit, për shkak të origjinës nga blloku. A duhet që qeveria të lëvizë pa opozitën në reformën e pensioneve? Jo, sepse kjo është një trashëgimi prej dekadash. Ndaj do të vijë viti 2013 dhe shqiptarët do të japin verdiktin përfundimtar ndaj bllokimit, sepse ata që mund të marrin peng qytetarët e vendit gabojnë shumë. Pastaj do ketë mundësi të shqyrtohet reforma e pensioneve. Ajo është e gatshme dhe pret në sirtar dhe e kemi bërë me ekspertët më të mirë në botë, të Bankës Botërore, absolutisht, ekspertët më të mirë. Por opozita nuk do.
A do të rishikohet buxheti për të blerë energji?
Problemi më madhor, këtë vit, ka qenë problemi i energjisë, sepse në memorie, kjo është thatësira më e madhe. Digat nuk kanë qenë kurrë në muajin shkurt afër nivelit pothuajse zero. Edhe në muajt e supozuar me kulmin e reshjeve, nëntori dhe dhjetori, kanë qenë të thatë pothuajse sa muajt qershor dhe korrik. Ndaj ne jemi të detyruar të blejmë. Ne jemi të gatshëm ta bëjmë çdo lloj ndryshimi në buxhet, që të sigurojmë furnizimin me energji. Ne besojmë se qytetarët shqiptarë nuk meritojnë errësirën. Ne besojmë se vendi i tyre nuk duhet t’i kthehet kurrë, viteve të errësirës. Dënimi kolektiv i tyre është absolutisht i papranueshëm. Ndaj, ne do të blejmë pavarësisht nga çmimi, për sa kohë të gjejmë në treg. Dua të theksoj se ka pasur një moment të vështirë dhe sërish nuk është zgjidhur, sepse kjo thatësirë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por të gjitha vendet përreth. Thatësira ka cenuar thellë rezervat ujore në të gjitha vendet. Nuk është se nuk ndjehet kjo, por do ta ndienim shumë më tepër, në qoftë se kthenim terrin. Terri është fenomen, nga i cili shqiptarët duhet të jenë ndarë njëherë e përgjithmonë. Edhe sot, ne po diskutonim për fonde të tjera për KESH-in, për të blerë sasi të tjera energjie. Lënduese është, por është jetike dhe e domosdoshme. Sikundër ju jeni dëshmitarë se për këtë qeveri tre kanë qenë përparësitë më absolute: energjia, rrugët dhe mosha dixhitale. Dhe në të tria, Shqipëria ka lëvizur më shpejt se kurrë.
Keni pasur një reagim zyrtar lidhur me marrëveshjen Kosovë-Serbi, me atë që njihet fusnota. Por ky konkluzion është përcjellë me konfuzion. Sa realisht ka përfituar Kosova nga kjo marrëveshje, cili është komenti juaj dhe sa e shihni këtë si një arritje të Kosovës?
I përmbahem plotësisht asaj që kam deklaruar me bindjen time më të thellë, se ai është një akt i një rëndësie të veçantë, madhore për Kosovën. Nuk them se aty nuk u bë një kompromis. Sigurisht që u bë një kompromis nga të dy palët. Por të jemi të drejtë. Të dy palët këtë kompromis e kanë bërë për të njëjtin qëllim, për të cilin, në vlerësimin tim, ia vlen shumë. E kanë bërë për rrugën europiane, për të garantuar të ardhmen e tyre në Europë. Kosova pranoi fusnotën dhe do të jetë e gabuar të mendohet se e pranoi ngushtësisht për marrëdhënie bilaterale me Serbinë, ose vetëm për marrëdhënie bilaterale. Fusnota ishte e domosdoshme për Kosovën, sepse 5 vende anëtare të Bashkimit Europian nuk e kanë njohur Kosovën. Kjo është e vërteta më e madhe. Pa votën e këtyre 5 vendeve, hapat e Kosovës drejt BE-së, për të mos thënë janë të pamundura, janë shumë të vështira, për mekanizmin e funksionimit të Bashkimit Europian. Pra, nuk është Serbia dhe marrëdhëniet me të qëllimi i parë. Këtu ka diçka shumë më madhore që ka të bëjë me perspektivën europiane të Kosovës, me gjetjen e një mekanizmi, për të zbutur këtë pengesë që del nga mosnjohja nga këto 5 vende, të cilat kanë faktuar se, ndonëse nuk e kanë njohur, nuk kanë mbajtur qëndrime tërësisht bllokuese, kanë mbështetur EULEX-in, disa prej tyre në një formë a një tjetër kanë qenë në Kosovë, kanë rënë dakord për liberalizimin e vizave. Unë e kuptoj se më e mira do të ishte të mos kishte asnjë fusnotë dhe Kosova të ishte e njohur nga 150 vende, të ishte e njohur nga të gjitha vendet e Bashkimit Europian, por realiteti është ky që është dhe në kushtet që është, me fusnotën, Kosova pranoi të mos citohet direkt deklarata e Pavarësisë, por të citohet në kuadrin e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare dhe është absolutisht e njëjta gjë. Madje e cituar në kuadrin e GJND-së, e cila ka gjykuar Deklaratën e Pavarësisë nëse është legale apo jo, në një farë mënyre citohet legjitimimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës. Ndaj këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë lloj cenimi, në krahasim me atë që u kërkua. Për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjithë shqiptarët që duan që rruga europiane të ecë dhe të shohin të ardhmen europiane të Kosovës si të ardhmen më të mirë, kjo marrëveshje është një marrëveshje qartësisht pozitive dhe e rëndësishme. Ka edhe më shumë se kaq. Edhe Serbia ka bërë kompromis dhe kompromisin e ka bërë jo për hir të Kosovës, por e ka bërë vetëm për hir të perspektivës europiane. Serbia, për të larë duart me qëndrimet e veta kërkonte të vihet në fusnotë, rezoluta 1244, e cila nga vetë thelbi i marrëveshjes është rrëzuar katërcipërisht. Lexoni rezolutën. Ajo është tejkaluar në të gjitha nenet. Ka pasur një nen që i funksiononte rezolutës dhe ky ishte neni i përfaqësimit të Kosovës nga UMNIK, i caktuar i Sekretarit të Përgjithshëm. Faktikisht, duke e futur në fusnotë rezolutën, Serbia e rrëzoi atë, sepse Kosova nuk do të përfaqësohet më nga përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm, por Kosova do të përfaqësohet nga përfaqësuesit e popullit të Kosovës, kryeministri, presidenti dhe ministri i saj i Jashtëm. Kjo është marrëveshja dhe po dal te një koment shumë i drejtë që bëri Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton, e cila tha: Kjo do të ndihmojë njohjet e mëtejshme të Kosovës. Për çdo njeri që analizon, Serbia po ulet me Kosovën si e barabartë mes të barabartëve. Ajo ka vendosur një fusnotë pa kokë dhe ia hoqi kokën që kur pranoi që të mos jetë përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm, por përfaqësuesi i Kosovës. Kështu, faktikisht, edhe të vetmin nen të asaj rezolute që kishte mbetur gjallë, e varrosën. Këtë, qeveria Serbe e ka shumë të qartë, por e bëri për hir të integrimit europian. Marrëveshja, nga ana tjetër, i jep mundësi vendeve anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën që, atë që pranon Serbia, ta pranojnë edhe ata, të mos kenë asnjë lloj vështirësie, për të pranuar Kosovën si shtet. Në këtë rast, ndodhi që Serbia thotë nuk njoh Kosovën e pavarur, por e pranoi Kosovën e pavarur. Ndaj, unë shpresoj dhe besoj që qytetarët e Kosovës të realizojnë se kjo marrëveshje, në kushte reale, është absolutisht interesi më i mirë i tyre. Kjo marrëveshje nuk është se vendos vetëm bashkëpunimin rajonal, por hap rrugën reale të integrimit të Kosovës në Bashkimin Europian. Premtimi që u bë nga zonja Ashton dhe komisioneri Fule është real, do të bëjnë fizibilitetin. Unë them se ajo ka qenë një marrëveshje e rëndësishme jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë rajonin. Në këtë rast, i gjithë rajoni ka një perspektivë më të madhe europiane.
Lidhur me gazsjellësin Transadriatik. Ju keni thënë se do të loboni fuqishëm që ky gazsjellës të miratohet, cili do të jetë aktiviteti juaj në vijim?
Prej 20 vitesh nuk është diskutuar më shumë në gjeopolitikë dhe gjeostrategji sesa gazsjellësit, në Europë. Dihet që gazsjellësit kryesorë janë në veri, nga Rusia dhe Norvegjia. Jugu i Europës ka probleme serioze me gazin. Ka pasur disa projekte, më kryesori është Nabuko, i cili duhet të ketë një kapacitet prej 34 metër kub në sekondë. Projekte të tjera kanë qenë Rryma e Jugut, IGTI-ja, TAP-i, ka dalë edhe një tjetër tani, Nabuko-leight. Nga këta, dy i interesonin Shqipërisë më shumë, TAP-i, i cili kalon në territorin e Shqipërisë dhe përfundon në Itali që sigurisht është më me interes, se sa gjithë të tjerët, por duhet të pranojmë që edhe IGTI-ja jo që në fillim, por më vonë u parashikua degë për Shqipërinë, mbas shumë përpjekjeve dhe qëndrimeve tona që ishin by pass-uar në mënyrë të paarsyeshme, për aq sa jemi ne treg, se edhe ndonjë treg i madh nuk jemi. Burimi më i sigurt i gazit është fusha e Shah Deniz 2 e Kaspikut, më tej ka fusha të tjera si Turkmenistani e vende të tjera, por ky është burimi më i sigurt, i eksploruar nga konsorciumi i përbërë nga Sokar, kompania e Azerbajxhanit, Statoil e Norvegjisë, British Oil e Britanisë së Madhe. Ky konsorcium ka shpallur para disa muajsh tenderin, ka ftuar konsorciumet që kanë marrë përsipër të ndërtojnë gazsjellës, të ofrojnë projektet e tyre. Në vendimin e para ky koncarcium ka përjashtuar IGTI-në dhe ka mbetur në garë me duket dhe tre të tjerë NABUKO, NABUKO-laight dhe TAP këto të tria janë në garë. Tani cili do jetë përfundimtari të presim, por e vërteta është që TAP ka shanse më reale për shumë arsye. TAP është më pak i kushtueshëm, TAP ka kalibrin për momentin më të përshtatshëm për sasinë e gazit. Gjithashtu TAP ka trajektoren ku gazi është më i nevojshëm, ka treg më të mirë ka Italinë Greqinë dhe pastaj mund të shkoi drejt veriut me një degë nga Shqipëria drejt Ballkanit. Nga viti 2006 deri më sot qeveria shqiptare ka bërë çdo përpjekje në rolin e saj modest. Këtu kryqëzohen interesa me peshë më specifike më të madhe se Shqipërisë. Shqipëria ka në këtë mes një avantazh absolut pozicionin gjeografik qoftë për të kaluar në drejtim të Italisë, qoftë për tu bërë një epiqendër shpërndarje drejt Ballkanit të Veriut. Natyrisht çfarë kemi pasur mundësi për të bërë për këtë projekt ne nuk kemi kursyer 6 vite me radhë. Vendimi nuk është përfundimtarë është përjashtuar njëri IGTI-ja, por të tjerët janë në përzgjedhje. Në rast se përzgjidhet TAP ne jemi shumë të vendosur të plotësojmë çdo kusht të kësaj marrëveshje shumëpalëshe dhe këtu ne jemi një segment i vogël i këtij tregu të madh. Ky është një treg i madh në këtë mes ne lidhur ose pa lidhur me ta, projekti ynë më madhorë për mandatin që vjen është gazifikimi i Shqipërisë. Ky është një vendim i prerë përfundimtarë ne u premtojmë shqiptarëve 4 vitet që vijnë gazifikimin çka do të thotë një ndryshim cilësor në jetën e çdo familjeje shqiptare për aq sa ka peshë në financat e tyre ngrohja dhe gatimi. Është shumë më lirë me gaz se sa me energji. Ne po përgatitemi për të bërë masterplanin e gazifikimit. Gazifikimi është fizibël në çdo lloj forme qoftë edhe me gaz të lëngshëm të marrësh ta kthesh me gaz dhe ta gazifikosh edhe një herë ja vlen. Forma më jo ekonomike është kjo që jemi ne sot pa gaz dhe ne do bëjmë me çdo kusht gazifikimin e vendit.
Duke ju rikthyer zhvillimeve politike në Shqipëri të paktën që nga dita e sotme është rikthyer ngërçi politik që lidhet në fakt me proceset integruese të Shqipërisë. Ju e keni thënë shumë herë që këtë çështje do ta zgjidhin shqiptarët por kjo nuk është në fakt një çështje që u përket shqiptarëve pasi vullneti i shqiptarëve dihet në këtë rrugë, por është një çështje e vullnetit politik tashmë rruga e integrimit të Shqipërisë. Marr shkas këtu edhe nga Serbia ku ka ecur tashmë përpara në proceset integruese duke bashkëpunuar. Nuk e di si mund të zgjidhet kjo çështje duke mos u a lënë në dorë shqiptarëve?
Do të ishte me shumë interes që si media të bënit një studim, të shkoni në Beograd në Sarajevë dhe kudo në qoftë se gjeni një opozitë që nuk voton për reformat e integrimit europian përveçse në Shqipëri. Qoftë se e gjeni tjetër kund atëherë tezat e mia bien ideja se këtë e bëjnë për psikologjinë e bllokut dhe për bllokun është e gabuar, por qoftë se nuk është atëherë kjo është unike dhe ka këtë shpjegim. Kur unë them se në 2013 e them me seriozitetin më të madh pse ndodhi këtë javë. A mund t’u bëj një pyetje çfarë ndodhi këtë javë në një proces që po ecte, po ecte jo në mënyrë shkëlqyer por po ecte normalisht pothuajse pa pritmas u bllokua në të gjithë drejtimet çfarë ndodhi? Sepse këtë javë në Bruksel bëhen mbledhjet për të vlerësuar reformat në vendet për të aspiruar për integrim dhe vetëm kaq. Edi Rama i cili dy vjet rresht provoj se duke bllokuar votimin bllokon statusin po vazhdon të mbetet po ai. Edhe kur ishte kryetarë Bashkie edhe kur humbi si kryetarë Bashkie. Edhe një herë e them edhe unë po të isha në Bruksel për një vend në të cilin opozita nuk i voton reformat absolutisht nuk do votoja për të. Po pse do votoja unë, nuk po hy të them disa biseda private, por po marr këtë si e tha Konica “Zoti e ruajt Shqipërinë nga Shqiptarët” e ka thënë disa herë interlekutorët e mi kryesorë si ka mundësi që ky njeri i bën vendit këtë gjë. Do të thoni ju po mirë që këta zotërinj si mund të pranojnë që vendi të ndëshkohet për shkak të një njeriu? Jo është shumë e thjeshtë kjo, këta presin verdiktin e shqiptarëve sepse çfarë do tu thonë ata nesër qytetarëve të tyre në rast se shqiptarët do votonin Edi Ramën e kuptoni ju nuk mund të rrezikoi kush për hir tonë, prandaj dhe shqiptarët duhet ta zgjidhin vetë këtë problem. Ka një bllokim ka një njeri i cili në çdo moment në çdo rast bëri gjithçka për të bllokuar vizat nuk e dëgjuan sepse ajo ishte një gjë që rëndonte në lëkurën e çdo qytetari, nuk e dëgjuan u faktuan që nuk gabuan që nuk e dëgjuan sepse refuzoi dy vjet rresht atë që pranoi më fund dhe atë që i pranoi i bllokoi javën që në Bruksel do të bëhet vlerësimi për procesin e ecurisë së reformave për të gjithë vendet e Ballkanit perëndimorë dhe rezulton që në Shqipëri raportohet që reformat në Shqipëri janë bllokuar. Absolutisht zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të qershorit të 2013 unë personalisht nuk shoh. Do bëj gjithçka që të bashkëpunoi me opozitën, por ky është ky, sot për të hedhur poshtë kodin, kompromisin dy mujor që u bë sot nxori nenin që se ka as Kim Ii Jungu se ka as i ati i tij shpirtëror i dënimit kolektiv. Klikoni në Kodet Penale të botës dhe me gjeni një që ka dënimin kolektiv. Duke ofenduar njëri tjetrin në mbledhje por urdhri është urdhër e zbatuan se ata e dinë marrëzinë që bëjnë e kanë shumë të qartë. Kështu që shpresa e shqiptarëve është, shqiptarët e meritonin në 2010 nuk ja u dhanë dhe u bë e qartë, e meritonin në 2011 nuk ja u dha po për shkak të mos votimin të reformave, e meritonim në 2012 nuk ja u japim sepse ai nuk voton reformat. Atëherë u përket atyre ta zgjidhin në mënyrën më të vendosur.
Do ti referohem drejtuesit të aleancës Kuq e Zi i cili të paktën dy ditët e fundit ju ka akuzuar ose ka folur ashpër për juve duke ju cilësuar si anti-shqiptarë, ka kërkuar të zbardhet edhe biseda me Samaras dhe ka deklaruar që do t’ju çojë në minorancë pas zgjedhjeve të viti 2013?
Aleancë portokalli, apo Kuq E Zi, apo Faqe zi.
Kam një pyetje për gjëra që kanë ndodhur. Nata do jetë me temperatura të ulëta më shumë se 1/3 e Shqipërisë është goditur nga bora. Më tepër se 1/3 e rretheve janë goditur nga kjo katastrofë natyrore, ju thatë në komunikimin e fundit se zonat e emergjencës po reduktohen dhe sipas kësaj duhet të kemi edhe një faturë përfundimtare sa ishin shpenzimet e përballimit të kësaj emergjence sa fonde i dedikuat ju nga rezerva shtetërore kësaj emergjence të popullatës?
Fatura përfundimtare nuk është e qartë akoma janë angazhuar fondet e parashikuar për të gjithë vitin për mirëmbajtjen e rrugëve kanë qenë rreth 12 milion dollarë. Janë mobilizuar fonde të cilat janë përdorur për hapjen e rrugëve kombëtare dhe rurale. Ndërsa për hapjen e rrugëve komunale rrugët që lidhin fshatrat me qendrat e komunave janë mobilizuar fonde të tjera rreth 40 milion lek dorën e parë mund të jenë lëvruar të tjera nga Ministria e Brendshme, janë lëvruar me dhjetëra e dhjetëra tonelata ndihma dhe vazhdojnë të lëvrohen se përsëri janë një numër fshatrash të rrethuar nga 3 metra borë. Sipas kërkesave që bëjnë kryetarët e komunave ne përpiqemi të ndajmë ushqime dhe medikamente. Fatura përfundimtare nuk ka dalë akoma, por ajo që është e sigurt do mobilizojmë gjithçka për ti dhënë ndihmën e duhur. Megjithëse do jetë ftohtë dhe këto dy tre ditë.
Zoti Kryeministër ti kthehemi edhe njëherë situatës politike. Juve a keni informacion që nga grupi i juaj Parlamentarë mund të iki edhe ndonjë deputet tjetër me Partinë që pritet të drejtohet nga Presidenti Topi pas Korrikut dhe që pritet të shpallet në fund të muajit mars? Si i keni bërë llogaritë që votat e elektoratit tuaj të mos ndahen me Partinë e Zotit Topi parti e cila ka deklaruar që do jetë e qendrës së djathtë?
Partia që votoi për Edi Ramën, edhe i vëllai i tij ka votuar për ne. Edhe Flamuri ka votuar për mua dhe do votojë për mua çfarë problemi mund të kem unë. Shko pyete merre në telefon po nuk të tha që kam votuar dhe do votoj për Sali Berishën. Është vëllai i madh i tij. Tani kjo i përmbledh të gjitha. Kjo e tejkalon grupin dhe të gjitha.
Ju thatë që zoti Rama ka probleme të mëdha me realitetin e sotëm, ndërkohë po citoi zotin Besnik Mustafaj një ish-bashkëpunëtorit tuaj më të afërt i cili deklaroi se zoti Berisha është shkëputur me tepri nga realiteti. Cila është e vërteta në fakt pas kësaj?
Nuk ke bërë zgjedhjen e duhur ke bërë zgjedhjen e gabuar sepse shkrimtarë Besnik Mustafaj po ta kesh ndjekur nuk ka mohuar kurrë që është shkrimtarë pra shkrimtarët kanë realitetin e tyre dhe prandaj janë shkrimtarë se përndryshe do ishin si ne të tjerët jo ata e kanë. Ndaj dhe nuk mora argumentin, por ai nuk foli për orientimin tim politik. Ai kapi realitetin, shkrimtari për të qenë shkrimtarë ka perceptimin e tij. kaq e ka frymëzimin po ja hoqe ai iku dhe u bë si të tjerët.
Pyetja tjetër ka të bëj me një prej viktimave të 21 Janarit me Hekuran Dedën. Janë pikërisht vëllezërit e tij që kanë denoncuar edhe publikisht për një lloj tratative të tuajën për të hyrë në shtëpinë e tyre madje ka pasur dhe kërcënime. Ka dhe një kërcënim i cili është bërë publike dhe në gjykatë?
Jemi në 21 vite demokraci ju thoni gjithmonë djemtë e bllokmenëve, bllokmen e rinj, si ndihet kryeministri i vendit tim kur shikon në shtypin e ditës fotot e tija personale me shtypin e kohës?
E dhimbshme që unë të detyrohem një termi që duhet ishte harruar por qëndrimet e kam theksuar edhe një herë nuk e kam përdorur kurrë këtë term për Fatos Nanon jo kam përdorur epitete nga më të ndryshme por jo këtë term se nuk i shkonte sepse edhe po ta përdorja nuk më besohet. Unë do të përdor gjëra që besohet. Çfarë ndodhi më këtë ky i mblodhi si zogjtë e klloçkës, shko merr pak grupin parlamentarë merr pak kryesinë se si është ndërtuar me biografinë e etërve po pse vetëm ata mund të ishin anëtarë të kryesisë për shkak të etërve që deri në vitin 200 gjysma e tyre nuk ka qenë në Shqipëri fare. Për sa dit i numëruan votat, për sa dit i gatuan votat. Nuk jam unë që i kam mbledh ata është zoti Rama që i ka mbledh ata dhe i ka vendosur kupolë. Merri të gjithë janë aty kur nuk kanë qenë më parë në PS. Pse këta zotërinj votojnë bllokimin. Pse këta dëmin ndaj kundërshtarit e konsiderojnë qëndrimin e parë që dëmton interesat e vendit. pse këta në bllokimin e vendit shohin interesin e tyre.
...