Bika, pritet si heroinë në Lazarat
Pas daljes nga shtëpia e "Big Brother", Republika është pritur si një heroinë nga bashkëfshatarët e saj në Lazarat. Një festë e vërtetë ka nisur dje në mesditë në qendër të Lazaratit dhe më pas festa ka vazhduar me një parakalim demonstrativ në rrugët e qytetit të Gjirokastrës. Një autokolonë e gjatë me dhjetëra autovetura të zbukuruara me flamuj kombëtarë dhe parulla me emrin e Bikës, ka zhvilluar disa xhiro në unazën që lidh pjesën e re me qendrën historike të Gjirokastrës. Protagonistja e kësaj historie, e veshur me kostumin verdh e zi, me të cilin hyri ditën e parë në shtëpinë e "Big Brother", ishte vendosur në krye të karvanit të autoveturave që shëtisnin rreth orës 14:30. Republika, një nga personazhet më të spikatur të "Big Brother" është pritur si një heroinë e vërtetë jo vetëm nga bashkëmoshatarët e saj në Lazarat, por edhe nga banorët e tjerë të këtij fshati të njohur për më tepër për kronikat e zeza, për përplasjet me policinë dhe për kultivimin e drogës. Bika i tregoi Shqipërisë një Lazarat tjetër dhe kjo është një nga sfidat, shanset dhe meritat e padiskutueshme të "Big Brother", që nëpërmjet atyre qindra kamerave teleshikuesi të ketë mundësinë të njohë e zbulojë karakteret e personazheve që përfaqësojnë treva, mentalitete, formime të ndryshme kulturore, psikologji dhe kategori të ndryshme mendimi.