E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbretëreshat e parave

Kur Hilary Black tregoi se kishte marrë vendimin të ndahej nga i fejuari, nuk e imagjinonte se kjo do të shkaktonte një reagim të tillë. Me mënyra të ndryshme, mikeshat e mbledhura për këtë rast i thanë të gjitha të njëjtën gjë: të mendohej mirë e të vlerësonte me kujdes pasojat që rridhnin pas kësaj. I saji nuk ishte një burrë si gjithë të tjerët, kishte diçka më shumë. Ishte një njeri shumë i pasur. "Çfarë dreqin bën kështu, ai mund të të sigurojë jetën. Me të mund të jetosh e lumtur gjithmonë", i pati thënë një nga mikeshat e saj të ngushta. Pikërisht nga kjo, Hilarit, një gazetare njujorkeze, i lindi ideja për të shkruar një libër. Për të shpjeguar raportin e vështirë të grave me paratë, mundin që heqin për t‘i fituar dhe lehtësinë për t‘i shpenzuar. Për më tepër, një pjesë e mirë e librit i kushtohet pyetjes që çdo femër në jetën e saj e ka menduar të paktën një herë të martohet me një milioner. "Kam zbuluar se ka 30-vjeçare që ëndërronin princin e kaltër shumë të pasur dhe një jetë të përsosur". Prandaj lindi "The secret currency of love", që ka dalë para pak kohësh në SHBA. Ky libër paraqet dëshmi që thonë qartë se si paraja ka influencuar jetën e tyre dhe zgjedhjen e të fejuarve e burrave. "Gratë kanë një raport më të vështirë se sa mendohet me paranë", thotë Hilary Black. "Për shumë prej tyre ato janë vërtet tabu". Teza e autores mbështet ëndrrën e shumë grave dhe shpresën e tyre që të mund t‘i besojnë një burri, në gjendje që t‘i sigurojë një jetë luksoze për gjithë jetën. Një ëndërr që shkon paralele me një tjetër, atë për të investuar për një burrë për të mos qenë e detyruar të punosh për të jetuar. Në kohët e Jane Austen, martesa ishte një domosdoshmëri, në kohën e Marilyn Monroe të martoheshe me një milioner ishte një ëndërr, ndërsa sot mund të jetë një mundësi që duhet vlerësuar me pragmatizëm. "Gratë e kanë zbuluar se sa e vështirë është të fitosh para. Pasi kanë investuar shumë në punë, nuk janë të pakta ato që kanë ngelur të zhgënjyera apo të stresuara. Prej këtu lind tendenca për t‘i vlerësuar paratë në çift me një realizëm të ri", tregon një avokate amerikane, që merret kryesisht me divorcet. Në studion e saj vijnë gra të shumta, e sidomos ato që kanë pasur martesa, por jo me fund të lumtur. "Kur ulen para meje bëjnë bilance të dhimbshme, mbi të gjitha ekonomike. Gratë nuk dëshirojnë që të jenë shtëpiake, por në krahasim me disa vite më parë, kanë mësuar të rivlerësojnë disa aspekte të rolit shtëpiak. Kur fëmijët janë të vegjël, preferojnë të qëndrojnë me ta me kënaqësi, ndërsa për ta bërë këtë punë me qetësi u nevojitet një burrë i kamur. Por, edhe një grua të cilës i pëlqen të bëjë karrierë do i pëlqente të kishte një njeri të pasur që ta mbështeste, që për shembull të paguante njerëzit, të cilët do të kujdeseshin për fëmijët dhe shtëpinë". Kështu që strategjitë e vjetra duken se janë zgjidhja e problemeve të reja. "Sot martesa nuk është përgjithmonë. Nuk është më një garanci për jetën. Shumë gra të divorcuara e kanë të vështirë të ndërtojnë një lidhje të re. Jetesa për femrat sot është bërë shumë e vështirë dhe paraja i ndihmon të përballojnë një jetë pa pasur një shok në krah. Sepse për to kjo është një shprehje e lirisë dhe realizimit". Por, problemi është se gratë nuk kanë shumë mundësi për të fituar. Në shumë shtete të botës ekziston ende hendeku i madh mes burrit dhe gruas për sa i përket parasë. Kudo meshkujt fitojnë më shumë se femrat dhe mbajnë pozicione drejtuese. Megjithatë, një studim i bërë në Harvard ka treguar se rendimentet profesionale të grave janë më të mira se ato të kolegëve meshkuj. Me pak fjalë, seksi i dobët di t‘i administrojë më mirë situatat në punë. Për shembull, bankat e vetme që nuk janë përfshirë në krizën e kredive janë ato që kanë gra në pozicione drejtuese, shpjegon Heather Mcgregor, një specialist finance në bankën "City" në Londër. "Në përgjithësi gratë janë më pak të pasura se burrat dhe për më tepër edukohen që në fëmijëri, që më shumë të shpenzojnë se të fitojnë. Që këtu lind raporti i tyre i vështirë me paranë". Nga ana tjetër, edhe kur ato përpiqen që t‘i fitojnë vetë, kjo gjë i kushtëzon raportet e tyre me punën, miqësinë dhe dashurinë. "Ajo që fitojnë ka lidhje me atë që ato bëjnë. Gratë duan gjithmonë të tregojnë se e meritojnë paranë dhe janë gjithmonë e më të bindura se nuk e tregojnë kurrë aq sa duhet këtë". Shpesh edhe harxhimi i parave të fituara mund të shkaktojë komplekse dhe ndjenja faji. Laurie Abraham, redaktore e revistës "Elle", tregon në librin e Hilary Black: "Kur më duhet të paguaj kujdestaren e fëmijëve i them: unë do të firmos çekun, kurse ti vendos shifrën. Ndihem më mirë kur nuk duhet të vendos të zezë mbi të bardhë një shumë të madhe. Është njëlloj si të mos kishte ndodhur kurrë". Megjithatë, ka nga ato që tregojnë shumë kujdes: "Unë jam shumë e kujdesshme në të shpenzuar, sepse ideja se do të humb ato që kam fituar të bën të ndihmë keq", thotë drejtoresha e një qendre tregtare në Nju Jork. Por, shpesh gjithçka që arrijnë të fitojnë shumë femra e shpenzojnë brenda një ore duke shëtitur nëpër rrugët e dyqaneve të firmave të njohura. Një sindrom tërësisht femëror, ose më saktë një patologji e vërtetë, ashtu siç e pranojnë ato, që qendrat e mbështetjes për të sëmurët që kanë probleme me ushqimin dhe ato që vuajnë nga bulimia e shopingut, dy simptoma këto që hasen kryesisht te gratë. "Të shpenzoj në mënyrë të llahtarshme për mua është një lloj qetësie. Vetëm kështu ndihem mirë. Atëherë kur nuk shpenzoj shumë dhe nuk mund të blej gjërat që dua, bie në një gjendje depresive, që nuk mundem ta shpjegoj dot", tregon Xheni, gruaja e një menaxheri të famshëm në Nju Xhersi. Mes vështirësive për të fituar, dëshirës dhe ndjenjës së fajit për të shpenzuar, duket se qëndron në sirtar një tjetër skenar i fshehur. Cili është do të thoni ju? Sigurisht martesa me një milioner. "Edhe pse shumë prindër i këshillojnë fëmijët e tyre, sidomos brezin e ri që të investojnë për shkollën, të punojnë shumë dhe ta sigurojnë vetë një vend prestigjioz në shoqëri, për shumë femra, në një cep të pandërgjegjshmes së tyre shpesh zgjohet një kujtim që i bën të ndihen nostalgjike: ai që kur ishin të vogla e kur shpesh mendonin të martoheshin me një burrë të pasur", përfundon Liv Stjuart, sociologe e një universiteti në Los Anxhelos. Në fund ajo shton se "edhe pse kjo dukuri është e theksuar te femrat nuk janë të paktë në numër meshkujt që mendojnë se do të kenë lindur me shumë fat nëse gjejnë në jetë një grua që mund t‘u zgjidhë problemet e tyre me ekonominë".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›