E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilancet mbi fitimin, ja si do të bëhet riklasifikimi për bizneset në 2009-n

Rregulla të reja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Riklasifikimi do të bëhet në bazë të të ardhurave vjetore

Ervin Koçi

Subjektet e biznesit dhe kryesisht ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, do të pësojnë një ndryshim vitin që vjen në përllogaritjen e bilanceve të tyre, gjë që do të ndikojë direkt dhe në formën se si ato do të tatohen. Në bazë të një projektligji të ri, bizneset e vogla dhe të mesme do të riklasifikohen, duke u përcaktuar tashmë në bazë të të ardhurave vjetore (xhiros dhe fitimit) dhe numrit të punonjësve. Qeveria ka vendosur të ndryshojë përmes një drafti të sjellë për miratim në Parlament nga ekspertët e Ministrisë së Financave, disa pika të ligjit “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”. Sipas klasifikimit më të fundit, “mikrondërmarrje” quhen ato subjekte që nuk kanë më shumë se 10 punëtorë dhe të ardhurat vjetore nuk i kalojnë 10 milionë lekët. “Ndërmarrje e vogël” do të konsiderohet ai subjekt ku janë të punësuar më pak se 50 persona dhe që ka një bilanc jo më të madh se 50 milionë lekë në vit. Kurse “Ndërmarrje të mesme” do të konsiderohen ato subjekte biznesi, të cilat kanë të punësuar më pak se 250 punëtorë dhe që kanë një bilanc total vjetor jo më të madh se 250 milionë lekë. Ndërsa përsa i përket statusit të tyre, ndërmarrjet do të kategorizohen në “autonome”, “partnere” dhe “të lidhura”.

Ndërmarrjet autonome

Ndërmarrje “autonome” konsiderohen ato që janë totalisht të pavarura dhe nuk kanë në bordin e tyre asnjë investitor, i cili ka lidhje me ndërmarrje të tjera. Mund të vlerësohen “autonome” edhe në rastet kur nuk ka asnjë ndërmarrje partnere, megjithëse pragu 25 për qind i kapitalit ose e së drejtws së votës arrihet apo tejkalohet nga personat juridikë, publikë dhe shoqëritë e kapitalit, me kushtin që totali i investimeve të këtyre shoqërive, në të njëjtën ndërmarrje, të jetë më pak se 30 milionë lekë.

Ndërmarrjet partnere

Ndërmarrje “partnere” janë të gjitha ndërmarrjet që nuk klasifikohen si ndërmarrje të lidhura dhe ndërmjet të cilave ekziston marrëdhënia, ku një ndërmarrje zotëron vetëm ose bashkë me një a më shumë ndërmarrje të lidhura, 25 për qind apo më shumë të kapitalit, por në çdo rast jo më shumë se 50 për qind të kapitalit ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër.

Ndërmarrjet e lidhura

Ndërmarrje “të lidhura” klasifikohen ato subjekte në rastet kur një prej ndërmarrjeve zotëron pjesën më të madhe të aksioneve ose të të drejtave të votës në një ndërmarrje tjetër. Statusi “të lidhura” përfitohet dhe në rastin kur një ndërmarrje ka të drejtë të emërojë ose të shkarkojë pjesën më të madhe të anëtarëve të organeve administrative, drejtuese ose mbikëqyrëse të një ndërmarrjeje tjetër, ose kur një ndërmarrje ka të drejtë të ushtrojë ndikim dominues mbi një ndërmarrje tjetër, sipas kontratës që ka lidhur me atë ndërmarrje.

Të huajt, 64 për qind të investimeve i kryejnë në sistemin financiar

Investimet e huaja direkte neto përgjatë vitit 2008 vlerësohen në nivelin 380 milionë euro, rreth 2.6 për qind më të larta se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Me një rritje modeste investimet e huaja në vend prej rreth 354 milionë eurosh, mbeten faktori kryesor në rritjen e detyrimeve financiare. Mësohet se gjatë periudhës janar-shtator 2008, pjesa më e madhe e fluksit hyrës të investimeve të huaja (rreth 64%) vjen nga investimet në sektorin financiar, kryesisht në bankat tregtare, rritja e investimit të huaj në të cilat është rreth 210 milionë euro, ose rreth 2 herë më e madhe se për të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vendin e dytë për nga madhësia ndaj fluksit të përgjithshëm të investimeve të huaja gjatë kësaj periudhe, ose rreth 16 për qind, e zënë investimet në operacionet hidrokarbure në blloqet e kërkimit dhe vendburimet. Investimet në degën e telekomunikacionit kanë rënë përgjatë nëntëmujorit si rezultat i shpërndarjes së fitimit të kompanive që operojnë në këtë sektor, në formën e dividendëve.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›