E Shtunë, 31 Tetor 2026

Financat: Ritmi i kreditimit do të bjerë me 15 për qind në vitet 2007-2011



Kredia për ekonominë pas një periudhe pesëvjeçare me një rritje tepër të lartë vjetore me mesatarisht 50 për qind në vit, pritet të ketë një ngadalësim të natyrshëm të këtij ritmi. Parashikimi kësaj here i qeverisë lidhet me ritmin mesatar të rritjes për katër vitet e ardhshme të kredisë, i cili mund të jetë rreth 20 për qind në vit, për të arritur në rreth 15 për qind në 2011-n, nga 48.5 për qind që shënonte në 2007. Treguesit në rënie kanë nisur që këtë vit, me të dhëna modeste prej 5 për qind. Pavarësisht ritmeve rënëse, në terma absolutë, kredia vazhdon të zgjerohet sikurse edhe një vit më parë, me rreth 22 miliardë lekë. Sipas BSH-së, në muajin mars raporti i kredisë ndaj parasë së gjerë dhe ndaj PBB-së arriti në nivelet prej 40.9 për qind dhe 31.4 për qind, respektivisht. "Për pjesën e mbetur të vitit dhe deri në tremujorin e parë të vitit në vazhdim pritet që normat e rritjes vjetore të nivelit të përgjithshëm të çmimeve të luhaten edhe për pak kohë rreth vlerave aktuale, duke u rikthyer në fund të vitit brenda intervalit të tolerancës së synuar nga politika monetare", - thuhet në raportin e BSH-së. Biznesi vazhdon të mbetet klienti i preferuar i bankave. Kredia për ekonominë gjatë pjesës së parë të vitit 2008 është rritur mesatarisht me 47,3 për qind në terma vjetore. Tendenca rënëse e ritmit të kredisë, shfaqur prej më shumë se dy vitesh, ka qenë më e theksuar gjatë muajit mars, kur rritja vjetore e tepricës së kredisë arriti në 44,9 për qind. Ky ngadalësim i ritmeve të rritjes së kredisë është ndikuar si nga ecuria e kredisë për biznese, ashtu edhe për individë. Por kontributi i këtyre të fundit në rritjen e kredisë në mars, ka rënë më shumë se ai i biznesit. Pavarësisht ritmeve rënëse, në terma absolute kredia vazhdon të zgjerohet, sikurse edhe një vit më parë, me rreth 22 miliardë lekë.

Festat, 10 miliardë lekë për shpërblimet e fundvitit

Qeveria do të përdorë buxhetin e tretë për të stimuluar shtresat në nevojë, që në këtë periudhë të vitit kanë nevojë të shpenzojnë për festat. Plani është për të rishpërndarë rreth 10 miliardë lekë, vendim që pritet të merret këtë javë në mbledhjen e radhës të qeverisë. Pensionistwt pritet të marrin nga pesë mijë lekë secili, shumë simbolike, që kryeministri e cilëson si "kartolinë për festat e fundvitit" ose "gjeli i detit". Vendimi politik i qeverisë ka vënë në lëvizje Ministrinë e Financave, e cila me kohë ka nisur punën për gjendjen e fondeve që do të shërbejnë për shpërblimin e rreth 500 mijë pensionistëve në rang vendi. Fatura kap shifrën e 4 miliardë lekëve. Shuma në fjalë u jep shpresë edhe buxhetorëve, të cilët me vendim qeverie nuk e marrin më pagën e 13-të, por me anë të performancës në punë gjatë vitit, mund të sigurojnë ndonjë shpërblim që më e pakta është gjysmë page.

Importet, arrin në 527 milionë euro blerja e pajisjeve

Nëse deficiti tregtar do të ishte i lartë falë rritjes së shpenzimeve për të sjellë në vend pajisje dhe makineri në drejtim të kryerjes së investimeve, niveli i tij do të ishte i justifikuar. Statistikat e periudhës janar-shtator flasin për një rritje të importit për mallra ushqimorë dhe për lëndë të para, ndërsa makineritë dhe pajisjet për linjat e prodhimit nuk kanë peshë të madhe. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë tregon se nga 2,5 miliardë euro importe të kryera si 9-mujor, rreth 527 milionë euro janë shpenzuar në drejtim të rritjes së investimeve. Pjesën më të madhe tek importet e zënë mallrat e përpunuar, me rreth 603 milionë euro, por edhe produktet që vijnë nga fusha e lëndëve djegëse (karburantet). Rritja e shpenzimeve për këtë zë të tregtisë nuk i kalon 18 për qind në krahasim me vitin 2007. Shkëmbimet tregtare në mallra të Shqipërisë me botën, gjatë periudhës janar-shtator të vitit 2008 shënuan një vlerë prej rreth 3.3 miliardë eurosh, duke qenë rreth 18 për qind më të larta sesa në të njëjtën periudhë të vitit 2007. Shpenzimet për importin e mallrave shënuan vlerën 2,547 milionë euro, ndërkohë që të ardhurat nga eksporti i mallrave arritën në 708 milionë euro. Deficiti i tregtisë së mallrave shënoi vlerën 1.8 miliardë euro, duke qenë rreth 16 për qind më i lartë sesa në vitin 2007. Rritja vjetore e vlerës së importeve të mallrave shënoi 17 për qind, një normë kjo e krahasueshme me atë të vitit të kaluar. Importi për përpunim aktiv ka shënuar një rritje vjetore prej 7 për qind gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, ndërkohë që pesha e kësaj kategorie importesh ndaj vlerës së përgjithshme të importeve ishte 12 për qind.

9 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›