E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci bankave, shumica me fitim këtë vit

Shumica e bankave e kanë nisur me rezultate financiare pozitive vitin 2011. Të dhënat e publikuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se përgjithësisht bankat në këtë fillim viti kanë qenë fitimprurëse. Nga 12 banka që kanë publikuar të dhënat, 10 prej tyre rezultojnë me fitim. Si gjithmonë në vitet e fundit, janë bankat e mëdha ato që kanë arritur rezultate më të mira. Raiffeisen Bank vazhdon të jetë banka me fitimet më të larta dhe për tremujorin e parë fitoi më shumë se 1.9 miliardë lekë. Intesa SanPaolo për këtë periudhë ka kaluar BKT dhe ka raportuar një fitim prej 820 milionë lekësh, ndërkohë që banka me kapital turk arriti vlerën e 549 milionë lekëve fitim. Credins Bank ka bërë një hap para dhe renditet e katërta për nga fitimi i siguruar, duke lënë pas Tirana Bank. Credins ka arritur një fitim prej 326 milionë lekësh, ndërsa Tirana Bank rreth 289 milionë. Për t’u shënuar përmirësimi i rezultatit për disa prej bankave që dy vitet e fundit nuk kanë shfaqur një performancë të mirë, si NBG Bank, ProCredit Bank dhe Veneto Banka. Të tria këto banka e kanë mbyllur tremujorin me fitim në disa dhjetëra milionë lekë. Të vetmet banka që rezultojnë me humbje për këtë tremujor të parë janë Banka e Kreditit të Shqipërisë dhe Banka Ndërkombëtare Tregtare, banka që zënë një peshë tejet modeste ndaj totalit të sistemit bankar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›