Studimet në Itali, Universitetet hapin regjistrimet paraprake
Hapet rruga drejt universiteteve italiane për studentët e huaj, përfshirë edhe ata shqiptarë, që duan t’i ndjekin studimet e larta në Itali, gjatë vitit të ri akademik 2011-2012. Është një rrugëtim i gjatë që do të përfundojë në shtator, me regjistrimin e mirëfilltë në degën e dëshiruar. Sipas afatit të përcaktuar nga Ministria e Universiteteve në Itali, nga 23 maji, të gjithë ata që dëshirojnë të regjistrohen në vitin e parë mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pranë konsullatave italiane në vendlindje. Sakaq, janë përfaqësitë diplomatike ato që përcaktojnë edhe datën e fundit të vlefshme për paraqitjen e këtyre kërkesave, ndaj është e udhës që të interesuarit të informohen menjëherë për të mos rrezikuar të mbesin jashtë. Sipas kushteve të vendosura nga autoritetet italiane, për t’u regjistruar pranë universiteteve italiane është e detyrueshme certifikata e njohjes së gjuhës italiane “CELI 3”, e lëshuar nga Universiteti i Peruxhias në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës. Po ashtu, për të ndjekur universitetin në Itali, është e nevojshme të kalohen të katër provimet e Maturës, që janë të domosdoshëm për regjistrimin edhe në universitetet shqiptare. Ndërkaq, brenda këtij muaji, pritet të hapen edhe procedurat e aplikimit për të paraqitur kërkesën e regjistrimit paraprak për në universitetet italiane. Këto procedura, si dhe afatet do të bëhen të ditura nga Ambasada Italiane në Tiranë, e cila për çdo vit publikon edhe udhëzimin e posaçëm “Për procedurat për regjistrimin në universitetet italiane nga ana e studentëve të huaj”. Kështu, të rinjtë që synojnë të regjistrohen pranë universiteteve italiane do të mund të tërheqin, pranë sportelit të Ambasadës, një dosje të veçantë për pararegjistrimin, që përmban formularët e nevojshëm dhe udhëzimet përkatëse, si dhe kalendarin për paraqitjen e kërkesave.
Në korrik konsullatat do t’u përcjellin kërkesat universiteteve dhe në gusht do të shpallin listat e kandidatëve që do të pranohen në testin e italishtes apo në provimin e pranimit për fakultetet me numër të mbyllur studentësh, që parashikohen të mbahen javën e parë të shtatorit. Kandidatët do të mund të shkojnë në Itali me vizë për studime dhe, nëse e marrin testin, do të regjistrohen përfundimisht në universitet. Është e rëndësishme të mbahet parasysh që kanë nevojë të ndjekin këtë procedurë e të pajisen me vizë për studime edhe shqiptarët që kanë pasaportën biometrike, pasi ajo u jep të drejtën e qarkullimit lirshëm në Shengen për tre muaj, por jo për t’u regjistruar në universitet. Vendet nuk janë pa fund: çdo universitet i ka komunikuar tashmë Ministrisë së Universitetit numrin maksimal të studentëve të huaj që do të pranohen për çdo kurs. Për të kuptuar se sa janë apo në cilin universitet mund të kihen më shumë shanse, mund të konsultohet banka e të dhënave të ministrisë në faqet dedikuar studentëve të huaj.
Procedura e mësipërme është e vlefshme vetëm për të huajt që janë akoma në atdhe apo sidoqoftë jashtë Italisë. Të gjithë ata që jetojnë në Itali me leje qëndrimi të rregullt, regjistrohen në universitet njësoj si italianët. Natyrisht, të gjithë duhet të kenë në xhep diplomën e shkollës së mesme, të ndjekur këtu apo në atdhe, titull studimi që u lejon regjistrimin në universitet.
Dokumentet që kërkohen për pararegjistrim
Për të kryer pararegjistrimin në universitetet italiane është e nevojshme të dorëzohet dokumentacioni i mëposhtëm: kërkesa e regjistrimit, në të cilën duhet të tregohet qartësisht vetëm një degë universitare, e cila nuk mund të ndryshohet më; formulari i autentikimit të fotografisë; titulli përfundimtar i shkollës së mesme në origjinal. Kandidatët që kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Maturantët e regjistruar në vitin e fundit dhe që do ta marrin Diplomën e Maturës në verën e vitit 2011, duhet të paraqesin një vërtetim notash, që tregon frekuentimin dhe notat e tre viteve të para si dhe të semestrit të parë të vitit të katërt, me detyrimin për ta dorëzuar këtë dokument në origjinal pranë Ambasadës, sapo ta marrin atë; kopje e formularit A1; fotokopje e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane (CELI 3); dy fotokopje të titullit të studimit; fotokopje e pasaportës; 2 fotografi me ngjyra.