Bilanci i premtimeve, Basha bën analizën e 100 ditëve
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, sqaron në një komunikim të hapur me publikun se çfarë është realizuar në 100 ditët e para të punës së tij.
Kryebashkiaku i Tiranës bën bilancin e premtimeve të mbajtura në 100 ditët e para të punës së tij në bashki. I shoqëruar nga drejtuesit e administratës së tij, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, doli dje në një komunikim të hapur publik para godinës së bashkisë, duke bërë transparente punën e bërë në 100 ditët e para. Duke u ndalur në secilin prej premtimeve të dhëna për 100-ditëshin e parë, Basha tregoi rezultatet e arritura, dhe premtoi se kjo mënyrë komunikimi me qytetarët e Tiranës për punën e bashkisë do të jetë e përhershme. E ka nisur bilancin nga qytetarët, duke u shprehur se bashkia ka qenë, është dhe do të mbetet një bashki e hapur për ta, dhe se do t’i vazhdojë
takimet e të premtes, për të cilat do të ketë edhe një grafik të ri. Hipotekat kanë qenë premtimi i dytë i Bashës, të cilin ai e konsideron të realizuar tashmë. “Faza e parë tashmë ka përfunduar me dërgimin pranë institucioneve përkatëse të të gjitha objekteve të pajisuara me leje shfrytëzimi dhe brenda një periudhe 3-4 javore, me përfundimin e lejeve të shfrytëzimit për të gjitha ato objekte, të cilat për shkak të burokracisë dhe zvarritjeve në Bashkinë e Tiranës mbetën peng këtu në Bashki, dhe faza e tretë, që është edhe më problematikja, është në rrugën e drejtë të zgjidhjes në bazë të mirëkuptimit të vendosur me institucione të tjera përkatëse dhe me të cilat po hartojmë masat e duhura ligjore. Ndonëse problemi po zgjidhet në tri faza, ju garantoj se premtimi do të mbahet plotësisht, siç është mbajtur për 100 ditët e para, duke hapur rrugën për hipotekimin e plotë të të gjitha apartamenteve të qytetarëve të Tiranës që i kanë akoma të pa hipotekuara, brenda afatit të premtuar”, - ka pohuar kryebashkiaku. Premtimi i radhës i mbajtur, sipas Bashës, është mbrojtja e konsumatorit nga veprimtaria e paligjshme në tregjet dhe njësitë tregtare të kryeqytetit, nga mallrat dhe shërbimet pa cilësi, nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare, por edhe nga spekulimi me çmimet. Më tej, kreu i bashkisë ka dhënë detaje lidhur me Planin Urbanistik të Tiranës, që do të jetë gati brenda majit të vitit që vjen. “Në këtë plan urbanistik do të respektohen në mënyrë të plotë dy parimet kryesore: respekti i plotë për pronën private të qytetarëve dhe fitimi i hapësirave të munguara e të cunguara publike”, - ka pohuar Basha. Ai ka pohuar se pjesë e këtij plani do të jenë edhe ndërhyrjet emergjente, ku më masivja është rehabilitimi i trafikut në sheshin “Skënderbej”, deri në gjetjen e zgjidhjeve përfundimtare, të cilat do të mundësojnë rrjedhjen e trafikut pa problem në qendër të qytetit dhe në unazat rrethore të tij. Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, ku përfshihet edhe heqja e 60 tarifave dhe taksave, sipas Bashës, ka qenë një tjetër premtim i mbajtur prej tij në 100 ditë e para të punës.
Në vijim të sqarimit të punës së bërë për çdo premtim, kreu i bashkisë ka pohuar se Karta e Studentit është një tjetër realizim. Po kështu ai ka folur edhe për platformën e decentralizimit që do t’u japë më shumë kompetenca dhe mundësi kryetarëve të 11 njësive vendore të Tiranës. Bulevardi i Ri, Lumi i Tiranës, Tramvaji kanë qenë të tjera punë të vëna tashmë në rrugën e realizimit. “Ndonëse nuk e kishim futur në premtimin tonë afatshkurtër, kemi përfunduar të gjithë punën parapërgatitore për të hapur konkursin për Bulevardin e Ri të qytetit të Tiranës, nga Stacioni i Trenit deri te Lumi i Tiranës si dhe për rehabilitimin e Lumit të Tiranës nga Ura e Brarit tek Ura e Kamzës, për ndërtimin e arteries, që pastaj do ta lidhë këtë vepër të madhe të infrastrukturës sonë, më të madhen në 80 vitet e fundit, me rezervuarin e Paskuqanit, për të ndërtuar atje një Park të Ri”, - ka pohuar Basha. Ndërkaq, ai ka bërë të ditur se kanë përfunduar termat e referencës për Tramvajin e Tiranës dhe përkatësisht për dy drejtimet kryesore, Kinostudio-Kombinat dhe drejtimin veri-jug, ku do të përfshihet edhe arteria që tashmë do të projektohet nga hekurudhë në rrugë, për tramin, nga Stacioni aktual i Trenit, te Stacioni i ri në dalje të Tiranës, në zonën e Laprakës.
Premtimet e Bashës
Të hapur për qytetarët
Hipotekat
Mbrojtja e konsumatorit
Plani Urbanistik
Zhvillimi ekonomik dhe punësimi
Nxitja e investimeve
Karta e Studentit
Decentralizimi
Rruga drejt punësimit
Bulevardi i Ri, Lumi i Tiranës, Tramvaji
Dalipi: 100 ditët e Bashës, të dështuara
Kreu i këshilltarëve të Partisë Socialiste, Aldrin Dalipi, i cilëson të dështuara 100 ditët e qeverisjes së kryebashkiakut Basha. Pasi ky i fundit mbylli komunikimin me publikun për premtimet, Dalipi reagoi nëpërmjet një deklarate për shtyp, duke u shprehur se 100-ditëshi i Lulëzim Bashës ka qenë një mashtrim dhe një dështim i madh i shoqëruar me largime dhe përndjekje politike, pazare politike, shpërdorim i miliona eurosh në sheshin “Skënderbej”, dhe përfundimisht ai e pranoi publikisht se lejet për hipotekim nuk janë meritë e tij, ato kanë qenë të firmosura nga vetë zoti Rama. Këshilltari i majtë deklaroi: “Zoti Basha pranoi publikisht që gënjeu për lejet e shfrytëzimit të banesave për hipotekim, duke thënë që nuk i ka firmosur ai, pra i ka firmosur zoti Rama, por zoti Basha duhet të ketë kurajën t’u thotë qytetarëve të Tiranës përse ai dhe qeveria ku ka qenë ministër e bllokuan për shumë vite hipotekimin e banesave të qytetarëve të Tiranës, në zyrat e qeverisë, ashtu siç bllokoi buxhetin e Bashkisë së Tiranës”.