E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi i urgjencës, PD-PS debate në komision

Eltar Deda: Urgjencat janë në gjendje të mjerueshme, ambulancat shkojnë 40 minuta me vonesë në vendngjarje.

Flamur Noka: Në kohën kur ishte PS-ja në pushtet, spitalet ishin një mejhane kolektive.

Shëndetësia përplas mazhorancën me opozitën në komisionin parlamentar. Mbledhja e djeshme e komisionit të Shëndetësisë, megjithëse ishte parashikuar që të ishte një seancë dëgjimore me ministrin Petrit Vasili, për shërbimin e urgjencave, u shndërrua në një debat midis deputetëve të opozitës dhe mazhorancës, për zhvillimet e fundit në politikë. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka theksuar para deputetëve se do të përmirësojë më shumë shërbimin e urgjencës spitalore dhe ambulatore, ndërsa do të vihen në dispozicion 200 automjete për urgjencën. Ministri ka deklaruar se 20% e shërbimit të urgjencave spitalore dhe ambulatore janë të pajisur me aparatura, ndërkohë që do të realizohet strategjia kombëtare e shërbimit të urgjencës. Pasi kanë dëgjuar fjalën e ministrit të Shëndetësisë, i cili foli më pak se të gjithë në fillim të seancës, deputetët e opozitës në komision kanë shpërthyer në akuza kundrejt tij dhe qeverisë, duke pohuar se nuk është bërë asgjë për përmirësimin e kushteve në shëndetësi. Akuzat çuan në përplasje deklaratash, fillimisht me ministrin Vasili e më pas edhe me deputetët e tjerë të shumicës. Dy deputetët socialistë Eltar Deda dhe Klodiana Spahiu theksuan se, edhe pse për shëndetësinë buxheti është 30 miliardë lekë, qytetarët vuajnë mungesën e urgjencave. Sipas tyre, në spitale vazhdojnë të mos kenë as ilaçe as aparatura, duke zemëruar besimin e pacientëve. Deputeti i opozitës, Eltar Deda, ka përmendur raste konkrete, të cilat, sipas tij, vërtetojnë se shërbimi i urgjencës dhe ambulancave në vendin tonë nuk funksionon dhe është në gjendje të mjerueshme. Kështu, ai u ndal mbi vrasjen e ndodhur në Vlorë dy net më parë, ku, sipas tij, ambulanca shkoi në vendngjarje me 35 minuta vonesë. Gjithashtu, Deda përmendi edhe vrasjen e oficerit të ShISh-it në Durrës, ku edhe në këtë rast, sipas tij, pasi ishin njoftuar për ngjarjen, ambulancat kanë vajtur 45-50 minuta me vonesë. Po ashtu, sipas deputetëve të opozitës, mungesa e ambulancës pas ekzekutimit të gjyqtarit vlonjat Skerdilajd Konomi mjafton për të treguar në çfarë gjendje janë urgjencat në vend. Duke replikuar me deputetin e PS-së, Eltar Deda, për gjendjen e shëndetësisë gjatë qeverisjes socialiste, deputeti i PD-së, Flamur Noka, është përpjekur të bëjë batuta për kongresin e socialistëve, duke ngjallur reagimin e ashpër të tyre. Deputeti demokrat iu kthye përfaqësuesve të së majtës, duke u thënë që “ju nuk i vlerësoni zhvillimet që ka pësuar spitali gjatë këtyre viteve, pasi në kohën kur ishte PS-ja në pushtet spitalet ishin një mejhane kolektive, ndërsa objektivi i nxjerrë nga kongresi i së dielës është që PS-ja të përbaltë punën e bërë nga qeveria”. Pas debateve, deputetët e opozitës nuk ranë dakord për raportin e ministrit Vasili dhe strategjinë e paraqitur prej tij në lidhje me reformimin e urgjencave në të gjithë vendin. Ndërkohë që në mbledhjen e djeshme ka rënë në sy mungesa e deputetit Vangjel Tavo, që së fundmi është dhe një nga më kritikët e punës së ministrit Petrit Vasili, edhe pse të dy i përkasin të njëjtës forcë politike, LSI-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›