E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci njëzetvjeçar i një partie që s’gjen karar së ndërruari emër

13-06-2011 / Nga Eden Babani

Njëzet vjet më parë, doli nga fjalori i përditshëm i gjuhës shqipe, për të hyrë në fjalorin historik, emri “Partia e Punës e Shqipërisë”, emër i dytë i “Partisë Komuniste Shqiptare”, të cilin  ajo e mbante qysh prej nëntorit 1948. Më 12 qershor të vitit 1991, ky, i dyti, ia la vendin të tretit, më të riut: “Partia Socialiste e Shqipërisë”.
Zëvendësimi i emrit të dytë me një të tretë, u diktua prej të njëjtave motive të pesëdhjetë e ca vjetëve përpara. I ngjante, pak a shumë, rrekjes së atij që pandeh se mund të fshihet pas gishtit a, më mirë, për të thënë shumë, pa thënë gjë prej gjëje. Heqje-vënia e emrit të dytë, për t’u zëvendësuar me një të tretë, u krye brenda një nate, në një kongres, dhe u ndikua prej nevojave utilitare të atyre që e ndjenë se po u rrëshqiste toka nën këmbë, qysh me rënien e Murit të Berlinit. As mish, as peshk, me gjithë debatet që nxorën krye asohere mes fanatikëve enveristë dhe të moderuarve, kongresi do të mbahet mend si i fundit i Partisë së Punës dhe si i pari i Partisë Socialiste, çka, ashtu ose kështu, është e njëjta gjë. Në këtë kuptim, njësoj si edhe pas Kongresit të Parë të PKSH, më 1948, ndërrimi i emrit nuk do të sillte atë çka pandehej, kapërcimin e ylberit, që, siç thonë, të ndërron seksin: je mashkull, të bën femër; je femër, të shndërron në mashkull, ndryshime këto sa sasiore, aq edhe cilësore. Ashtu si pararendësi emërndërrues i 1948-s, edhe kongresi me dy numra renditjeje, i 1991-së, nuk solli ndonjë gjë të re, qoftë në sasi, qoftë në cilësi. Pak a shumë, ndodhi ajo çka ndodh me gjarprin kur ndërron lëkurën. Pa ndërruar thelbin e ekzistencës, zvarraniku e zhvesh lëkurën e vjetër, sapo ndien se po i del një e re. Gjarpër ishte, gjarpër se gjarpër mbetet. Në vazhdën e traditës së trashëguar nga partia nënë, gjithë anëtarësia e Partisë së Punës, i kaloi automatikisht Partisë Socialiste, numerikisht dhe cilësisht. Me pak fjalë: Ku ishe? Asgjëkund? Çfarë bëre? Asgjësend.
Që nga ajo kohë, historia njëzetvjeçare e partisë emërndërruar mund të përmblidhet thjesht dhe shkurt në katër a pesë paragrafë, që nisin dhe mbarojnë në kapërcyej zgjedhjesh. Me të ndërruar emrin, ende ndonjë vit në pushtetin e fituar për inerci, në zgjedhjet e para pluraliste të marsit 1991. Disa vjet në opozitë, deri në vitin e mbrapshtë 1997. Tetë vjet të tjerë në pushtet. Dhe, së fundi, sërish në opozitë, qysh prej 2005-s.
Kaq do të mjaftonte, them unë, që njëzetvjeçarët e sotëm, në moshën e pjekurisë dhe bashkëmoshatarë (siç) të PS-së – anëtarë, ta zëmë, të saj ose të G99 - të kishin një ide për disa gjëra që ndoshta nuk i dinë saktësisht. Megjithatë, pyetja që lind vetvetiu, do të ishte: Cili është bilanci i partisë që u rrek të festonte me pompë një njëzetvjetor të paqenë a, më mirë, një segment njëzetvjeçar të një historie afro shtatëdhjetëvjeçare? As më shumë, as më pak, ai i përvijuar qysh me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntor të 1941-së, me kujdesin dhe me bekimin e komunistëve jugosllavë.
Le të ndalemi kalimthi, kapërcyell pas kapërcyelli, në evenimentet më domethënëse të periudhës njëzetvjeçare, si gjatë kohës kur partisë emërndërruar i ra shorti të qeveriste, ashtu edhe kur u gjend në opozitë.
Ai vit i cunguar, prej qershorit 1991, deri në prill 1992, kur në pushtet erdhën Partia Demokratike dhe aleatët e saj, u karakterizua nga një trysni e jashtëzakonshme popullore, rezultat i së cilës ishte dorëheqja e kryeministrit të atëhershëm, Fatos Nano. Pa u ndalur eveniment më eveniment për të vërtetuar trysninë popullore, mjaft të kujtoj grevën e urisë të ish-të përndjekurve politikë, të cilët nuk do të pajtoheshin kurrsesi me qenien në pushtet të asaj klase politike që mbijetoi afro pesëdhjetë vjet falë vrasjeve, burgosjeve, internim-dëbimeve, luftës së klasave e represioneve të tjera kësi soji.
Kapërcyelli i parë pas ndërrimit të emrit - zgjedhjet e parakohshme të prillit 1992 - solli në Shqipëri një atmosferë të lehtësuar demokracie, ndonëse të brishtë. Ishte, ndoshta, kjo brishtësi që u dha dorë opozitarëve emërndërruar, të mëkuar qysh në djep me idenë e mbrapshtë se “pushteti buron nga gryka e pushkës”, të punonin nën rrogoz për të përmbysur atë çka u ndërtua me mund e me zikzake të panumërta. Atë që ata nuk e arritën dot në kapërcyellin e ndërmjetëm, domethënë në zgjedhjet e 1996-s, e vunë në jetë ca muaj më vonë. Me krizën e të ashtuquajturave firma piramidale, për të cilat ende nuk është thënë fjala e fundit sesi mbinë, si u ushqyen apo ku përfunduan paratë e shqiptarëve, erdhi viti i mbrapshtë 1997. Qysh në vigjilje, 1997-a u karakterizua nga trazirat e nxitura prej opozitës dhe liderëve të saj, të cilët ngritën famëkëqijtë Komitete të Shpëtimit, ku gjetën strehë kriminelë ordinerë të të gjitha kallëpeve. Opozita ndërseu turmat e irrituara për humbjen e parave, që të kërkonin rrëzimin e qeverisë së dalë nga vota popullore. Pas krismave të para në Jug, erdhi dorëheqja e qeverisë demokratike dhe, pas tollovisë me qeveri të përkohshme pa kurrfarë të drejte ekzistence përveç asaj të grykës së pushkës, Presidenti Berisha dekretoi zgjedhjet e parakohshme.
Kapërcyelli i radhës, ai i qershorit 1997, e ktheu vendin disa vjet, në mos një a dy dhjetëvjeçarë, mbrapsht. Zgjedhjet u zhvilluan nën kërcënimin e armëve, të cilat qarkulluan haptas për një periudhë disavjeçare, para dhe pas zgjedhjeve. Kriminelët me maska e pa maska, siç bënin ligjin në rrugë, e bënë edhe përpara kutive të votimit. Qeverinë e kryesoi lideri socialist Fatos Nano, i sapodalë prej burgut të Bënçës, ku vuante dënimin e dhënë nga gjykata për krime ordinere. Vrasja politike të Azem Hajdarit, më 1998, dha sinjalin se vitet që do të pasonin, në mesin e të cilëve do të konsumohej edhe një kapërcyell tjetër, ai i 2001-së, do të ishin vitet e larjes së hesapeve mes bandave kriminale, vite të largimit të Shqipërisë prej idealeve të saj euro-atlantike. U zhdukën prej qarkullimit vrasësit ordinerë, vendin e të cilëve në hierarkinë e mafies e zunë kripto-politikanë të babëzitur për t’u pasuruar, të cilët u ishin lëshuar pasurive shtetërore qysh në fund të viteve ‘80, në fillim të viteve ‘90, me të dhënë Ramiz Alia alarmin se pushteti ishte i humbur, të pasurohej kush të mundte prej atyre që i kishin duart në qypat e mjaltit. Në këto kushte, u përvijua dhe u përforcua mafia e sotme, e cila llogaritë nuk do t’i bënte, as do t’i bëjë më me arritje politike, me fushata elektorale, pra me votat e popullit, por me paratë e zhvatura prej tij.
Kapërcyelli tjetër, ai i vitit 2005, pruri sërish në pushtet Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, pas tetë vjet jete opozitare. Si me magji, u kthye kokëposhtë bilanci tepër negativ i tetë vjetëve të kaluar, kur mbretëroi kaosi shtetëror dhe korrupsioni i administratës shtetërore u ngrit në nivelet më të larta, kur shtetarëve shqiptarë iu vu kufiri te thana prej organizmave ndërkombëtare. Përkundrazi, qeverisja e vendit ra në duar të sigurta, u shfaq një frymë e re afrimi me partnerët ndërkombëtarë. Për pasojë, u ndërtua Autostrada e Kombit, fondet e së cilës, mbledhur prej taksapaguesve shqiptarë nga qeveritë e majta, u vodhën. Në mënyrë të padiskutueshme, autostrada afroi fizikisht shqiptarët, të cilët historia i ka ndarë më dysh, dhe krijoi premisa për një të ardhme më të denjë mbarëshqiptare. Ndërkohë, Shqipëria u pranua në NATO.
Ndërsa në kampin e shumicës qeverisëse gjithçka kishte nisur të shkonte drejt mbrothësisë, në atë opozitar, kryesisht në Partinë Socialiste, çarjet dhe mosmarrëveshjet mes klanesh politike, mafioze ose jo, krijuan terrenin e përshtatshëm për të dalë në krye, Edi Rama, njeriu pa të kaluar në partinë që do të pretendonte rikthimin e saj në pushtet, njeriu pa identitet politik, ftuar qysh në fund të viteve ‘90 prej ish-kryeministrit Nano për një post qeveritar, drejtpërdrejt nga mjerimi i jetës nën urat e Senës dhe vetëm e vetëm që të përballonte me metoda rrugaçërie uraganin politik Berisha. Mirëpo Nanoja nuk i pati bërë dot hesapet të qëruara. Merita e vetme e aventurierit Rama që të hipte në karrigen e ministrit të kulturës ose në atë të kryebashkiakut të Tiranës, ishte mungesa e skrupujve moralë, deri në atë shkallë sa të shkelmonte edhe ftuesin, pasi ky humbi zgjedhjet e 2005-s dhe dha dorëheqjen, siç do të bënte çdo lider politik në një vend demokratik.
I fundit kapërcyell, ai i 2009-s, dha një sinjal të ri dhe tepër domethënës të mirëkuptimit politik. Me gjithë mosnjohjen e rezultatit të zgjedhjeve prej opozitës gërnjare e rrënimtare të kryesuar prej Edi Ramës dhe kërkesës së vazhdueshme të saj për rinumërimin e votave ose për zgjedhje të parakohshme, me gjithë bojkotin e jetës parlamentare dhe presionin e rrugës, me gjithë grevën e urisë përpara Kryeministrisë a ngjarjet e përgjakura të 21 janarit, koalicioni qeverisës mes forcave kryesore të spektrit të djathtë dhe të së majtës së moderuar, LSI-së, do të tregonte padyshim konsolidimin e idealeve demokratike në vendin tonë dhe besueshmërinë e partnerëve ndërkombëtarë. Mjaft të përmend vërshimin e investitorëve të huaj në Shqipëri, kapërcimin me dinjitet të krizës financiare që preku gjithë botë, heqjen e vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën Shenghen. Tashti, së fundi, edhe mbështetjen e hapur të partnerëve ndërkombëtarë, në pritje të përfundimit të procesit zgjedhor për pushtetin vendor.
Emërndërruara e përjetshme, Partia Socialiste e Shqipërisë, e pa veten dje në moshën e pjekurisë (gjithnjë, nëse i referohemi segmentit që i përket në tërësinë e jetëgjatësisë së asaj çka ka trashëguar). Është koha kur në vend gjithçka po shkon drejt stabilitetit, sepse - siç thuhet -  qe  si qé, u bë si ka. Tashmë, me bilancin e saj negativ njëzetvjeçar, zullumet e kryetarit Rama jo vetëm që nuk i japin dorë PS-së të ngrihet nga balta, jo vetëm që nuk i japin fytyrë europiane, jo vetëm që e dëmtojnë atë, por marrin përpjesëtime të rrezikshme për Shqipërinë, për mbarë Kombin Shqiptar. Kërcënimet e një lideri politik se shqiptarët nuk do të gjejnë qetësi, po s’u jetësuan ëndrrat e tij të çartura, janë prag çmendurie. Ato i tejkalojnë interesat e një individi a të një grupi të caktuar individësh. Aq më tepër të një partie me histori njëzet-a-shtatëdhjetëvjeçare, s’ka rëndësi, qoftë ajo edhe më e votuara në botë.
Ka ardhur koha që edhe ndjekësit më besnikë të Edi Ramës, idealistë a të zhytur në afera korrupsioni të dukshme ose të padukshme, t’i thërresin mendjes se ku po i degdis egoizmi pa kufi i një njeriu të papërgjegjshëm për çka thotë e premton se do të bëjë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›