Mbrojtja ndaj sulmeve kibernetike një domosdoshmëri edhe për Shqipërinë
Sulmi i fundit i piratëve të informatikës ka pasur për shënjestër kompjuterët e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Televizioni, Bloomberg News, ka raportuar se sistemi kompjuterik i FMN-së është sulmuar nga hakerët që "besohet se janë të lidhur me qeveri të huaja, sulm ky që rezulton me humbjen e e-mailave dhe dokumenteve të tjera". Ndërkaq, New York Times ka raportuar se FMN është goditur gjatë muajve të fundit nga ajo që ekspertët e kompjuterëve e përshkruajnë si një sulm të madh dhe të sofistikuar.
Para ca ditësh qeveria e SHBA-ve, nëpërmjet drejtorit të shërbimeve sekrete (CIA), Leon Panetta, ka thënë në një fjalim të mbajtur në Capitol Hill, se “pearl Harbor-i i ardhshëm me të cilin mund të përballen Shtetet e Bashkuara mund të jetë një sulm informatik”. Paneta e ka vënë theksin në veçanti tek sulmet në distancë ndaj rrjetit elektrik kombëtar, infrastrukturave dhe rrjeteve amerikane të transportit. Marrja e masave paraprake ka filluar. Nëse “piratët e informatikës që do të shkatërrojnë infrastrukturën, do të jenë shënjestër për raketat”- ky ka qenë një nga titujt më interesantë të ditëve të fundit dhe bëhet fjalë për një deklaratë zyrtare të Pentagonit, në lidhje me sulmet kibernetike dhe përgjigjet ndaj atyre që i kryejnë. “Nëse kryhen sulme kibernetike nga një vend i huaj, sulme të cilat do të godasin strukturat jetësore kompjuterike të SHBA, atëherë kjo gjë mund të konsiderohet një “akt lufte” që do të marrë në shkëmbim një përgjigje të plotë ushtarake.” Kjo ishte me pak fjalë deklarata e zyrtarëve të Pentagonit. Ky paralajmërim vjen pasi Pentagoni po nxiton që të kompletojë një skicë teknologjie të re për mbrojtjen e transportit amerikan, sistemeve të mbrojtjes dhe të energjisë kundër armiqve që i sulmojnë dixhitalisht me qëllime të këqija, duke goditur sistemet nevralgjike kibernetike.“Një përgjigje ndaj një kiber-sulmi ndaj SHBA, nuk do të jetë domosdoshmërish një përgjigje kibernetike. Të gjitha mundësitë e përshtatshme do të jenë në tryezë”, - tha këto ditë zëdhënësi i Pentagonit, kolonel Dave Lapan. Një zyrtar i Mbrojtjes, do të deklaronte gjithashtu, për “The Wall Street Journal” se: “Nëse ju rrënoni rrjetin tonë të energjisë, ka mundësi që ne të hedhim një raketë në oxhakun tuaj.” Departamenti i Mbrojtjes së SHBA ka deklaruar se më shumë se 100 organizata të huaja të inteligjencës, janë përpjekur që të hyjnë në rrjetet amerikane. Disa prej tyre kanë arritur madje që të hyjnë në rrjetet amerikane e disa të tjera kanë aftësinë që të shkatërrojnë infrastrukturën e informimit të vendit. Këtë gjë e deklaronte këtë vit, në një revistë të njohur siç është Foreign Affairs, zëvendëssekretari i Mbrojtjes William Lynn. Rishikimi është i lidhur drejtpërdrejt me një formulimin e një strategjie, gjë që është deklaruar edhe nga Shtëpia e Bardhë muajin e shkuar. Atje thuhet se SHBA: “do të përgjigjet ndaj sulmeve armiqësore në hapësirën kibernetike ashtu si do të përgjigjej ndaj çdo kërcënimi tjetër ndaj vendit tonë. Ne gëzojmë të drejtën që të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme – diplomatike, informative, ushtarake dhe ekonomike.” Këto paralajmërime dhe çështje janë diskutuar në javët e
fundit në SHBA, për shkak të problemeve të profilit të lartë që hasi korporata Sony, së cilës në muajin e fundit iu desh që të mbyllte për një periudhë të shkurtër rrjetin e saj të Play-Station pas një ndërhyrje të konsideruar si pirate që vuri në rrezik informacionet e kartave të kreditit të 70 milionë përdoruesve. Javët e fundit, rrjeti i transmetimit publik PBS pohoi se faqet e tij – të besuara gjerësisht – të informimit
elektronik në internet u bënë objekt i sulmit të piratëve të cilët lanë aty lajme të rreme të cilat thoshin se këngëtari shumë i njohur i muzikës hip-hop, Tupac Shakur, vrasja e të cilit në Los Angeles vazhdon akoma të ngrejë pikëpyetje për detektivët, është i gjallë dhe ndodhet në Zelandën e Re. Piratët, thoshin se këtë lajm të rremë ndaj PBS e kryen sepse PBS ka zhvilluar një dokumentar negativ në lidhje me WikiLeaks. Po një javë më parë, erdhi edhe njoftimi se truri kompjuterik i kontraktorit të Mbrojtjes, Lockheed Martin, ishte vënë nën një sulm të fortë kibernetik. Lockheed tha se dëmtimi ishte shmangur dhe se po punonte që të rikthente kontrollin e hyrjes te të punësuarit. Sulmi ndaj Lockheed, firmë e cila furnizon ushtrinë e SHBA me armë të tilla si avionët luftarakë F-16, duhet të krijonte jo pak shqetësim. Por ndërsa një urgjencë e re ka trokitur në dyert e Pentagonit, për t’u gjetur zgjidhja, duhet kapërcyer një tjetër sfidë dhe ky është mosbesimi ndaj ekzistencës së kërcënimeve të tilla. Në vitet 1950, SHBA duhet të zhvillonte deterrencën nukleare pasi nuk kishte më dyshime në lidhje me rrezikun në rritje që vinte nga mbushjet nukleare. Në luftën kibernetike, identifikimi i armikut është edhe më i vështirë. Kur në vitin 2008, pati ndërhyrje në Komandën Qendrore të SHBA, Pentagoni hezitoi që të identifikonte fajtorët, edhe pse ata dyshonin për Rusinë. Investiguesit dinin vetëm që programet e dëmshme u futën në sistem nga një flash-drive. Ata që futën programin shkatërrues Stuxnet në pajisjet e centrifugës nukleare vitin e shkuar, nuk u konfirmuan kurrë se kush ishin, edhe pse Teherani akuzoi SHBA-të dhe Izraelin. Në një konferencë të ditëve të fundit, Michael Rake, shefi ekzekutiv i British Telecom, mbrojti idenë e një negocimi ndërkombëtar me qëllim krijimin një traktati mbi ndalimin e përhapjes së armëve kibernetike, që do t’i kundërvihej një gare të re të armëve kibernetike ndërmjet shteteve. Dokumenti i politikës së Pentagonit, pjesë të së cilit do të bëhen së shpejti publike, nuk do të ofrojë mundësi përshmangie edhe për ato raste kur sulmet kibernetike vijnë nga grupe të ndryshme nga shtetet. Do të bëhet e qartë ndërkohë, që çdo lëvizje e kryer nga SHBA për të sabotuar sistemin e një qeverie të huaj do të kërkojë një autorizim presidencial paraprak.
Nevoja për më shumë politika për hapësirën kibernetike – Do të ishte më e lehtë që problemet dhe sulmet kibernetike të shiheshin si të rezervuara për politikanë, teknokratët dhe departamentet e IT. Tashmë, kur ndoshta një e treta e popullsisë së globit ndodhet online, këto sulme mund të jenë një rrezik i cili kërcënon zhvillimin dhe sigurinë kombëtare si dhe jetën e përditshme, duke nxjerrë jashtë përdorimit sistemet e transportit, duke kryer vjedhjen e të dhënave të bankave për të kryer më pas krime financiare apo duke ndërhyrë në sistemet që ruajnë të dhënat personale. Deklaratat e fundit të Pentagonit që në situata të caktuara këto sulme mund të konsiderohen “akt lufte” theksojnë rritjen e rëndësisë që po merr bota virtuale. Sulmet e kryera javët e fundit tregojnë se ekzistojnë shumë pika të dobëta në infrastrukturën sociale dhe shtetërore. Këto sulme kanë ngritur pyetje të reja që kanë të bëjnë me mënyrën se si qeveritë dhe shoqëritë mund t’i përgjigjen sa më me efektshmëri këtyre kërcënimeve dhe sulmeve.
Në ndryshim nga format e tjera të kërcënimeve konvencionale, sulmet kibernetike mund të kryhen edhe falë shpenzimeve të cilat janë të vogla, me aparatura që gjenden të shpërndara gjerësisht dhe me një rrezik minimal. Por për më tepër, anonimiteti i hapësirës kibernetike siguron, do të thotë se bota e fusha e lojës është shumë më e madhe se sa ajo e kërcënimeve konvencionale. Shtete të tilla si Kina apo Rusia, që janë parë shpesh si kërcënimet kryesore dhe që nuk mund të krahasohen me fuqinë ushtarake të SHBA, kanë shanse të mira në hapësirën kibernetike. Kjo hapësirë i lejon shtetet që të arrijnë qëllimet e tyre e të shprehin fuqinë e tyre, në një mënyrë të re. Mbi të gjitha, spiunazhi kryhet shumë herë më mirë në këtë hapësirë të re. Por duhet theksuar se kjo gjë nuk duhet parë si një ndryshim total i lojës. Do të ishte e gabuar që të mendohej se sulmet kibernetike do të mund të zëvendësonin tërësisht armët konvencionale. Një sulm “online” nuk mund të shkaktojë të njëjtat dëme njerëzore si një sulm raketash. Kjo natyrë e re e kërcënimeve duhet të shihet si një zgjatim i botës fizike. Akte të tilla si kriminaliteti,mashtrimi, spiunazhi dhe agresioni ushtarak kanë ekuivalencë virtuale. Ajo që është më e rëndësishme, është që të shtohen politikat që trajtojnë hapësirën kibernetike. Mungesa e përgjithshme politikave të tilla që kanë të bëjnë me sulmet kibernetike, do të thotë se vëmendja është e vogël dhe se masat e marra nuk janë ende në lartësinë e duhur.
Pentagoni duket se me lëvizjet e fundit po përpiqet që të mbushë këtë boshllëk mes botës virtuale me atë reale.
A ka vend për shqetësime të kësaj natyre edhe në vendin tonë? – Nëse do t’i referoheshim disa lajmeve të ditëve të fundit ku janë ndaluar disa persona për mashtrime që kishin të bënin me botën virtuale si programe tv, pajisje etj, atëherë shikohet se Shqipëria nuk ndodhet jashtë sferës së këtyre rreziqeve. Raste të tjera të manipulimit të informacionit të kartave bankare nuk mungojnë. Por kjo është vetëm ana e infrastrukturës shoqërore. Nëse do të kërkonim që të bënim një krahasim të sistemit të sigurisë së rrjeteve shtetërore dhe sidomos atyre më kritike në vendin tonë, ndoshta mund të shikonim më realisht se ku çalon puna. Ata që janë specialistë të fushës së informacionit, inteligjencës etj mund të dinë akoma më mirë se cilat janë dobësitë tona dhe sa mund të jetë i cenueshëm sistemi dhe informacioni. Megjithatë, ky shkrim nuk ka për qëllim një analizë të mirë-filltë në lidhje me kërcënimet apo dobësitë që mund të hasë struktura e Mbrojtjes në hapësirën kibernetike. Ne ndodhemi në të njëjtin pozicion boshllëku – si shumë shtete të tjera – për politikat që kanë lidhje me kërcënimet kibernetike dhe ajo që vjen natyrshëm pas këtij shkrimi të shkurtër, është pyetja: a i duhet Shqipërisë një doktrinë për mbrojtjen kibernetike? Përgjigjja është po. Dhe qeveria shqiptare ka filluar një plan-veprimi paraprak të ngritjes së një barriere të parë sigurie.
Në Ministerialin e fundit të vendeve të NATO-s ku merret pjesë edhe Ministri Imami, pas drejtimit të dhënë nga Koncepti i Ri Strategjik, ministrat e mbrojtjes kanë rishikuar e më pas miratuar, Politikat e NATO-s për mbrojtjen kibernetike. Politika parashtron një vizion të qartë në përpjekjet e NATO-s në mbrojtjen kibernetike të Aleancës. Politika e rishikuar do të ofrojë një qasje të koordinuar për mbrojtje kibernetike. Të pranishmit ranë dakord që të gjitha strukturat e NATO-s, të jenë nën mbrojtjen e centralizuar, duke gjetur njëkohësisht kërkesa të reja që do të aplikohen në të ardhmen.