Bilanci vjetor, Parlamenti 28 seanca pa opozitën
Në prag të bilancit parlamentar për sesionin e parë dhe të dytë të legjislacionit të 18-të që mbyllet në fund të korrikut, Kuvendi mban mbi supe një raport të vështirë për veprimtarinë e tij njëvjeçare. Në 36 seanca parlamentare janë miratuar rreth 190 projektligje, por ka munguar unifikimi i votës për ligje që kërkojnë 3/5 e deputetëve, janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese ligjet më të rëndësishme që kanë bërë bujë nga mazhoranca dhe opozita ka munguar në më shumë se gjysmën e seancave plenare, në plot 28 prej tyre. Në fund të korrikut, Parlamenti mbyll siparin e dy sesioneve të para për legjislacionin e 18-të. Në bilancin një jeçar, Kuvendi është përballur për këtë legjislacion me bojkot, dështime, projektligje të miratuara vetëm me votat e mazhorancës. Seanca e fundit plenare është më 29 korrik për të rifilluar më pas në vjeshtë të këtij viti.
ProjektligjetPavarësisht se 36 seancat e Kuvendit, janë miratuar rreth 190 projektligje, Parlamenti mban mbi supe një bilanc të vështirë, i cili ka ardhur si rezultat i bojkotit dhe mungesës së konsensusit mes dy forcave më të mëdha politike. Projektligjet që kërkojnë 84 vota, si ndryshimet në Kodin Penal, Kodin Civil, Kodin Rrugor, Kodin Detar, Kodin Ajror dhe një seri kodesh të tjera që janë kusht i Bashkimit Europian kanë ngelur të pamiratuara gjatë këtij sesioni. Edhe projektligjet që mazhoranca i ka kaluar me votim të thjeshtë, kanë hasur probleme kushtetueshmërie dhe janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Kriza politike ka sjellë në vend një ‘luftë’ të vërtetë dhe një përplasje të ashpër edhe midis institucioneve siç është ekzekutivi dhe Gjykata Kushtetuese.
SeancatNga 36 seanca plenare të kryera për periudhën 7 shtator 2009-1 korrik 2010, opozita ka marrë pjesë në vetëm 8 prej tyre. Pas një bojkoti të gjatë, opozita hyn në Kuvend në shkurt në një seancë të vetme ku kryen betimin dhe më pas zgjedh rrugën e protestave dhe rizgjedh bojkotin e punimeve të seancave të Kuvendit. Dreka e Strasburgut mes Berishës dhe Ramës solli rihyrjen e opozitës në sallën e Kuvendit, ku opozita është treguar agresive në betejën e saj në sallën e Kuvendit, me gjithë vendimmarrjen e fundit për të mos votuar asnjë projektligj në Kuvend pa u bërë transparenca e zgjedhjeve.
Ligjet e rrëzuaraGjykata Kushtetuese i ka dhënë shuplakë jo vetëm qeverisë, por edhe punës së Kuvendit të Shqipërisë duke rrëzuar disa nga ligjet e rëndësishme që Parlamenti u ka dhënë votën. Institucioni që interpreton ligjin themeltar të shtetit ka hedhur poshtë ligjin e Lustracionit dhe marrëveshjen e Shqipërisë me Greqinë për kufijtë detarë. Po kështu, Gjykata Kushtetuese ka shpallur si antikushtetues edhe ligje të tjera, ku një prej tyre është edhe ligji për “kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe ligji për heqjen e makinave për gjyqtarët.
#