Bilbao pret dy finalet
Për baskët ky mund të jetë një sezoni madh. Atletik i Bilbaos është në dy finale, në atë të Kupës së Mbretit përballë Barcelonës dhe të Ligës së Europës ndaj Atletikos së Madridit. Trajneri Marselo Bielsa merr parasysh gjithçka.
“Të arrish në dy finale gjithnjë është shumë e rëndësishme. T’i fitosh është edhe më e rëndësishme, por edhe mund t’i humbasim, gjë që do të na mërziste shumë. Jam shumë i kënaqur që jemi në këto finale, i uritur për t’i fituar dhe lus Zotin që të mos humbasim”, deklaroi Bielsa.
Sulmuesi Fernando Jorente, ndoshta lojtari më i rëndësishëm në skuadër, nuk mendon golat, por fitoren e trofeve.
“Do të ishte një sukses i madh nëse do t’i fitonim finalet dhe unë kurrë nuk do ta harroja këtë sezon. Besohet se do jetë një nga emocionet më të mëdhenj për mua, por nuk do të jem i fiksuar për të shënuar patjetër. Rëndësi ka të fitojmë, jo se kush shënon”, u shpreh ai.
Bilbao është ekipi i dytë me më shumë Kupa të Mbretit në Spanjë, pas Barcelonës, por kurrë nuk ka arritur të fitojë një kupë të Europës. Ndoshta mrekullinë do ta realizojë këtë sezon.